Fokus

Inspektorët e sigurisë në KEK mbesin në këmbë – pa automjete i’u duhet të kontrollojnë 800 hektarë, dokumentet zbulojnë kushtet e rënda të punëtorëve

Autori: Hateme Smajli 15:24 | 24 November 2026

Jo vetëm punëtorët pa këpucë dhe çizme të reja pune për dy vjet e gjysmë, por edhe inspektorët përgjegjës për sigurinë e tyre pa kushtet elementare për kryerjen e detyrave.

Dokumentet e brendshme të Korporatës Energjetike të Kosovës, të siguruara nga Gazeta Infokus, zbulojnë se inspektorët e sigurisë në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit (DPQ) nuk kishin në dispozicion automjete të dedikuara për inspektime në terren.

Përkundër faktit se aktivitetet minerare shtriheshin në një sipërfaqe prej mbi 800 hektarësh, Departamenti i Sigurisë funksiononte me vetëm një automjet.

-Advertisement-

Madje, sipas deklarimeve të bëra në një takim me auditorët e brendshëm, edhe ky automjet, që i përkiste zjarrfikësve, ishte i pa mirëmbajtur dhe me goma të konsumuara.

Këto mangësi janë evidentuar në dokumentacionin e brendshëm të korporatës, të hartuar pas tri aksidenteve fatale gjatë korrikut dhe gushtit të vitit 2026, ku humbën jetën Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.

 

Inspektorëve ua kishin marrë automjetin që në vitin 2023

Në përmbledhjen e takimit të zhvilluar më 10 shtator 2026 me auditorët e brendshëm të KEK-ut, inspektorët kishin ngritur shqetësime për mungesën e kushteve elementare të punës.

Në faqen e tretë të këtij dokumenti thuhet: “Ne inspektorët nuk kemi automjet tereni. Automjetin na është marrë në vitin 2023 dhe i është dhënë Departamentit të Gjeodezisë.”

Ndërkohë, inspektori Kurtesh Berisha kishte treguar se stafi i sigurisë po funksiononte me një automjet të zjarrfikësve, i cili nuk ishte mirëmbajtur dhe kishte goma të konsumuara.

Në të njëjtin takim ishte diskutuar edhe zgjerimi i aktiviteteve minerare në Sibovc, kilometra larg zonës ku ishin zhvilluar më parë.

Me zgjerimin e aktiviteteve ishte rritur edhe numri i pajisjeve dhe vendeve që kërkonin kontroll, ndërkohë që kapacitetet e inspektimit vazhdonin të ishin të pamjaftueshme.

Pra, përderisa rritej hapësira që duhej të mbikëqyrej nga inspektorët e sigurisë, atyre u mungonin edhe mjetet elementare për të dalë në terren, shkruan Gazeta Infokus.

 

Kërkesa për blerjen e automjeteve ishte aprovuar në shkurt, por furnizimi nuk ishte realizuar

Mungesa e automjeteve nuk ishte një problem i panjohur për drejtuesit e korporatës.

Në dokumentin me vërejtjet ndaj draftit të dytë të auditimit të brendshëm, me numër 2026-AO-007, përmendet një kërkesë për blerjen e automjeteve për Departamentin e Sigurisë në Punë, e aprovuar nga menaxhmenti i DPQ-së më 19 shkurt 2026.

Megjithatë, sipas këtij dokumenti, menaxhmenti i lartë i KEK-ut nuk kishte iniciuar kërkesat për prokurimin e tyre.

“Departamenti i SP ka iniciuar kërkesat për blerjen e dy automjeteve te terenit, mirëpo menaxhmenti i larte nuk i ka iniciuar kërkesat për prokurim”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Infokus.

Në të njëjtën shkresë pretendohet se Departamentit të Sigurisë i mungonin rreth 66.66 për qind e automjeteve të nevojshme dhe 60 për qind e personelit profesional të inspektimit.

Kërkesa për automjete ishte aprovuar në nivel të divizionit disa muaj përpara se të ndodhnin tri aksidentet fatale të verës.

 

Një automjet iu mor, ndërsa tjetri doli jashtë përdorimit pas një aksidenti

Në vërejtjet ndaj draftit të auditimit jepen edhe arsyet se si Departamenti i Sigurisë kishte mbetur me vetëm një automjet.

Sipas dokumentit, departamenti më parë kishte pasur edhe dy automjete të tjera.

Njëri i ishte marrë në vitin 2023 dhe i ishte dhënë Departamentit të Gjeodezisë, ndërsa automjeti tjetër kishte dalë jashtë përdorimit për shkak të dëmtimeve të pësuara në një aksident.

“Me kapacitetit aktual profesional dhe me vetëm një automjet kane funksionuar te gjithë sektorët e Departamentit”, thuhet në dokument.

Në këto vërejtje pretendohet gjithashtu se edhe drejtoresha e auditimit ishte njoftuar për mungesën e stafit dhe automjeteve përpara aksidenteve fatale.

 

 

Në termocentrale menaxherët me automjete 24 orë, në minierë inspektorët në këmbë

Në takimin e 10 shtatorit me auditorët, menaxheri i sigurisë, Enver Hoxha, kishte ngritur edhe çështjen e dallimeve në trajtimin e departamenteve të sigurisë brenda korporatës.

Ai kishte përmendur se menaxherët e sigurisë në termocentralet Kosova A dhe Kosova B kishin automjete në dispozicion 24 orë.

Sipas përmbledhjes së takimit, drejtoresha e auditimit kishte sugjeruar që kërkesa për automjete t’i drejtohej nivelit më të lartë të menaxhmentit.

Në përfundimet e këtij takimi ishte përfshirë edhe nevoja për furnizimin e inspektorëve me automjete dhe pajisje pune.

Megjithatë, nga dokumentacioni i analizuar nuk rezulton një konfirmim se Departamenti i Sigurisë është furnizuar më pas me automjetet e kërkuara.

Mbetet të sqarohet nga KEK-u se përse inspektorëve u ishte marrë automjeti në vitin 2023, përse nuk ishin siguruar automjete zëvendësuese dhe çfarë kishte ndodhur me kërkesën e aprovuar në shkurt të vitit 2026.

Mungesa e automjeteve është vetëm një nga problemet e evidentuara në dokumentacionin e siguruar nga Gazeta Infokus.

Për më shumë se dy vjet, menaxhmenti i KEK-ut ishte paralajmëruar për mungesën e inspektorëve, inspektimet e pakryera dhe rreziqet për sigurinë e punëtorëve, ndërsa shumë prej këtyre mangësive kishin mbetur të pazgjidhura.

Gazeta Infokus, përmes një hulumtimi të gjerë të bazuar në dokumente të brendshme të KEK-ut, ka nxjerrë në pah mangësi serioze në sigurimin e kushteve elementare të punës dhe në zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve të cilin mund ta lexoni më poshtë.

/Gazeta Infokus

HULUMTIM PËR VDEKJET E PUNËTORËVE NË KEK: Si i neglizhoi vazhdimisht menaxhmenti paralajmërimet për rrezikimin e jetës së tyre (DOKUMENTE)

HULUMTIM PËR VDEKJET E PUNËTORËVE NË KEK: Si i neglizhoi vazhdimisht menaxhmenti paralajmërimet për rrezikimin e jetës së tyre (DOKUMENTE)

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy