Lajme

Reforma mjedisore, Shqipëria harton kuadrin e ri rregullator për bateritë sipas standardeve të BE-së

Autori: Gazeta inFokus 23:10 | 02 November 2026

Ministria përgjegjëse për Mjedisin ka përgatitur projektvendimin “Për bateritë dhe mbetjet e baterive”, që synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me Rregulloren (BE) 2023/1542. Projektakti vendos rregulla të reja për të gjithë ciklin jetësor të baterive—që nga projektimi, importi dhe vendosja në treg, e deri te grumbullimi i diferencuar, trajtimi dhe riciklimi i tyre si mbetje.

Sipas relacionit shpjegues, qëllimi kryesor është mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të njeriut përmes parandalimit të ndikimeve negative të lëndëve të rrezikshme që përmbajnë bateritë. Kuadri i ri mbulon pesë kategori kryesore: bateritë portative, bateritë SLI (për nisjen e automjeteve), bateritë industriale, ato për mjete të lehta transporti (LMT) dhe bateritë për automjetet elektrike (EV).

Pasaporta dixhitale dhe kërkesat e reja të qëndrueshmërisë

-Advertisement-

Një nga risitë kryesore të këtij projektvendimi është hyrja e mekanizmave të rinj teknologjikë dhe mjedisorë. Krijohet një sistem gjurmueshmërie përmes kodeve QR dhe pasaportës dixhitale për të siguruar informacion mbi përbërjen dhe performancën e produktit.

Detyrimi për deklarimin e gjurmës së karbonit dhe garantimi i një përmbajtjeje minimale të materialeve të ricikluara në bateritë e reja. Subjektet do të duhet të zbatojnë politika kontrolli për të minimizuar rreziqet sociale dhe mjedisore në zinxhirin e furnizimit të lëndëve të para.

Skema “Ndotësi Paguan”, 5 mijë pika grumbullimi pa kosto për buxhetin e shtetit

Projektaktet mbështeten fort në parimin e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit (SHPZP). Kjo do të thotë se të gjitha kostot financiare për ndërtimin e rrjetit të grumbullimit dhe riciklimit do të mbulohen nga prodhuesit dhe importuesit e baterive, duke mënjanuar çdo ngarkesë të drejtpërdrejtë mbi buxhetin e shtetit.

Sipas projeksioneve të tregut, sasia e baterive që vendoset në tregun shqiptar llogaritet në rreth 7,423 ton për vitin 2026, shifër që parashikohet të arrijë në mbi 10,290 ton deri në vitin 2035. Për të përballuar këtë volum, planifikohet ngritja e rreth 5,000 pikave kombëtare të grumbullimit për bateritë portative, me një investim fillestar që vlerësohet deri në 350,000 euro.

Kostoja vjetore e funksionimit të të gjithë sistemit parashikohet të rritet gradualisht nga rreth 700 mijë euro në vitin 2027 deri në mbi 5.4 milionë euro në vitin 2036, paralel me rritjen e objektivave të riciklimit. Zbatimi i masave do të bëhet në mënyrë të shkallëzuar nga institucionet ekzistuese, pa kërkuar ngritjen e strukturave të reja administrative.

Udhëto nga Suedia drejt Kosovës me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy