Lajme

Një ton dro*gë në Klinë, këta janë 9 personat që Prokuroria Themelore u ngriti aktakuzë

Autori: Gazeta inFokus 11:06 | 30 September 2026

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për përfshirje në kultivimin e 2 mijë e 850 bimëve kanabis sativa në plantacione në fshatrat Kliqinë dhe Sferkë të Pejës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndaj të pandehurve E.M., E.E., E.I., K.Q., Sh.Xh., M.Q., I.B., L.H. dhe E.H.

Ata dyshohen për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe për vepra të tjera penale.

-Advertisement-

Sipas aktakuzës, nëntë të pandehurit dyshohet se kanë vepruar si anëtarë të një grupi gjatë vitit 2024, duke kultivuar kanabis në dy parcela në Kliqinë dhe Sferkë, me qëllim prodhimin dhe shpërndarjen e narkotikëve.

“Në dy parcela janë kultivuar gjithsej 2,850 bimë kanabis sativa, ndërsa nga këto bimë është siguruar narkotik i llojit kanabis sativa në peshë të përgjithshme prej mbi 1,035 kilogramë e 712 gramë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sasia e narkotikëve ishte sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë një urdhërkontrolli më 27 shtator 2024.

Hetimet, sipas Prokurorisë, tregojnë se të pandehurit dyshohet se kishin role në mbjelljen, kultivimin, tërheqjen, tharjen dhe përpunimin e kanabisit, si dhe në sigurimin e vendeve dhe mjeteve për transportimin e tij.

15 mijë euro për t’u angazhuar në kultivimin e kanabisit

Një detaj tjetër i aktakuzës lidhet me pagesën që dyshohet se i ishte premtuar njërit prej të pandehurve.

Sipas Prokurorisë, atij i ishin premtuar 15 mijë euro për angazhimin në kultivimin e narkotikëve.

Gjatë hetimeve, te njëri prej të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1 mijë e 540 euro në kartëmonedha të falsifikuara, për të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim të futjes në qarkullim.

Për këtë arsye, njëri prej të pandehurve akuzohet edhe për veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Ndërkohë, një tjetër akuzohet për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë AK-47 së bashku me municion.

Prokuroria Themelore në Pejë ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët dhe në ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj personave që dyshohen për përfshirje në veprimtari të tilla./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy