Fokus

Punëtorët e KEK-ut dy vjet e gjysmë pa këpucë e çizme pune, dokumentet zbulojnë një mal mangësish në kushtet e punës vetëm pasi tre punëtorë humbën jetën

Autori: Hateme Smajli 14:08 | 23 November 2026

Një hulumtim i gjatë i Gazeta Infokus nxjerri në pah kushtet e rënda me të cilat përballen punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Hulumtimi zbuloi se për më shumë se dy vjet, menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ishte paralajmëruar për mungesën e inspektorëve, inspektimet e pakryera, rreziqet për sigurinë e punëtorëve dhe mungesën e pajisjeve të nevojshme për kryerjen e punëve.

Tri vdekje të punëtorëve brenda vetëm dy muajve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) gjatë verës së vitit 2026 tronditen Koosvën. Por, përtej këtyre tragjedive, dokumentet e brendshme të korporatës zbulojnë edhe një problem tjetër shqetësues për kushtet e sigurisë në punë: punëtorët e Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ) kishin mbetur për rreth dy vjet e gjysmë pa furnizim me këpucë dhe çizme të reja mbrojtëse, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Milazim Binaku humbi jetën më 8 korrik, Haxhi Gojnovci më 16 gusht dhe Arbenit Ahmeti më 20 gusht. Pas këtyre ngjarjeve, raportet e brendshme të KEK-ut evidentuan një varg mangësish në kushtet e punës, përfshirë mungesën e pajisjeve personale mbrojtëse, për të cilat kërkohej ndërhyrje nga menaxhmenti.

Në përmbledhjen e një takimi të zhvilluar më 10 shtator 2026 me auditorët e brendshëm, të siguruar nga Gazeta Infokus, mungesa e këpucëve dhe çizmeve të punës evidentohet si problem që kishte vazhduar prej vitesh.

Sipas dokumentit, vonesat lidheshin me procedurat e prokurimit, kontratat kornizë dhe një ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ndërkohë, edhe Nënkomiteti i Sigurisë në DPQ, në raportin e tij të shtatorit, kishte kërkuar furnizimin e punëtorëve me pajisjet e nevojshme mbrojtëse.

 

Punëtorët pa çizme dhe këpucë pune për më shumë se 2 vjet

Sipas të njëjtës përmbledhje, kjo çështje ishte ngritur nga drejtori, menaxheri dhe inspektorët e sigurisë.

Ndërkaq, në faqen e tretë të dokumentit jepen edhe arsyet që ishin përmendur për mungesën e furnizimit.

“Çizmet dhe këpucët e punës nuk janë siguruar për rreth 2,5 vjet, pjesërisht për shkak të vonesave me kontratat kornizë dhe të një ankese në OSHP. Tenderi tani është gati për publikim”, thuhet në përmbledhjen e takimit.

Por mungesa e pajisjeve nuk ishte evidentuar vetëm në këtë dokument.

 

Nënkomiteti i Sigurisë kërkoi furnizim urgjent të punëtorëve

Në raportin nr. 893, të protokolluar më 2 shtator 2026, Nënkomiteti i Sigurisë në DPQ kishte evidentuar mungesën e pajisjeve personale mbrojtëse.

Në pjesën e titulluar “Mungesë e pajisjeve personale në punë”, raporti konstaton:

“Mungojnë pajisjet personale mbrojtëse ne pune konkretisht kepuce pune dhe çizme pune, me te cilat duhet te furnizohen punëmarresit sepse ka vite qe nuk jane furnizuar.”

Nënkomiteti, i cili kishte shqyrtuar gjendjen e sigurisë pas tri aksidenteve fatale, kërkoi që menaxhmenti të ndërmerrte masa për furnizimin e punëtorëve.

Në rekomandimet e raportit thuhet:

“Te furnizohen te gjithë punëmarrësit me pajisje personale mbrojtëse ne punë”.

Raporti përmban edhe një kërkesë të drejtpërdrejtë ndaj drejtuesve të korporatës:

“Menaxhmenti i KEK-ut obligohet sa ma shpejt te jete e mundur ta publikoi tenderin për furnizim me këpucë pune dhe çizme pune sepse punëtoret nuk janë furnizuar me këto pajisje.”

Kështu, dy dokumente të brendshme të KEK-ut, të hartuara në periudha të afërta, evidentojnë të njëjtin problem: mungesën e furnizimit të punëtorëve me këpucë dhe çizme pune.

E të dyja këto raporte u bënë pas vdekjeve tragjikë të verës në korporatë.

Përmbledhja e takimit me auditorët përmend një periudhë prej rreth dy vjetësh e gjysmë, ndërsa raporti i Nënkomitetit konstaton se furnizimi nuk ishte realizuar prej vitesh.

Megjithatë, dokumentet e analizuara nuk përcaktojnë numrin e saktë të punëtorëve të prekur, nëse disa prej tyre kishin marrë furnizime të pjesshme apo nëse procedurat e prokurimit janë përfunduar pas shtatorit 2026.

Mbetet të sqarohet nga KEK-u përse furnizimi me pajisje mbrojtëse ishte vonuar për një periudhë kaq të gjatë, kur ishte realizuar furnizimi i fundit dhe çfarë masash janë ndërmarrë pas rekomandimeve të Nënkomitetit të Sigurisë.

 

Pasi humbën jetën tre punëtorë, KEK-u hapi tender mbi gjysmë milioni euro për këpucë dhe çizme pune

Vetëm pas tri aksidenteve fatale të verës, më 3 shtator 2026, Korporata Energjetike e Kosovës publikoi një tender për furnizim me pajisje personale mbrojtëse, me vlerë të parashikuar prej 506 mijë e 914 eurosh.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën elektronike të prokurimit publik, aktiviteti me numër KEK-26-7283-1-1-1 ishte ndarë në dy lote.

Loti i parë përfshinte furnizimin me këpucë pune sigurie të thella dhe të cekëta, ndërsa loti i dytë furnizimin me çizme sigurie prej gome të kategorisë S5 SRC.

Tenderi u publikua vetëm një ditë pas protokollimit të raportit të Nënkomitetit të Sigurisë, i cili kishte kërkuar nga menaxhmenti që të shpallte sa më shpejt procedurën për furnizimin e punëtorëve.

Në dokumentacionin e prokurimit figurojnë edhe zhvillime të mëvonshme procedurale, përfshirë kërkesë për rishqyrtim dhe dokumente që lidhen me pezullimin e aktivitetit.

B05 Njoftim per Kontrat

Nga informacionet e verifikuara nuk rezulton ende një konfirmim përfundimtar se kontrata është nënshkruar dhe se këpucët e çizmet janë dorëzuar te punëtorët.

Për këtë arsye, mbetet të sqarohet nga KEK-u nëse tenderi është finalizuar, kur është realizuar furnizimi dhe sa punëtorë kanë përfituar nga pajisjet e reja mbrojtëse./Gazeta Infokus

 

HULUMTIM PËR VDEKJET E PUNËTORËVE NË KEK: Si i neglizhoi vazhdimisht menaxhmenti paralajmërimet për rrezikimin e jetës së tyre (DOKUMENTE)

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy