Lajme

Asociacioni i Komunave ngre alarmin: Projektligji për Pronën Publike cenon autonominë lokale

Autori: Gazeta inFokus 15:14 | 03 August 2026

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kundërshtuar Projektligjin për Pronën Publike, duke vlerësuar se ai cenon autonominë lokale dhe ua heq komunave të drejtën e pronësisë mbi pronën komunale.

Sipas njoftimit të AKK-së, Këshilli i Kryetarëve ka diskutuar të hënën Projektligjin, i cili parasheh që komunat të mos jenë më pronare të pronës komunale, por vetëm shfrytëzuese ose administruese të saj.

Në takim, të gjithë kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të pranishëm mbështetën unanimisht qëndrimet e Asociacionit dhe kundërshtuan çdo përpjekje për centralizimin e pronës publike në nivelin qendror.

-Advertisement-

Sipas AKK-së, një qasje e tillë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, cenon autonominë e komunave dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal.

“Prona komunale u takon komunave dhe nuk mund të tjetërsohet përmes një projektligji centralizues”, thuhet në reagim.

Asociacioni ka bërë të ditur se kërkesat e miratuara unanimisht nga kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave do t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë.

Ndër kërkesat kryesore janë që komunat të njihen shprehimisht si pronare të pronës komunale, të hiqet përcaktimi se Republika e Kosovës është pronare e vetme e tërë pronës publike, si dhe kuvendet komunale të ruajnë të drejtën për të vendosur për bartjen, këmbimin dhe dhënien me qira të pronës komunale.

Po ashtu, AKK kërkon që prona e blerë, ndërtuar ose krijuar me mjete komunale të regjistrohet në emër të komunës, regjistri unik qendror të ketë vetëm karakter koordinues dhe të mos e zëvendësojë regjistrin komunal, ndërsa Projektligji të mos kufizojë kompetencat vetanake të komunave në zhvillimin ekonomik lokal, planifikimin dhe shfrytëzimin e tokës.

Në mesin e kërkesave është edhe kufizimi i mbikëqyrjes qendrore vetëm në kontrollin e ligjshmërisë së vendimeve për pronën komunale, garantimi që të hyrat nga prona komunale t’u takojnë komunave, si dhe shfrytëzimi i të gjitha mjeteve ligjore për të parandaluar centralizimin e kësaj kompetence, e cila, sipas AKK-së, u garantohet komunave me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

Në fund, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon rishikimin rrënjësor të Projektligjit për Pronën Publike dhe përfshirjen e plotë të kërkesave të komunave në versionin përfundimtar të tij.

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy