Vikend për t’ia kushtuar këtij skandali: Fondet e BERZH-it për çerdhe e shkolla u shpenzuan për fasada – Keqpërdorimet në vlerë 2.18 milionë euro në Komunën e Përparim Ramës
Autori: Gazeta inFokus
11:07 | 14 November 2026
Një vikend për t’ia kushtuar kohën një skandali të dokumentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Paratë e destinuara për përmirësimin e kushteve në çerdhe, kopshte, shkolla dhe qendra shëndetësore në Prishtinë janë shpenzuar për fasadimin e ndërtesave të tjera, ndriçim publik, rrethoja rrugësh e menaxhim mbeturinash.
Bëhet fjalë për mbi 2.18 milionë euro pagesa jashtë destinimit, të identifikuara nga auditori në kuadër të projektit prej 5 milionë eurosh, të financuar përmes marrëveshjes së kredisë me BERZH-in.
Gazeta Infokus sjell të zbërthyera gjetjet e draft-raportit të auditimit, kontratat, shumat e paguara, mënyrën e realizimit të pagesave dhe përgjegjësitë institucionale që dalin nga dokumenti.
Mbi 2.1 milionë euro nga fondet e destinuara për përmirësimin e kushteve në çerdhe, shkolla dhe objekte shëndetësore në Prishtinë janë shpenzuar për projekte të tjera, përfshirë fasadimin e ndërtesave të vjetra, ndriçimin publik, rrethojat e rrugëve dhe menaxhimin e mbeturinave. Këto janë gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila ka konstatuar se Komuna e Prishtinës ka realizuar 21 pagesa në kundërshtim me kushtet e marrëveshjes së financimit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Paratë ishin pjesë e një kredie prej 5 milionë eurosh, të miratuar për investime në efiçiencën e energjisë në 47 objekte publike të kryeqytetit. Projekti parashihte përmirësimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik dhe ndërrimin e dritareve e dyerve në kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor.
Por, në vend që fondet të përdoreshin sipas këtij destinimi, auditori ka identifikuar pagesa në vlerë prej 2,180,417 eurosh për gjashtë grupe projektesh që nuk përputheshin me marrëveshjen e kredisë.
Këto konstatime janë përfshirë në draft-raportin e auditimit të pajtueshmërisë për periudhën janar 2024 – prill 2026, të cilin e ka siguruar Gazeta Infokus.
Në dokument, auditori konstaton se Komuna e Prishtinës nuk i ka menaxhuar fondet në përputhje me marrëveshjen e huas me BERZH-in, duke evidentuar shkelje në destinimin e mjeteve, mënyrën e pagesave dhe kontrollin financiar.
Nga gjithsej 2,225,222 euro pagesa të raportuara për projektin gjatë periudhës së audituar, rreth 98 për qind janë identifikuar si pagesa të parregullta në raport me marrëveshjen.
827 mijë euro për efiçiencë energjetike, auditori zbulon se u fasaduan ndërtesa të tjera
Një nga gjetjet më të rëndësishme të raportit lidhet me dy kontrata që mbanin emërtimin “Efiçienca e Energjisë në ndërtesat publike”.
Përmes këtyre kontratave, Komuna kishte realizuar shtatë pagesa në vlerë prej 827,911 eurosh.
Për kontratën e parë, Lot 1, janë paguar 560,572 euro, ndërsa për Lot 2 janë paguar 267,339 euro.
Megjithatë, pas shqyrtimit të ditarëve të punimeve, fotografive dhe ekzaminimit fizik, auditorët kanë konstatuar se punimet kishin të bënin me fasadimin e ndërtesave të vjetra në kryeqytet, të cilat nuk ishin pjesë e listës së objekteve të parapara në marrëveshjen e BERZH-it, shkruan Infokus.
Raporti thekson se ky aktivitet nuk ishte përfshirë as në Ligjin e Buxhetit, ndërsa deklarata e disponueshmërisë së fondeve për inicimin e prokurimit ishte mbështetur në buxhetin e projektit të huamarrjes.
Kjo do të thotë se mjetet e planifikuara për ndërhyrje në objektet publike të përfshira në marrëveshjen ndërkombëtare janë përdorur për punime në ndërtesa të tjera.
Edhe 441 mijë euro të tjera për fasadimin e ndërtesave të vjetra
Përveç këtyre dy kontratave, auditori ka identifikuar edhe gjashtë pagesa të tjera, në vlerë prej 441,025 eurosh, për kontratën “Fasadimi i ndërtesave të vjetra në kryeqytet si dhe ofrimi i shërbimeve”.
Edhe për këtë projekt, ZKA ka konstatuar se ndërtesat ku janë kryer punimet nuk ishin pjesë e objekteve të përcaktuara në marrëveshjen e kredisë.
Në raport thuhet se projekti nuk ishte përfshirë në Ligjin e Buxhetit dhe se inicimi i procedurave të prokurimit ishte mbështetur në fondet e huamarrjes.
Vetëm këto dy grupe kontratash, që sipas auditorëve lidhen me fasadimin e ndërtesave jashtë marrëveshjes, kapin vlerën 1,268,936 euro.
700 mijë euro nga kredia e BERZH-it për ndriçim publik
Një tjetër gjetje lidhet me projektin për ndërtimin, zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të ndriçimit publik.
Sipas raportit, Komuna ka kryer katër pagesa në vlerë prej 700,374 eurosh nga fondet e projektit të efiçiencës së energjisë.
Prej tyre, 470,315 euro janë paguar për Lot 1, 120,059 euro për Lot 4 dhe 110 mijë euro për Lot 3.
Auditori konstaton se ndriçimi publik nuk ishte pjesë e marrëveshjes së kredisë me BERZH-in.
Për më tepër, projekti kishte qenë i planifikuar në Ligjin e Buxhetit dhe ishte paraparë të financohej nga të hyrat vetanake të Komunës.
Në raport theksohet se buxheti i këtij projekti ishte shpenzuar edhe për qëllime të tjera.
Nga kredia për ndërtesat publike u paguan edhe rrethoja rrugësh e mbeturina
Shpenzimet jashtë destinimit nuk përfundojnë me fasadat dhe ndriçimin publik.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar edhe një pagesë prej 48,089 eurosh për kontratën “Ndërtimi i rrethojave për siguri në komunikacion”.
Po ashtu, një pagesë tjetër prej 38,748 eurosh është realizuar për grumbullimin, transportin dhe deponimin e mbeturinave komunale.
Të dyja këto pagesa janë regjistruar në kodin e projektit kapital për efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike.
Një tjetër rast i evidentuar lidhet me bashkëfinancimin e projektit për përmirësimin e efiçiencës në një ndërtesë shumëbanesore sociale, në bashkëpunim me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Kontributi komunal prej 124,269 eurosh ishte paraparë të mbulohej nga buxheti i rregullt i Komunës, por auditori konstaton se për këtë qëllim janë përdorur fondet e marrëveshjes me BERZH-in.
Pagesat u iniciuan nga Drejtoria e Shërbimeve Publike
Raporti identifikon edhe njësinë komunale prej nga janë iniciuar kërkesat për pagesa.
Sipas ZKA-së, kërkesat për pagesat e konstatuara janë iniciuar nga Drejtoria Komunale e Shërbimeve Publike.
Ndërkohë, Njësia për Zbatimin e Projektit, e cila duhej të koordinonte realizimin e projektit të financuar nga BERZH-i, nuk ishte informuar se Komuna po realizonte pagesa për qëllime të tjera nga fondet e huamarrjes.
Auditorët konstatojnë gjithashtu se kjo njësi ishte funksionalizuar pa një vendim zyrtar për themelimin e saj.
Personeli ishte caktuar përmes komunikimeve elektronike, pa dokumente formale që përcaktonin qartë detyrat dhe përgjegjësitë.
Kjo, sipas raportit, kishte dobësuar kontrollin, mbikëqyrjen dhe mundësinë e identifikimit të përgjegjësive për menaxhimin e fondeve.
Auditori zbulon edhe devijimin nga procedura e pagesave
Një tjetër shkelje e konstatuar lidhet me mënyrën se si janë realizuar pagesat.
Marrëveshja me BERZH-in parashihte një mekanizëm të pagesave direkte për kontraktorët, sipas procedurave të financimit të projektit.
Por Komuna, sipas auditorëve, i ka realizuar pagesat përmes Llogarisë së Vetme të Thesarit.
Në draft-raport konstatohet se mundësia teknike për regjistrimin kontabël të fondeve në sistemin financiar është përdorur për të realizuar pagesa, edhe pse ky nuk ishte mekanizmi i paraparë në marrëveshjen e huas.
Kjo ka krijuar rrezikun që shpenzimet e realizuara të mos pranohen nga huadhënësi.
Raportime të paharmonizuara edhe në Ministrinë e Financave
Probleme janë identifikuar edhe në monitorimin dhe raportimin financiar.
Sipas auditorëve, Departamenti i Financimit në Ministrinë e Financave kishte raportuar zero shpenzime për projektin në raportet tremujore të vitit 2025.
Ndërkaq, evidencat e Thesarit dhe dokumentet e tjera buxhetore paraqisnin shpenzime të realizuara.
Në raport konstatohet se mungesa e koordinimit ndërmjet njësive të Ministrisë dhe raportimi jo i saktë nga Komuna kishin shkaktuar paqartësi në informacionet financiare.
Auditori kërkon kthimin e parave
Pas konstatimit të këtyre parregullsive, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Prishtinës ndërprerjen e përdorimit të fondeve të huamarrjes për qëllime të tjera.
ZKA kërkon identifikimin dhe dokumentimin e plotë të mjeteve të shpenzuara jashtë destinimit, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për kthimin e tyre.
Auditorët kërkojnë gjithashtu analizimin e pasojave financiare dhe kontraktuale, identifikimin e përgjegjësive të zyrtarëve të përfshirë dhe forcimin e kontrolleve të brendshme.
Ministrisë së Financave i është rekomanduar që, në koordinim me BERZH-in, të vlerësojë pasojat juridike dhe financiare për shtetin.
Komuna e Prishtinës kundërshton gjetje të auditimit
Në komentet e përfshira në draft-raport, Komuna e Prishtinës nuk pajtohet me disa prej konstatimeve të auditorëve.
Për çështjen e Njësisë Zbatuese të Projektit, Komuna ka argumentuar se kjo njësi ka funksionuar në koordinim me BERZH-in dhe Ministrinë e Financave, pavarësisht mungesës së një vendimi të veçantë administrativ.
Komuna ka kërkuar gjithashtu shqyrtimin e rolit të Ministrisë së Financave dhe Thesarit në kontrollin e pagesave.
Në dokument, Komuna përmend edhe hapa për trajtimin e obligimeve financiare dhe mundësinë e mbulimit të tyre nga të hyrat vetanake.
Megjithatë, ZKA nuk i ka ndryshuar konstatimet e kundërshtuara në këtë draft.
Projekti për 47 objekte publike shtyhet deri në vitin 2027
Kredia prej 5 milionë eurosh ishte nënshkruar në prill të vitit 2022, ndërsa marrëveshja e nënhuazimit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Komunës së Prishtinës ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2023.
Projekti kishte edhe një grant investues të paraparë deri në 1 milion euro, duke e çuar vlerën e planifikuar të investimit në 6 milionë euro.
Punimet për përmirësimin e kushteve në objektet publike ishin planifikuar të përfundonin në dhjetor 2025.
Por, për shkak të vonesave, afati është zgjatur deri në dhjetor të vitit 2027.
Kështu, projekti që parashihte investime në çerdhe, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor vazhdon të mbetet i papërfunduar sipas afatit fillestar, ndërsa auditorët kanë konstatuar se mbi 2.1 milionë euro janë përdorur në kundërshtim me destinimin e marrëveshjes së financimit.
Gjetjet e ZKA-së janë përfshirë në një draft-raport të auditimit të pajtueshmërisë për periudhën 2024–2026. Raporti konstaton parregullsi financiare dhe administrative, ndërsa nuk përcakton përgjegjësi penale individuale. /Gazeta Infokus/
2026_e04d15ef-00e6-48df-941f-838276088cad

T� tjera
-
Nagavci me kritika të ashpra ndaj Zemajt: Më vjen keq për atë që është e çfarë përfaqëson
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ashpër ndaj gj...
-
Çelen punimet e Asamblesë, Rama ndërpret sinjalin për mediat: Ndjesë, por dua të ndaj disa fjalë me familjen time politike
Ka nisur në 10:00 Asambleja e PS në Lalëz të Durrësit, ku Sekretari i Përgjit...
-
Dyshohet se kaluan ilegalisht kufirin, dy persona kapen në Istog
Policia ka ndaluar dy persona në fshatin Sine të Istogut, të cilët dyshohet s...
-
Ndeshja Kosovë-Izrael, Policia paralajmëron masa të shtuara sigurie dhe ndërprerje të trafikut
Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ të sigurisë për ndeshjen ndërm...
-
71 aksidente trafiku, 26 persona të lënduar brenda 24 orëve
Policia e Kosovës ka shqiptuar 1 mijë e 913 tiketa trafiku gjatë 24 orëve të ...
-
Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi hyjnë në BE, si preken qytetarët dhe bizneset në Kosovë?
Brenda pak vitesh, kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) mund të shndë...
-
Dhjetë raste të dhu*nës në familje brenda 24 orëve, arrestohen disa persona
Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në disa qytete të Kosovës, p...
-
Rikthehen fluturimet në SHBA pas kaosit në aeroporte – rreth 10 mijë anulime për shkak të një defekti në sistemin e trafikut ajror
Sipas faqes së internetit për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24, deri të ...
-
Tentoi ta godasë policin me veturë dhe sulmoi një tjetër, arrestohet i dyshuari në Vushtrri
Një person është arrestuar në Vushtrri, pasi dyshohet se tentoi ta godasë me ...
-
DW: Rreziqet e rishikimit të arkitekturës së sigurisë së Europës
Ekspertët paralajmërojnë kundër rishikimit të arkitekturës së sigurisë së Evr...
-
Rama mbledh Asamblenë e PS-së, priten diskutime për çështje të rëndësishme
Partia Socialiste e Shqipërisë do të mbledh sot, në orën 10:30, Asamblenë Kom...
-
“Punime të domosdoshme”, këto vende mbesin pa rrymë sot e nesër
KEDS ka njoftuar se sot dhe nesër do të kryhen disa “punime të domosdoshme”, ...

































