Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se punëtorët e kanë urdhrin për ta instaluar muralin e Nënë Terezës në objektin e Ministrisë së Ekonomisë dhe se kjo duhet të bëhet.

Ai ka akuzuar sërish Qeverinë se po i bllokojnë projektet e ligjshme të kryeqytetit, për të cilat kanë vendosur asamblistët, si përfaqësues të qytetarëve.

“Punëtorët e kanë urdhrin për ta instaluar muralin e nëse provojnë jashtëligjshëm, atëherë normal që do të ballafaqohemi me ta”, tha Rama në një konferencë për media që e thirri sot në sheshin “Zahir Pajaziti”.

-Advertisement-

Rama tha se ky projekt është i ligjëshëm dhe se ka marrë aprovimin në Asamblenë Komunale.

“E ka marrë lejen dhe i ka kaluar të gjitha fazat ligjore. Tash po tentohet që në mënyrë joligjore të bllokohet instalimi i këtij murali. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme. Pra, kemi një proces diktatorial të kësaj qeverie, që e keni parë tash e sa vite bllokon rregullisht projektet e kryeqytetit. Pra kush janë këta njerëz që lëshojnë urdhra kundër vullnetit të popullit, kundër vendimit të asamblesë, të cilët janë reprezentues të qytetarëve të kryeqytetit, të popullit tonë, e dikush nga lart qenka këtu që po jep urdhër me e ndal këtë projekt madhor për kryeqytetin”, ka thënë ai.

Ministria e Ekonomisë dje në reagim tha se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim “për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse”.