Prokuroria Speciale nis hetimet për furnizimin 7-vjeçar me kerozinë të Aeroportit nga kompania që e financoi VV-në në fushatë
Autori: Gazeta inFokus
09:20 | 25 June 2026
Prokuroria Speciale e Kosovës ka autorizuar Policinë e Kosovës ta hetojë kontratën favorizuese të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) me kompaninë private “EXFIS” për furnizimin 7-vjeçar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me kerozinë, raporton portali FrontOnline.
Përndryshe, kompania “EXFIS” figuron në listën e financueseve të Lëvizjes “Vetëvendosje” në zgjedhjet e mbajtura vite më parë.
Sipas burimeve të FrontOnline brenda Prokurorisë Speciale më 17 qershor 2026 hetuesit policorë i kanë kërkuar drejtuesve të AAC-së t’i japin informatat e nevojshme për gjendjen aktuale lidhur me furnzimin me derivate në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, përfshirë këtu informatat nëse EXFIS vazhdon të operojë, për tarifën që e aplikon kompania turke “Limak”, e cila menaxhon me Aeroportin “Adem Jashari”, si dhe nëse kjo tarifë është aprovuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil.
Portali “FrontOnline” në mars të këtij viti kishte publikuar dokumentin ekskluziv në lidhje me vendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës( CAA) që t’i aprovojë kompanisë private EXFIS të drejtën e ofrimit të shërbimeve të furnizimit të aeroplanëve me kerozinë për një periudhë 7-vjeçare, përkatësisht nga 1 janari 2026 deri më 31 dhjetor 2032, pa iu nënshtruar konkurrencës në tregun e derivateve.
Sipas dokumenteve të publikuara ekskluzivisht portali Front Online vendimi është nënshkruar nga u.d i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Arianit Islami, më 30 dhjetor 2025, ku ceket se kompania EXFIS Sh.P.K është aprovuar si ofrues i shërbimeve për palë të treta në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Lista e shërbimeve të aprovuara nga AAC për EXFIS janë: Organizimi dhe ekzekutimi i operimeve për mbushje dhe zbrazje të derivateve, duke përfshirë deponimin e derivateve dhe kontrollin e cilësisë dhe sasisë së derivateve.
Këtë dokument portali FrontOnline e ka siguruar nga Autoriteti bazuar në kërkesën për qasje në dokumente publike.


Kompania private “EXFIS” ka disa vite që ka monopol në furnizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me kerozinë dhe nga një biznes i tillë ka fituar dhjetëra miliona euro të hyra.
Sipas pasqyrave financiare të kompanisë “EXFIS” për vitin 2024, kjo e fundit ka deklaruar rreth 13.5 milionë euro fitim neto, përderisa fitimi i saj neto në vitin 2023 kishte qenë 9.6 milionë euro.

Ministri Basha premtonte adresimin e shqetësimeve të ngritura lidhur me furnizimin e Aeroportit me kerozinë nga EXFIS
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, muaj më parë pati reaguar përmes një postimi në Facebook pas raportimit të FrontOnline lidhur me raportimin se kompania EXFIS, e përmendur si financuese e Lëvizja Vetëvendosje, është shpërblyer me licencë shtatëvjeçare për furnizim me kerozinë në Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës Adem Jashari pa tender.
”S Q A R I M – Sa i përket çështjes së ngritur për shërbimet e furnizimit me kerozinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga kompania EXFIS, është e nevojshme të sqarojmë se kjo kompani NUK është LICENCUAR nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës për këtë shërbim. Kompania EXFIS është përzgjedhur nga operatori i aeroportit, Limak Kosovo International Airport për këtë shërbim pas një tenderi ndërkombëtar të zhvilluar qysh në vitin 2010, gjatë Qeverisë së udhëhequr nga Hashim Thaçi, në kohën kur Ministër i Transportit ishte Fatmir Limaj. Pra, as Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës dhe as Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e Kosovës nuk vendosin për këtë çështje. Kjo kompetencë është përcaktuar në kontratën e koncesionimit të aeroportit, të nënshkruar në vitin 2010, ku sipas asaj kontrate, Limaku është përgjegjës të sigurojë që gjatë gjithë kohës të ekzistojë shërbimi i furnizimit me karburant në Aeroport”, ka shkruar ministri Basha.
Ministri ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e
operatorit të aeroportit për të diskutuar çështjen dhe për të adresuar shqetësimet e ngritura lidhur me furnizimin me kerozinë.
“Menjëherë në javën e ardhshme, si Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, do të zhvilloj takim me përfaqësuesit e Limak Kosovo International Airport për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’i adresuar shqetësimet e ngritura lidhur me furnizimin me kerozinë”, ka shkruar ai.
EXFIS financoi VV-në në zgjedhje
Përndryshe, kompania “EX FIS” figuron në listën e financuesve të Lëvizje “Vetëvendosje” përgjatë zgjedhjeve të vitit 2020.
“EX FIS”, figuronte me vlerën më të madhe të mallrave si donacion, duke ia dhuruar tashmë partisë në pushtet plot 9,534 euro.
Bujar Ejupi, i cili u largua nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës nga partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje, kishte deklaruar se vazhdimisht po shantazhohet, sulmohet e po i bëjnë presion pasi raportoi keqpërdorimet që kishte gjetur në AAC që kur ishte emëruar në pozitën e drejtorit.
Dyshohet se kërcënimet në drejtim të Ejupit kishin të bënin “monopolin e kerozinës”.
“AAC ka raportuar thyerjen e ligjit për tarifat e kerozinës, si pasojë e së cilës janë përfituar mbi 2 milionë euro nga operatori ekonomik. Rasti është paraqitur menjëherë nga AAC në komisionin PPP, pasiqë kërkohen hapa të menjëhershëm për të ndaluar thyerjen e ligjit shumë vjeçar në ANP. AAC për herë të parë ka adresuar hapjen e tregut dhe ka sinjalizuar keqpërdorimin me monopolin e shitjes se kerozinës në aeroport“, ka shkruar Ejupi.
Uzurpimi i pompave në veri të Kosovës nga EXFIS
Pas financimit që i kishte bërë në fushatën e vitit 2020, kompania e derivateve “EX FIS”, në pronësi të afaristit Isa Muharremi, është përmendur edhe për uzurpimin e pompave të derivateve në veri.
“EX Fis” tentoi që t’i kapte pompat në zonat veriore të cilat po shfrytëzoheshin nga ‘Nis Petrol’, pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Veç pak ditë pas shpalljes publike të AKP’së, “EX FIS” është parë duke brenduar pompën pa u mbyllur afati.
Në rrjete sociale ishin ndarë fotografi të cilat dëshmonin se disa punëtorë të “EXFIS”-it kishin brenduar pompat para mbylljes së afateve.
Më pas, logot e “EXFIS” ishin larguar pasi AKP’ja kishte thënë se dhënia në shfrytëzim e pompave duhet të kalojë përmes prokurimit.
Në vitin 2021, Reporteri kishte raportuar se Kompania “Ex Fis” kishte përfituar mbi 10 milionë euro bruto gjatë viteve 2018 dhe 2019, nga monopoli për furnizim me kerozinë në aeroport, e që ia mundësonte kompania turke LIMAK e cila ka në koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Krejt kjo iu kushtonte qytetarëve të Kosovës me çmimet më të larta të biletave të fluturimit, krahasuar me vendet e rajonit, pasi që kerozina është pothuajse kostoja kryesore e një fluturimi për kompanitë avio-fluturuese.
Me rastin e nënshkrimit të kontratës për furnizim me kerozinë, portali FrontOnline më 27 shkurt 2026 i kishte dërguar pyetje kompanisë “EXFIS” në lidhje me aprovimin që ka marrë nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, ku është pyetur se a i janë nënshtruar konkurrencës për vazhdimin e monopolit të Aeroportit me kerozinë.
Por, të njëjtit për dy javë nuk janë përgjigjur në pyetjet e portalit FrontOnline.

T� tjera
-
Vdekjet e punëtorëve në KEK – Prokuroria KONFIRMON: Pesë persona dhe KEK-u dyshohen për rrezikimin e sigurisë në vendin e punës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Gazetën Infokus se kallëz...
-
ATK u vihet pas bizneseve që shesin online, shqipton 24 gjoba
Administrata Tatimore e Kosovës ka shtuar kontrollet ndaj bizneseve që ushtro...
-
Sadiku: VV-ja edhe sot pas 7 vitesh harroi se është në pushtet dhe fajësoi ZRrE-në për problemet në energji
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar pas mbled...
-
Mungesa e masave të sigurisë, inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Pejë
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një objekt ndërtimi në Pej...
-
Inspektorët e sigurisë në KEK mbesin në këmbë – pa automjete i’u duhet të kontrollojnë 800 hektarë, dokumentet zbulojnë kushtet e rënda të punëtorëve
Jo vetëm punëtorët pa këpucë dhe çizme të reja pune për dy vjet e gjysmë, por...
-
“Nuk do të përfundojë këtu”, paralajmërohen arrestime tjera në rastin e vrasjes së Arlindës
Hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë ...
-
Specialja i reklamon kushtet që i “gëzojnë” krerët e UÇK’së të dënuar në Hagë
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, ka re...
-
Prokuroria e konfirmon ndalimin e katër personave për vrasjen e Arlinda Zekajt: Dy dyshohen për vrasje, dy tjerë dyshohen se ndihmuan
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin edhe të katër pers...
-
Mbrojtja e Thaçit nuk pajtohet me mënyrën se si Haga e llogariti paraburgimin për ish-presidentin: Do ta apelojmë
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do ta apelojë ven...
-
Zbulohen katër emrat e të arrestuarve të tjerë në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt
Ish vjehrra Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj, ish-kunati i të ndjerës Arlinda Ze...
-
Nën përcjelljen e Njësisë Speciale, Jeton Sylaj dërgohet në Gjykatën e Pejës
Ish-burri i Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj, para pak minutash është dërguar në G...
-
Oda Ekonomike e Kosovës mirëpret sistemin e pagesave të shpejta TIPS-K
Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur fillimin e zbatimit gradual të Sistemit...



































