Shiroka Pula: BE-ja të mos jetë selektive në procesin e zgjerimit
Autori: Gazeta inFokus
19:38 | 27 November 2026
Në Samitin e radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, që është organizuar në Ohër, presidentja Justina Shiroka-Pula ka theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë paralelisht drejt anëtarësimit, mbi bazën e meritave dhe kritereve, pa lënë askënd prapa. Ajo ka kritikuar Brukselin për Forumin e Zgjerimit që është organizuar më 16 nëntor, duke thënë se është paradoksale që Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional dhe të lejohen mesazhe që cenojnë realitetin e saj shtetëror
Presidentja Justina Shiroka-Pula i ka kërkuar Bashkimit Evropian të premten që të mos jetë selektiv në procesin e zgjerimit.
Gjatë fjalës së saj në Samitin e radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, që është organizuar në Ohër, ajo ka theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë paralelisht drejt anëtarësimit, mbi bazën e meritave dhe kritereve, pa lënë askënd prapa.
“Kosova nuk kërkon privilegj, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë. Për të, integrimi evropian është zgjedhje strategjike dhe orientim i qartë shtetëror. Zvarritja e procesit dhe mungesa e përparimit drejt statusit të vendit kandidat dëmtojnë besimin e qytetarëve në Kosovë dhe në perspektivën evropiane të rajonit. Kosova i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe pret integrim mbi bazën e meritave dhe kritereve të barabarta”, ka thënë presidentja Shiroka-Pula.
Ajo ka theksuar se bashkëpunimi rajonal kërkon respekt, barazi, përgjegjësi dhe, para së gjithash, besim të ndërsjellë.
“Të jemi të barabartë në mesin e të barabartëve është dëshmi e respektit ndërmjet shteteve dhe popujve”, ka thënë presidentja, e cila ka rikujtuar se në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, më 16 nëntor në Bruksel, u diskutua e ardhmja evropiane e rajonit, por Kosova nuk u ftua.
“Në të njëjtën ngjarje u interpretua një këngë nacionaliste që vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Është paradoksale që, në një aktivitet kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane, Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional dhe të lejohen mesazhe që cenojnë realitetin e saj shtetëror”, ka thënë presidentja Shiroka-Pula. “BE-ja nuk mund të ndërtojë unitet duke toleruar simbole dhe praktika që nxisin ndarje, por as të mjaftohet me një distancim formal”.
Ajo ka thënë se një Ballkan Perëndimor më i integruar është një Evropë më e fortë dhe ka thënë se procesi duhet të ndihet edhe në jetën e përditshme.
“Heqja e tarifave të roamingut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jetë hap konkret drejt komunikimit më të lehtë mes njerëzve dhe bizneseve”, ka thënë presidentja. “Duhet të përparojmë më shpejt edhe në integrimin ekonomik rajonal. Plani i Rritjes ofron mundësi për reforma, investime dhe vende të reja pune, me trajtim të barabartë për të gjitha vendet”.
Ajo ka folur edhe për ndryshimin e kontekstit global të sigurisë, duke vënë theksin tek agresioni rus në Ukrainë, për të cilin ka thënë se ka shtuar nevojën për gatishmëri parandaluese dhe vepruese.
“Kosova ka investuar në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse, në personel, pajisje dhe armatim, për të siguruar integritetin territorial dhe për t’i vënë kapacitetet e saj në dispozicion të vendeve aleate. Jemi të gatshëm që, së bashku me aleatët, të vazhdojmë të ndërtojmë një trajektore paqeje, në shërbim dhe interes të të gjithë qytetarëve të rajonit, pa dallim”, ka thënë presidentja.
Në margjina të Samitit të Ohrit, presidentja Shiroka-Pula ka zhvilluar edhe takime me homologë të vendeve të rajonit.
Presidenca ka njoftuar se në takim me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, është diskutuar për projektin e tunelit që lidh Prizrenin me Tetovën dhe për rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë-Shkup.
“Presidentja vlerësoi rritjen e shkëmbimeve tregtare, përmirësimin e bilancit tregtar dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim. “Presidentja Shiroka-Pula përshëndeti vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe fillimin e punimeve në autostradën Shkup-Bllacë. Ajo theksoi rëndësinë e përfundimit të procedurave për ndërtimin e tunelit që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe të përpjekjeve për rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë-Shkup”.
Gjatë takimit është vlerësuar edhe bashkëpunimi, që është cilësuar i mirë, ndërmjet dy vendeve dhe dinamika e marrëdhënieve politike, diplomatike dhe ekonomike.
Presidentja Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe përkrahjen reciproke në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
Ajo ka takuar edhe presidentët e dy shteteve që kanë iniciuar procesin e Brdo-Brijunit, Natasha Pirc Musar të Sllovenisë dhe Zoran Milanoviq të Kroacisë. Të dyve ua ka përcjellë mesazhin se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur dhe ka theksuar se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik dhe synim kryesor në fushën e sigurisë.
Në samit, Shiroka-Pula ka shprehur gatishmërinë që Kosova të jetë nikoqire e takimit të ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni, duke theksuar se kjo do të forconte dialogun dhe bashkëpunimin tonë rajonal, si dhe përkushtimin e përbashkët ndaj integrimit evropian.
Në samitin e Ohrit, krahas morën pjesë udhëheqësit shtetërorë edhe të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës-Hercegovinës dhe Serbisë.

T� tjera
-
“Skandaloze”, “kush bëri presion”, Rama i kërkon llogari policisë që s’lejoi muralin e Nënë Terezës në Prishtinë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pasi të premten mbrëm...
-
“Na kanë pru në një derexhe sa me iu thanë: “Vjedhni, po veç mos na leni pa rrymë si mbas luftës”- Dakaj shpërthen për reduktimet e rrymës
Gazetari Shkëlzen Dakaj gjatë podcastit me deputetin e Partisë Demokratike të...
-
LAJMI I FUNDIT: Dhjetë të lënduar pas aksidentit mes autobusit dhe kamionit në rrugën Pejë-Prishtinë
Dhjetë persona kanë mbetur të lënduar nga aksidenti mes autobusit dhe kamioni...
-
Ministri Ejup Maqedonci dekoron Bashkim Jasharin me Medaljen “Shërbim i Shquar” në Ditën e Forcës
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dekoruar Komandantin e Forcës së Sig...
-
“Me armë, fjalë e kamerë në shërbim të atdheu”, Musliu dhe Lushtaku vlerësojnë kontributin e veteranëve të UÇK-së dhe gazetarëve të luf*tës
Ganimete Musliu, së bashku me kryetarin e Komunës, Sami Lushtakun, kanë ndarë...
-
Cili ishte destinacioni final i dro*gës që u kapë në Kaçanik- Policia e Prokuroria dalin me detaje
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë njoftuar se tre pe...
-
A i lexojnë deputetët ligjet që votojnë? Eman Rrahmani tregon çfarë ndodhi në Kuvend kur përmendi sterilizimin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka ngritur pi...
-
Gjermania dhe Austria kërkojnë që TikTok të kalojë nën pronësi europiane
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Europa po kërkon të marrë kontrol...
-
Aksioni në Kaçanik, 136 kilogramë marih*uanë të sekuestruara, Sveçla: Nuk ka tolerime…
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e ...
-
Haxhiu takohet me përfaqësueset e strehimoreve, në fokus financimi i qëndrueshëm dhe mbështetja institucionale
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me p...
-
“Shkon Lumezi, vjen Elezi”, Gjini për Kurtin: Në pushtet ka ardhë Bylmezi, e dini në Prizren çka i bjen kjo
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, gjatë një takimi me qytetarë në Prizren, k...
-
Kurti njofton për hapjen e thirrjes për bursat e mobilitetit, studentët mund të përfitojnë varësisht nga distanca në kilometra
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Ministria e Arsimit dhe S...


































