Lajme

Pasi Kurti foli për 171 mjekë të kthyer, Këshilltari i Vitisë “saktëson”: 12 u kthyen në Kosovë, 159 janë licensuar

Autori: Gazeta inFokus 12:45 | 09 November 2026

Durim Elshani, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia ka mbrojtur deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se 171 mjekë janë kthyer nga Europa në Kosovë gjatë vitit 2025.

Ai shkroi në një postim në Facebook se nga 171, 12 profesionistë u kthyen në Kosovë për të punuar.

“Për informim, Sipas të dhënave të siguruara nga Bordi për Licencimin e Profesionistëve të Huaj Shëndetësorë, gjatë vitit 2025 janë licencuar gjithsej 171 profesionistë shëndetësorë shqiptarë, kryesisht nga Kosova, por edhe nga trevat e tjera shqiptare. Nga këta, 12 janë profesionistë shëndetësorë shqiptarë me nënshtetësi të Kosovës, që pas përfundimit të specializimit në vendet evropiane janë kthyer për të punuar në Kosovë. 159 të tjerë janë profesionistë shëndetësorë shqiptarë me nënshtetësi të huaj ose me dy nënshtetësi, të cilët janë pajisur me licencë nga Bordi për Shkollim Specialistik për të punuar dhe vepruar në Republikën e Kosovës”, shkroi ai.

-Advertisement-

Elshani thotë se janë “gjithsej janë 171 profesionistë shqiptarë që kanë zgjedhur të kthehen dhe të punojnë në Kosovë dhe që tashmë janë pajisur me licencat përkatëse për ta ushtruar profesionin e tyre”.

“Për korrektësi, viti 2025, sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Kosovës, shënon numrin më të ulët ndër vite, gjithsej 95, të profesionistëve shëndetësorë që kanë kërkuar nga Oda e Mjekëve dokumentet e nevojshme për të aplikuar për punë në vendet evropiane. Kjo shënon një ulje signifikante nga vitet më herët. Për shembull, në vitin 2022, sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Kosovës, kanë qenë 211 profesionistë shëndetësorë që kanë kërkuar këto dokumente”, shkroi ai.

“Një pjesë e tyre, pavarësisht se i kanë marrë dokumentet, nuk do të thotë se domosdoshmërisht janë pajisur me licenca në vendet evropiane apo se janë larguar nga Kosova. Kurse kemi edhe raste që kanë marrë pushim pa pagesë dhe pas një kohe të shkurtër të punës në vendet evropiane janë kthyer sërish në Republikën e Kosovës”, shtoi Elshani.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy