Lajme

Seanca e Kuvendit Komunal të Deçanit nuk transmetohet LIVE, reagojnë Kuçi e Çekaj

Autori: Gazeta inFokus 11:16 | 29 September 2026

Mbledhja e Kuvendit Komunal të Deçanit, në të cilën po diskutohen çështje si projekt-buxheti i Komunës dhe tarifat për grumbullimin e mbeturinave, nuk është transmetuar drejtpërdrejt për qytetarët, shkruan Gazeta Infokus.

Për mos-transmetimin e seancës kanë reaguar dy anëtarë të Kuvendit Komunal të Deçanit, Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate dhe Ndriçim Çekaj nga Lidhja Demokratike të Kosovës.

Kuçi përmes një fotografie të publikuar nga salla ku po mbahej mbledhja, ka thënë se vendimi për të mos e transmetuar atë seancë është marrë nga Komuna.

-Advertisement-

“Sot mbledhja e asamblesë nuk transmetohet live sepse kështu ka vendosur Komuna e Deçanit. Në ndërkohë që diskutohen pika shumë me rëndësi për komunën”, ka shkruar Kuçi.

Edhe anëtari i Kuvendit Komunal, Ndriçim Çekaj, ka reaguar, duke thënë se bëhet fjalë për një nga seancat më të rëndësishme të vitit, pasi në të po diskutohet projekt-buxheti, rritja e tarifave për grumbullimin e mbeturinave nga ndërmarrja “Higjiena” dhe çështje të tjera.

“Pikërisht në seancën më të rëndësishme të vitit, kur po flasim për projekt-buxhetin e Komunës së Deçanit dhe rritjen e tarifave për grumbullimin e mbeturinave nga Ndërmarrja ‘Higjiena’ dhe tema të tjera me rëndësi, pushteti lokal nuk po e transmeton live seancën që po mbahet në këto momente, me arsyetimin se ka përfunduar kontrata”, ka shkruar Çekaj.

Ai ka thënë se kontrata ka mundur të vazhdohej me kohë dhe ka akuzuar pushtetin lokal se po shmang informimin e plotë të qytetarëve.

“Kontrata ka mundur të vazhdohet me kohë, por dëshira e pushtetit lokal në Deçan është që për këto tema të mos ketë informim të plotë, para qytetarëve deçanas. Pastaj edhe gjejnë kohë për tu lavduar me transaparencën. Qeverisje e territ informativ, që bëne shkelje me obligimet ligjore për ta informuar qytetarin.”, ka deklaruar Çekaj.

Në fakt, aktet që rregullojnë transparencën komunale parashohin transmetimin e mbledhjeve.

Udhëzimi Administrativ për transparencë në komuna përcakton se komuna, përmes faqes zyrtare, transmeton mbledhjet e Kuvendit Komunal. Ndërsa Udhëzimi për monitorimin e kuvendeve komunale përmes teleprezencës përcakton se zyrtari përgjegjës për informim duhet të sigurojë lidhjen për transmetimin e drejtpërdrejtë, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi ta përcjellin mbledhjen./Gazeta Infokus/

 

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy