Lajme

Gjermania dhe Austria kërkojnë që TikTok të kalojë nën pronësi europiane

Autori: Gazeta inFokus 17:53 | 27 November 2026

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Europa po kërkon të marrë kontrollin e operacioneve të TikTok.

Gjermania dhe Austria kanë propozuar që aktiviteti europian i platformës kineze të kalojë nën pronësi europiane, duke argumentuar se legjislacioni ekzistues nuk është i mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe kontrollin mbi algoritmet.

Nisma u prezantua pas një takimi në Vjenë mes ministrit gjerman të Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretarit austriak të Shtetit për Digjitalizimin, Alexander Pröll.

-Advertisement-

Dy vendet kërkojnë kontroll europian jo vetëm mbi kapitalin e kompanisë, por edhe mbi infrastrukturën teknologjike, përfshirë algoritmin e rekomandimit të përmbajtjeve dhe aksesin në të dhënat e përdoruesve.

TikTok numëron rreth 200 milionë përdorues në Europë, ndërsa afërsisht një e treta e popullsisë së Gjermanisë dhe Austrisë përdor platformën, duke e kthyer atë në një instrument të rëndësishëm të formimit të opinionit publik, veçanërisht mes të rinjve.

Gjermania dhe Austria synojnë të sigurojnë mbështetjen e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian në mbledhjen e Këshillit të Telekomunikacionit, më 2 dhjetor në Bruksel.

Më 6 nëntor, Komisioni Europian arriti në përfundimin paraprak se TikTok kishte shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA), për shkak të mënyrës se si algoritmi i platformës ekspozon përdoruesit ndaj përmbajtjeve potencialisht të dëmshme.

Europa kërkon të ndjekë modelin amerikan

Në janar të këtij viti, ByteDance, kompania kineze që zotëron TikTok, ia transferoi kontrollin e operacioneve amerikane një sipërmarrjeje të përbashkët me shumicë pronësie amerikane, për të shmangur ndalimin e platformës në SHBA.

Gjermania dhe Austria argumentojnë se një model i ngjashëm mund të forcojë sovranitetin digjital të Europës.

TikTok kundërshton propozimin

TikTok e ka kundërshtuar nismën, duke argumentuar se ajo shpërfill kuadrin rregullator europian dhe programin e kompanisë për sigurinë e të dhënave, Project Clover, me vlerë 12 miliardë euro.

Kompania thekson se operacionet e saj europiane menaxhohen nga subjekte të regjistruara në Irlandë dhe Britaninë e Madhe. Sipas TikTok, shumica e aksioneve të kompanisë mëmë, ByteDance, zotërohen nga investitorë institucionalë ndërkombëtarë, ndërsa qeveria kineze nuk zotëron aksione në të./ EURONEWS.

Planifikoni udhëtimin tuaj nga Köln në Prishtinë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy