Fokus

Në dimër, shteti lë pa çizme policët e rinj të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 10:21 | 03 December 2024

Kur bora ka mbuluar disa pjesë të vendit, policëve të gjeneratës së fundit të Policisë së Kosovës, iu duhet të patrullojnë pa çizme dimri.

Gazeta Infokus ka mësuar se këta policë, që diplomuan në gusht të këtij viti, ende nuk janë pajisur me çizmet e nevojshme për dimër.

Kjo situatë ka rritur shqetësimet për kushtet e vështira të punës për këta pjesëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë në teren.

-Advertisement-

Në lidhje me këtë çështje, Infokus ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje që nga e premtja.

E prej fillimit të angazhimit, një pjesë e gjeneratës së 60-të po punojnë në veriun e Kosovës, një zonë mjaft e tensionuar, në të cilën ka pasur zhvillime të shumta gjatë muajve të fundit, përfshirë sulmin ndaj objektit të kounës së Zveçanit, e aktin terrorist në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.

Në mungesë të çizmeve të dimrit, policët e rinjë janë detyruar ose t’i blejnë vet, ose t’i huazojnë nga të afërmit dhe shoqëria, shkruan Gazeta Infokus.

Që nga diplomimi, kjo gjeneratë e Policisë janë ballafaquar me shumë mungesa të pajisjeve esenciale, mes tyre radiolidhja, shkopinjtë e gomës, e me raste kanë pasur edhe mungesë të armëve./Gazeta Infokus

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera