KOSOVA PËRBALLË PËRGJEGJËSISË SË SHTETFORMIMIT
Autori: Gazeta inFokus
11:31 | 06 Shtator 2026
Jam thellësisht i indinjuar dhe i shqetësuar nga zhvillimet politike dhe situata aktuale në Kosovë.
Është e vështirë të pranohet se, pas një çerek shekulli lirie dhe pas shpalljes së pavarësisë, vendi ende përballet me vështirësi serioze në funksionalizimin e plotë të institucioneve të veta shtetërore.
E shoh këtë situatë dhe e përjetoj me dhimbje të thellë, si një shenjë të një errësire politike autoktone, e cila nuk duhet të normalizohet. Besoj se këtë shqetësim e ndajnë edhe shumë bashkatdhetarë. E, nëse dikush nuk e sheh ende rrezikun, atëherë është koha të hapë sytë dhe veshët, sepse çështja nuk është më thjesht një përplasje e zakonshme politike, por prek drejtpërdrejt funksionalitetin, stabilitetin dhe perspektivën e shtetit të Kosovës.
Në këtë kontekst, e theksoj v deklaratën e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, George Robertson, një prej personaliteteve ndërkombëtare që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në çlirimin e Kosovës:
“Armiku i Kosovës nuk është vetëm Serbia. Ajo ka edhe armiq të tjerë në botë që duan ta kufizojnë e ta kthejnë në pozicionin e saj historik si pjesë e Jugosllavisë së vjetër.”
Duke pasur parasysh peshën politike dhe përvojën e Robertsonit, kjo vërejtje meriton të merret seriozisht. Por pikërisht këtu lind pyetja shqetësuese: si është e mundur që një Kosovë e lirë, e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht, të lejojë që mosfunksionaliteti politik ta dëmtojë vetë shtetësinë e saj?
Këtë është vështirë ta kuptoj.
Është edhe më e vështirë të kuptohet verbëria politike e një pjese të klasës drejtuese të Kosovës dhe arroganca e udhëheqjeve partiake, të cilat, të përfshira nga rivaliteti dhe etja për pushtet, rrezikojnë të vendosin interesat partiake mbi interesin e përgjithshëm shtetëror.
Kosova nuk mund të jetë peng i kalkulimeve të përkohshme partiake. Pas një çerek shekulli lirie, institucionet shtetërore nuk mund të trajtohen si instrumente të betejave partiake. Përkundrazi, ato duhet të jenë mbi partitë, mbi interesat personale dhe mbi ciklet zgjedhore. Shteti nuk mund të ndërtohet duke e konsideruar kundërshtarin politik armik dhe interesin partiak si sinonim të interesit kombëtar.
Pikërisht për këtë arsye, mungesa e figurës historike të Presidentit dr. Ibrahim Rugova ndihet sot më shumë se kurrë.
Është e domosdoshme të rikujtohet se, edhe në periudhat më të rënda të robërisë, shqiptarët e Kosovës nuk hoqën dorë nga ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve të tyre politike. Edhe në rrethanat e jashtëzakonshme të viteve ’90, kur Kosova ishte nën një presion të jashtëzakonshëm ushtarak, policor dhe politik, shqiptarët krijuan dhe mbajtën institucionet e tyre paralele e legjitime, duke dëshmuar se vullneti politik i një populli nuk mund të shuhet me dhunë.
Zgjedhjet e vitit 1998, të zhvilluara në një Kosovë që digjej nga lufta, janë një nga dëshmitë më domethënëse të këtij përcaktimi. Në rrethana jashtëzakonisht të vështira, klasa politike kosovare, ndonëse e goditur dhe e syrgjynosur, u përpoq të ruante vazhdimësinë institucionale dhe përfaqësimin politik të popullit, duke e rikonfirmuar dr. Ibrahim Rugovën në krye të institucioneve të atëhershme.
Këto zhvillime janë përpjekur të njollosen në periudha të ndryshme me etiketime politike dhe interpretime të njëanshme. Por, pavarësisht kritikave që mund t’u bëhen proceseve të asaj kohe, një gjë duhet pranuar: Rugova e kishte të qartë rëndësinë e ekzistencës së institucioneve politike të Kosovës.
Ai e kuptonte se çlirimi, liria dhe pavarësia nuk mund të mbështeteshin vetëm mbi rezistencën, sakrificën dhe luftën, por kërkonin edhe një substancë të qëndrueshme institucionale e politike.
Në këtë kuptim, vizioni i Rugovës për institucionet nuk duhet parë vetëm si pjesë e së kaluarës. Ai mbetet një mësim politik edhe për të tashmen.
Dhe pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes sot është e thjeshtë, por e rëndë:
– Si është e mundur që, një çerek shekulli pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova të përballet ende me kriza të tilla të funksionimit institucional?
– Si është e mundur që një shtet i lirë dhe i pavarur të mos jetë në gjendje të sigurojë në mënyrë normale vazhdimësinë e institucioneve të tij?
– Si është e mundur që qytetarët e Kosovës të detyrohen të dëshmojnë përplasje politike të pafundme, ndërkohë që përgjegjësia themelore e klasës politike duhet të jetë funksionalizimi i shtetit?
Këto nuk janë pyetje që mund të zgjidhen me propagandë partiake, me akuza të ndërsjella apo me retorikë elektorale. Janë pyetje që kërkojnë përgjegjësi historike dhe politike.
Shqiptarët e Kosovës nuk mund të sillen si një popull që endet i çorientuar në mjegull, pikërisht në kohën kur duhet të tregojë maturi, përgjegjësi dhe vetëdije shtetformuese. Liria dhe pavarësia nuk janë dhurata që mund të merren si të mirëqena. Ato janë rezultat i një historie të gjatë sakrificash, përpjekjesh politike, rezistence, lufte dhe mbështetjeje ndërkombëtare.
Prandaj, çdo klasë politike që e vë interesin partiak mbi funksionimin e shtetit duhet ta kuptojë peshën e përgjegjësisë së saj.
Në këtë pikë, nuk mund të mos shpreh shqetësimin tim të veçantë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e themeluar dhe të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, e cila dikur përfaqësonte një nga përpjekjet më të rëndësishme politike shqiptare për përballjen me sistemin komunist dhe për ndërtimin e një alternative demokratike mbi bazën e mendimit politik, organizimit paqësor dhe fuqisë së fjalës e të argumentit.
Është legjitime të shtrohet pyetja: si ndodhi që kjo traditë politike, e cila dikur përfaqësonte një nga shtigjet më të qarta drejt demokracisë evropiane dhe euro-amerikane, sot të identifikohet me një politikë që, në sytë e shumë qytetarëve, duket e paqartë për nga orientimi dhe e pafuqishme për të prodhuar një alternativë të besueshme?
Koncepti i një “Rruge të Re” duhej të nënkuptonte një vizion të ri politik, institucional dhe shtetëror. Por një rrugë politike ka kuptim vetëm nëse të çon diku. Nëse nuk të çon drejt një qëllimi të qartë, ajo rrezikon të shndërrohet në një udhëtim pa orientim.
Për partitë e tjera nuk dua të zgjatem. Por, si qytetar i Kosovës, si njeri që e do vendin dhe popullin e tij, kam vetëm një thirrje:
– Mos luani me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!
– Mos e zhvlerësoni atë që është fituar me sakrifica të jashtëzakonshme.
-Mos e vini shtetin përballë partisë.
– Mos e shndërroni demokracinë në peng të ambicieve personale.
Dhe mbi të gjitha, mos harroni se liria nuk është vetëm e drejtë; ajo është edhe përgjegjësi
Kosova ka nevojë për institucione funksionale, për përgjegjësi politike, për kulturë demokratike dhe për një klasë politike që e kupton se pushteti është i përkohshëm, ndërsa shteti është i përhershëm.
Partitë vijnë e shkojnë. Qeveritë ndërrohen. Liderët zëvendësohen. Por Kosova duhet të mbetet.
Ky duhet të jetë parimi mbi të cilin duhet të ndërtohet çdo vendim politik i sotëm.

Skënder Zogaj

T� tjera
-
Le’tra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni ...
-
Kurti uron “Koalicionin Shqiptar” për rezultatin në zgjedhjet në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar “Koalicionin Shqiptar” për rez...
-
Ky është i dyshuari për vrḁsjen me sëpatë të kunatës në Pejë – viktimḁ ishte kthyer nga Policia në shtëpi vetëm pak minuta para krimit
Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e personit të dyshuar për vrasjen brut...
-
Tragjedia në Vitomericë/ Avokatja zbulon fjalët e fundit të Arlindës, që u vra nga kunati me sopatë: “Nuk më duhet jeta pa djalin”
Avokatja Adelina Hoxha ka reaguar pas vrasjes së Arlindës, e cila dyshohet se...
-
CRTA: Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave
Lista Studentore kryeson në zgjedhjet parlamentare në Serbi me 51,47 për qind...
-
Burri nga Deçani e vret në Vitomericë kunatën e tij
Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në Vitomericë të Pejës, ku një bur...
-
CeSID: Koalicioni Shqiptar, dy mandate në Serbi
“Koalicioni Shqiptar” pritet të përfaqësohet nga dy deputetë në parlamentin s...
-
CeSiD i publikon rezultatet preliminare, Lista e Studentëve e mund Vuçiqin 52 me 39, Daçiq merr veç 2.3% të votave
Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSiD), në bashkëpunim me Ipsos, k...
-
Shqiptarët mund t’i fitojnë tre mandate në Parlamentin e Serbisë?
Me përjashtim të listës së studentëve dhe SNS-it, të gjitha listat tjera zgje...
-
Vuçiq humbi, nisin festimet në shtabin e Listës së Studentëve dhe në qendër të Beogradit
Festimet kanë nisur në shtabin e listës së studentëve “Studentët Fitojnë”, pa...
-
Vuçiç pranon humbjen pas 14 vitesh në pushtet: Ka fituar Lista Studentore
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Lista Studentore pritet të...
-
Rrahja e të miturës në Gjilan nga bashkëmoshataret, familja largohet nga Kosova
Pas dhunës fizike ndaj një vajze të mitur në Gjilan në vitin 2025, e cila iu ...






























