DW: Rreziqet e rishikimit të arkitekturës së sigurisë së Europës
Autori: Gazeta inFokus
09:24 | 14 November 2026
Ekspertët paralajmërojnë kundër rishikimit të arkitekturës së sigurisë së Evropës, pasi kjo do të nënkuptonte plotësimin e një kërkese të hershme të Moskës për rinegociimin e rendit të sigurisë pas Luftës së II Botërore.
Deri tani, udhëheqësit evropianë kanë arritur kompromise në përgjigje të shumë prej kërkesave të presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Por ata u befasuan kur dëgjuan Trumpin të thoshte se kishte diskutuar me zyrtarët rusë edhe për arkitekturën e sigurisë së Evropës.
“Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe do të përfshijë më shumë sesa vetëm Ukrainën”, tha Trump pas takimit javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë me të dërguarin e presidentit rus, Kirill Dmitriev.
Ai tha se marrëveshja mund të përfshijë të gjithë Evropën. Por se çfarë nënkuptonte me “të gjithë Evropën” mbeti e paqartë.
Edhe i dërguari amerikan Jared Kushner shkroi, se Evropa dhe Rusia kanë pasur vështirësi për më shumë se 30 vjet për të krijuar një arkitekturë të qëndrueshme sigurie.
Kushner tha, se po shqyrtonte një arkitekturë “më të gjerë” evropiane, para se të nisej për t’u takuar me përfaqësues rusë dhe ukrainas në Abu Dabi.
Diplomatët evropianë reaguan menjëherë kundër qasjes së Uashingtonit për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë. Ata druhen se një marrëveshje e tillë mund të rivendosë sferën e ndikimit të Rusisë dhe të dobësojë NATO-n.
“Ne tashmë kemi një arkitekturë evropiane të sigurisë. NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë secili rolin e vet. Duhet të sigurohemi që Ukraina të integrohet në këtë arkitekturë”, tha Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Problemi me rishikimin e arkitekturës së sigurisë së Evropës të pasluftës
Rusia e bëri të qartë gjatë bisedimeve në Abu Dabi në fillim të kësaj jave se dëshironte të diskutonte një arkitekturë më të gjerë të sigurisë evropiane, përpara se të trajtoheshin çështjet konkrete të luftës.
“Formulimet për arkitekturën e sigurisë evropiane janë padyshim pjesë e argumenteve të Rusisë dhe jo vetëm kaq, por deri në njëfarë mase edhe pjesë e përpjekjeve propagandistike në media për ta paraqitur luftën ashtu siç dëshiron Rusia”, tha Michael Kimmage, historian i Luftës së Ftohtë.
Udhëheqësit rusë, përfshirë Vladimir Putinin, prej kohësh pretendojnë se SHBA-ja dhe NATO-ja kanë shkelur vazhdimisht premtimet e bëra në fillim të viteve 1990 për të mos e zgjeruar aleancën drejt vendeve të ish-bllokut sovjetik.
Ata e kanë parë zgjerimin e NATO-s gjatë kësaj periudhe si diçka që e vendosi Rusinë në një pozitë poshtëruese, ku ajo mund të bënte shumë pak.
Në të njëjtën kohë, në vitet 1990, projekti evropian solli krijimin e Bashkimit Evropian, tregun e përbashkët që garantoi lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve ndërmjet shteteve anëtare, Marrëveshjen e Shengenit për udhëtimin pa kontrolle kufitare dhe monedhën euro.
Ideja themelore ishte përhapja dhe garantimi i paqes në të gjithë kontinentin. “Evropa mund të nënkuptojë shumë gjëra, por projekti evropian nuk u krijua për luftë. Ai u krijua për paqe”, tha Kimmage.
Gjatë kësaj periudhe pati madje edhe propozime që Rusia të bëhej anëtare e NATO-s.
Por kjo periudhë stabiliteti relativ mori fund pasi Rusia pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008, aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022.
“Rusia dëshiron ta riformësojë gjithë këtë me forcë. Dhe mendoj se kjo është thelbësisht e papranueshme për Evropën, pavarësisht gjithë diversitetit dhe dallimeve që ekzistojnë brenda saj lidhur me atë që konsiderohet e pranueshme dhe e papranueshme. Mendoj se ndryshimi në shkallë të gjerë i kufijve me forcë thjesht nuk është pjesë e projektit evropian”, tha Kimmage.
“Për sa kohë që ndryshimi i kufijve me forcë është elementi thelbësor i politikës së jashtme ruse, dhe mendoj se kjo mund të argumentohet fare lehtë, Rusia dhe Evropa ndodhen në një rrugë pa krye”, shtoi ai.
Çfarë do të ndodhte me sigurinë e Ukrainës?
Administrata Trump u përpoq shumë shpejt të siguronte se “institucionet ekzistuese evropiane të sigurisë” do të mbeteshin të paprekura. Jared Kushner tha të enjten (12.11.2026) vonë se në raundin e ardhshëm të negociatave do të përfshiheshin edhe “partnerët tanë evropianë”.
Kushner, së bashku me Steve Witkoff, udhëtoi në Moskë për bisedime me Putinin pas negociatave në Abu Dabi. Më pas ata fluturuan drejt Dublinit në Irlandë për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr
Të enjten, Kushner kishte sinjalizuar më herët disa plane “vërtet të jashtëzakonshme” për Ukrainën e pasluftës, duke thënë se ato nuk mund të finalizoheshin pa evropianët në tryezën e bisedimeve.
“Nuk duhet të lejojmë një diktat nga Rusia që do të çonte në një lloj neutralizimi apo reduktimi të ndjeshëm të forcave ushtarake të Ukrainës në të ardhmen, sepse kjo do ta bënte Ukrainën jashtëzakonisht të cenueshme ndaj agresioneve dhe presioneve të ardhshme nga Rusia”, tha Hiski Haukkala, drejtor i Institutit Finlandez për Çështjet Ndërkombëtare.
Kjo do të nënkuptonte gjithashtu që Ukraina të varej tërësisht nga garancitë e sigurisë që SHBA-ja ose vendet evropiane janë në gjendje dhe të gatshme t’i ofrojnë.
“Ne po e mbështesim Ukrainën, sepse mbështesim të drejtën ndërkombëtare dhe normat themelore të sjelljes së përgjegjshme dhe të sigurisë ndërkombëtare kur bëhet fjalë për arkitekturën evropiane të sigurisë. Kjo është pikënisja mbi të cilën bazohet veprimi ynë”, tha ai.
Bashkimi Evropian ka theksuar vazhdimisht disa prej marrëveshjeve dhe dokumenteve themelore që Rusia ka shkelur, ndër to:
Karta e Kombeve të Bashkuara.
Akti Final i Helsinkit i vitit 1975, i cili përcaktoi dhjetë parimet bazë të sigurisë evropiane, duke përfshirë mosushtrimin e forcës apo kërcënimit me forcë kundër integritetit territorial.
Karta e Parisit për një Evropë të Re, e cila u mbështet në angazhimet e Helsinkit.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), një nga forumet e pakta shumëpalëshe të sigurisë, ku Perëndimi dhe Rusia zhvillonin dialog.
Memorandumi i Budapestit i vitit 1994, me të cilin Rusia, SHBA-ja dhe Britania e Madhe i dhanë Ukrainës dhe vendeve të tjera garanci sigurie në këmbim të heqjes dorë nga armët e tyre bërthamore. “Rusia u largua nga këto parime dhe gjatë këtij procesi i shkërmoqi ato. Ajo nuk është e interesuar për rivendosjen e rendit të mëparshëm të arkitekturës së sigurisë. Ajo dëshiron diçka tjetër në vend të tij. Dhe për sa kohë që kjo nuk është në tryezë, mënyra ruse e negocimit është zhvillimi i luftës. Lufta është një formë pazari”, tha Haukkala.
“Ata po sinjalizojnë një synim strategjik për të ndryshuar strukturën e sigurisë evropiane, për ta nënshtruar Ukrainën dhe për të ndryshuar vetë thelbin e sigurisë së Evropës”, shtoi ai.
Cila është rruga përpara?
Daniel Fried, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane gjatë administratës së George W. Bush, tha se Rusia është shumë e aftë t’u qëndrojë kërkesave të saj. Sipas tij, rusët dinë të negociojnë, por “tani për tani ata nuk po negociojnë”, tha ai duke iu referuar bisedimeve në Abu Dabi.
Disa ekspertë thanë, se aktualisht nuk ekziston mundësia për të krijuar një arkitekturë të re sigurie së bashku me Rusinë, sepse mungojnë si besimi, ashtu edhe një vizion i përbashkët mbi të cilin mund të ndërtohen marrëdhëniet me të.
Ekspertë të tjerë, si Balazs Jarabik, specialist i politikës postsovjetike, thonë se Rusia është pjesë e arkitekturës evropiane të sigurisë, pavarësisht nëse evropianëve u pëlqen kjo apo jo.
“Dhe pyetja është nëse ajo përfshihet si armikja jonë. Është e qartë se Rusia nuk do të jetë partnere, apo jo? Duhet të gjejmë një mënyrë bashkëjetese për të zvogëluar rrezikun e një përshkallëzimi horizontal dhe potencialisht të një lufte më të madhe evropiane, madje edhe më të madhe se ajo që kemi tani.”
Edhe një numër udhëheqësish evropianë hodhën poshtë të premten (13.11.2026) kërkesat ruse për të diskutuar arkitekturën e sigurisë së Evropës. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha, se Berlini synon të organizojë një takim të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, për të siguruar financimin e mbrojtjes së Ukrainës dhe për të arritur një qëndrim të përbashkët lidhur me negociatat e ardhshme të paqes./DW

T� tjera
-
Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi hyjnë në BE, si preken qytetarët dhe bizneset në Kosovë?
Brenda pak vitesh, kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) mund të shndë...
-
Dhjetë raste të dhu*nës në familje brenda 24 orëve, arrestohen disa persona
Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në disa qytete të Kosovës, p...
-
Rikthehen fluturimet në SHBA pas kaosit në aeroporte – rreth 10 mijë anulime për shkak të një defekti në sistemin e trafikut ajror
Sipas faqes së internetit për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24, deri të ...
-
Tentoi ta godasë policin me veturë dhe sulmoi një tjetër, arrestohet i dyshuari në Vushtrri
Një person është arrestuar në Vushtrri, pasi dyshohet se tentoi ta godasë me ...
-
Rama mbledh Asamblenë e PS-së, priten diskutime për çështje të rëndësishme
Partia Socialiste e Shqipërisë do të mbledh sot, në orën 10:30, Asamblenë Kom...
-
“Punime të domosdoshme”, këto vende mbesin pa rrymë sot e nesër
KEDS ka njoftuar se sot dhe nesër do të kryhen disa “punime të domosdoshme”, ...
-
Gjermani: Çfarë parashikon reforma e shërbimeve sekrete?
Shërbimet sekrete gjermane në të ardhmen do të kenë të drejtë të bëjnë më shu...
-
Parashikimi i motit për të shtunën
Të shtunën parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit të fillojë depër...
-
Pasagjerët mbesin të bllokuar në aeroplanë në Los Angeles
Një pasagjer i bllokuar në një aeroplan në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Ang...
-
Kosova shpreh përkushtimin për bashkëpunim rajonal në fushën e migracionit
Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka marrë pjesë ...
-
Ndalohen nisjet e avionëve, kaos në aeroportet e SHBA. Sekretari i Transportit: Problem në të gjitha qendrat e kontrollit
Administrata Federale e Aviacionit në Shtetet e Bashkuara ka urdhëruar pezull...
-
Pezullohen të gjitha fluturimet në ShBA
Të gjitha fluturimet brenda Shteteve të Bashkuara janë pezulluar deri në një ...


































