Lajme

Deputeti ukrainas: S’e kuptoj vendosmërinë e Zelenskyt për të mos e njohur Kosovën, shantazhi i Putinit me këtë çështje s’funksionon më

Autori: Gazeta inFokus 17:42 | 10 August 2026

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko e quajti gabim trashanik deklaratën e presidentit të vendit të tij, Volodymyr Zelensky gjatë një vizite të para pak ditëve në Beograd, ku ai tha se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës “mbetet i pandryshuar”.

Goncharenko thotë në një intervistë me shkrim për Gazetën Express se shantazhi që thotë se ia bënte Ukrainës presidentit rus, Vladimir Putin, nuk funksionon më. Prandaj, për dallim prej vitit 2022, kur i kishte thënë Express-it se nuk e di qëndrimin e Zelenskyt për Kosovën, tash thotë se nuk e kupton atë.

“Sa i përket deklaratave të Putinit, mund të pajtohem se për një periudhë mjaft të gjatë ato përbënin një perspektivë tmerruese për shumë politikanë ukrainas. Në fakt, Putini po e shantazhonte Ukrainën lidhur me çështjen e Kosovës dhe, për fat të keq, ia doli”, thotë deputeti ukrainas.

-Advertisement-

“Megjithatë, jemi në vitin 2026. Rusia i “njohu” të ashtuquajturat DPR dhe LPR, duke i përdorur ato si casus belli, dhe më pas i “integroi”. Shantazhi i Putinit nuk funksionon më. Kjo është edhe arsyeja pse nuk e kuptoj vendosmërinë e Zelenskyt për çështjen e njohjes”, shton ai.

Intervista:

Gazeta Express: E quajtët gabim trashanik deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Beograd se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, duke e parë vendin nga prizmi i “integritetit territorial” të Serbisë. Përveç asaj që keni shkruar në X, pse, sipas jush, ishte e gabuar kjo deklaratë?

Goncharenko: Së pari, besoj sinqerisht se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, sovran dhe i njohur. Për shumë vite kam luftuar për njohjen e Kosovës nga institucionet europiane, si Këshilli i Europës, si dhe nga Ukraina. Unë isha autor i rezolutës së Verkhovna Radës (Parlamentit) të Ukrainës, e cila synonte njohjen e shtetit. Fatkeqësisht, sipas Kushtetutës së Ukrainës, e drejta për njohje i takon autoritetit presidencial. Megjithatë, unë vazhdoj përpjekjet e mia për të lobuar për vendimin e njohjes.

Gazeta Express: Shumë mund të thonë se është në interesin e Ukrainës ta mbajë këtë qëndrim. Çfarë do t’u thoshit atyre që mendojnë kështu? E patë edhe që një baner i madh në qendër të Prishtinës, ku shkruhej “Free Ukraine”, u hoq dje. Si e komentoni këtë?

Goncharenko: Besoj se vendimi i Zelenskyt është një gabim trashanik diplomatik, pasi Kosova është një nga mbështetësit tanë më të mëdhenj dhe partnerët tanë më të besueshëm në Ballkan. Në postimin tim në X, unë shtova gjithashtu pamje filmike të heqjes së banerit “Free Ukraine” në kryeqytetin e Kosovës. Ky është një sinjal se Ukraina mund ta humbasë një aleat dhe besoj me gjithë zemër se ne nuk mund t’i lejojmë vetes veprime të tilla diplomatike.

Sa i përket interesave të Ukrainës për ta mbajtur një qëndrim të tillë, ekziston një ide mbizotëruese se Ukraina mund ta bëjë Serbinë ta shpërbëjë aleancën e saj të pathënë me Rusinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak me Ukrainën. Serbia gjithashtu shihet nga disa analistë si një “aleate” potenciale në një bllok të shteteve kandidate për anëtarësim në BE.

Gazeta Express: Gjatë vizitës së tij në Beograd, Zelensky foli gjithashtu për bashkëpunimin me Serbinë pas luftës, veçanërisht në aspektin e politikës së jashtme. Çfarë prisni nga kjo?

Goncharenko: Është raportuar se Serbia i ka shitur Ukrainës një numër të padeklaruar predhash artilerie dhe raketash MLRS në vitin 2023. Rritja e dërgesave të tilla do të ishte jashtëzakonisht e përshtatshme në kohë në rast të një mobilizimi të mëtejshëm rus.

Gazeta Express: Presidenti rus Vladimir Putin tha në prill të vitit 2022 se, nëse Kosova mund ta shpallë pavarësinë, atëherë pse nuk mund ta bëjnë këtë Donetsku dhe Luhansku? A mendoni se përpjekja e Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedent ose justifikim për luftën po e mban Zelenskyn në këtë qëndrim lidhur me Kosovën?

Goncharenko: Sa i përket deklaratave të Putinit, mund të pajtohem se për një periudhë mjaft të gjatë ato përbënin një perspektivë tmerruese për shumë politikanë ukrainas. Në fakt, Putini po e shantazhonte Ukrainën lidhur me çështjen e Kosovës dhe, për fat të keq, ia doli.

Megjithatë, jemi në vitin 2026. Rusia i “njohu” të ashtuquajturat DPR dhe LPR, duke i përdorur ato si casus belli, dhe më pas i “integroi”. Shantazhi i Putinit nuk funksionon më. Kjo është edhe arsyeja pse nuk e kuptoj vendosmërinë e Zelenskyt për çështjen e njohjes.

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy