Lajme

Democracy Plus: Ligji për çmimin e barnave uli dallimet në çmime, por zbatimi nxori në pah sfida

Autori: Gazeta inFokus 11:44 | 03 August 2026

Demokraci Plus (D+) ka publikuar analizën “Transparenca dhe zbatimi i rregullimit të çmimeve të produkteve medicinale në Kosovë”, në të cilën vlerësohet se reforma për rregullimin e çmimeve të barnave ka ulur dallimet në çmime mes barnatoreve, por njëkohësisht ka nxjerrë në pah sfida të reja gjatë zbatimit.

Sipas analizës, miratimi i Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale ishte një reformë e domosdoshme, pasi për më shumë se dy dekada qytetarët paguanin çmime të ndryshme për të njëjtin produkt medicinal në barnatore të ndryshme, ndërsa institucionet publike në disa raste blinin barna me çmime më të larta se ato të tregut.

Megjithatë, D+ vlerëson se zbatimi i ligjit u vonua për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme institucionale. Edhe pse ligji hyri në fuqi në vitin 2023, Lista e parë Zyrtare e Çmimeve nisi të zbatohej vetëm në shkurt të vitit 2025. Sipas analizës, periudha tranzitore u shoqërua me mungesë të çmimeve të deklaruara për disa produkte, paqartësi në trajtimin e stoqeve ekzistuese dhe mungesa të përkohshme të barnave, përfshirë tretësirat infuzive NaCl.

-Advertisement-

Në kuadër të hulumtimit, D+ realizoi edhe një anketë me qytetarë. Rezultatet tregojnë se rreth 81 për qind e tyre vazhdojnë të perceptojnë dallime në çmimet e barnave, ndërsa 40 për qind nuk janë të informuar se çmimi zyrtar i produktit medicinal është i shënuar në banderolë. Po ashtu, vetëm 5 për qind e të anketuarve kanë raportuar ndonjëherë raste të dyshuara të mospërputhjes së çmimeve.

Analiza evidenton edhe mangësi në modelin aktual të rregullimit të çmimeve. Sipas D+, ligji nuk lejon negociimin e drejtpërdrejtë të çmimeve me kompanitë farmaceutike në situata të jashtëzakonshme, ndërsa marzha maksimale prej 7.5 për qind për qarkullimin me shumicë dhe mungesa e definimit të qartë të “shpenzimeve të tjera” mund të ndikojnë në furnizimin e tregut me barna.

Po ashtu, gjatë vitit 2026 janë tërhequr autorizimet e marketingut për 33 produkte origjinatore, duke ngritur shqetësime për ndikimin e modelit aktual në sigurinë e furnizimit.

Analiza trajton edhe pretendimet se nivelizimi i çmimeve do të ndikonte në uljen e kontrabandës së barnave. Megjithatë, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2025 janë konfiskuar 1,823.30 kilogramë barna, me vlerë mbi 93 mijë euro, çka, sipas D+, tregon se luftimi i kontrabandës kërkon masa më të gjera sesa vetëm rregullimi i çmimeve.

Në fund, Demokraci Plus rekomandon rishikimin e Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, përcaktimin e qartë të kompetencave për mbikëqyrjen e zbatimit të tij, rishikimin e marzhës prej 7.5 për qind, krijimin e bazës ligjore për negociimin e drejtpërdrejtë të çmimeve në raste të jashtëzakonshme dhe ribalancimin e kompetencave ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe mekanizmave teknikë të sistemit.

Raportin e gjeni në këtë link: Transparenca dhe zbatimi I rregullimit të çmimeve të produkteve medicinale në Kosovë.

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy