Opinione

Rruga e Ndalur e Kosovës drejt Bashkimit Evropian: Koha për një Zgjim për Prishtinën dhe Brukselin

Autori: Shenoll Muharremi 18:42 | 30 October 2024

Raporti i Progresit për Kosovën 2024 sjell një vlerësim të përzier mbi rrugëtimin e gjatë dhe të mundimshëm të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Sado që ka disa arritje, raporti i këtij viti është më shumë një thirrje për zgjim për të gjithë.

Për Prishtinën, që të përballet me të vërtetën e ngadalësimit të reforma si dhe të shtoj përpjekjet e saja për për fokusim dhe zbatim tek reformat. Për Brukselin që të tregojë përkushtim më të madh për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Sidomos të i përgjigjet Kosovës në aplikacionin e saj dhe të hap rrugën për fillim të negociatave, ashtu sikurse me të gjitha vendet tjera.

Kosova ka bërë përparime të rëndësishme, sipas raportit, për sa i përket stabilitetit ekonomik, që gjithashtu karakterizohet me rritjen modeste dhe përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave.

-Advertisement-

Udhëtimi pa viza për qytetarët e Kosovës drejt vendeve të Schengenit, që filloi në janar 2024, ndoshta shënon gjithashtu një ndër pikat më të rëndësishme dhe pozitive, duke forcuar kështu lidhjen e Kosovës me Evropën.

Në fusha të tjera, si barazia gjinore në qeverisjen lokale dhe strategjitë për punësimin e të rinjve, Kosova thuhet se ka dhënë  disa rezultate të prekshme.

Por përkundër të gjithë optimizmit që mund të gjejmë në këto përparime, realiteti është se të gjitha këto janë hapa të vegjël në një rrugë me pengesa të mëdha. Pjesa më e vështirë e integrimit në BE mbetet sundimi i ligjit dhe reformat në drejtësi.

Sistemi i drejtësisë, që konfirmohet se mbetet i mbingarkuar dhe shpesh i akuzuar për ndërhyrje politike, e paraqet Kosovën ende larg nga standardet e BE-së. “Progres i kufizuar,” siç thuhet në raport, është vetëm një mënyrë elegante dhe diplomatike për të thënë se drejtësia është ende në pritje të reformës së thellë që ka nevojë.

Një tjetër pengesë e madhe përpara janë sfidat e administratës publike. Raporti e përmend me diplomaci “mungesën e rekrutimit mbi bazën e meritës” dhe “emërimet e përkohshme,” që janë simptoma të problemeve më të thella në strukturat e Kosovës.

Gjithashtu nepotizmi dhe emërimet politike të cilat edhe i kemi hasur tepër shpesh ditët dhe periudhën e fundit kanë bërë që shërbimi civil të mbetet një fushë ku aftësitë dhe merita shpesh lihen në hije nga lidhjet dhe interesat. Kjo i dekurajon profesionistët të bëhen pjesë e administratës. Gjithashtu i jep hije të keqe dhe politizim të administratës dhe bordeve publike.

Ndoshta fushat ku më së shumti kërkohet një përparim janë ato të sundimit të ligjit, qeverisjen efektive dhe reformat në administrën publike përfshi luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë. Kosova duket se ka ngecur më së shumti në këto fusha.

Raporti përmend gjithashtu ndërhyrjet e qeverisë në pavarësinë e medias e cila thuajse po minon këtu besimin se Kosova është e përkushtuar ndaj vlerave demokratike.

Në thelb të raportit dhe thuajse gjithçka tjetër qëndron ekonomia. Pa një sistem ekonomik funksionale të përgatitur për ‘presionet konkurruese të BE-së’, Kosova rrezikon të mos të ketë përparim që i nevojitet.

Sistemi arsimor thuhet se nuk ka shumë lidhje ose është i shkëputur nga nevojat e tregut të punës. Ndërmarrjet publike thuhet se janë të mbingarkuara dhe shpesh të papërgjegjshme financiarisht. Pa intervenime dhe përmirësime reale në këto fusha, ekonomia e Kosovës nuk do të jetë e përgatitur për një treg të lirë si BE-ja. Theksohet një strukturë ekonomike ku tregtia dhe deficiti tregtar janë kronik dhe të larta.

Megjithatë, këto sfida nuk janë të pakapërcyeshme. Por që të ecë përpara, Kosova ka nevojë për dy gjëra: (a) Përkushtim të lartë dhe qartë nga Qeveria dhe Institucionet Publike rreth reformave dhe kritereve Evropianë dhe (b) Rritje të mbështetjes dhe përkushtim nga Brukseli, e cila gjithashtu sikurse e ka ngadalësuar Kosovën deri në bllokim, krahasuar me vendet tjera të rajonit.

Kjo qasje e BE-së është e rrezikshme për sigurinë e Ballkanit dhe vet Evropës dhe duhet të rishikohet. Nuk ka asnjë arsye që Kosova mos të fitoj statusin e Vendit Kandidat dhe të filloj negoaciatat. Nga ky proces, Kosova dhe BE vetëm do të përfitojnë dhe do të krijojnë një Kosovë më të fortë, të qëndrueshme dhe më afër BE-së në çdo aspekt.

Qeveria e Kosovës duhet të përshpejtoj ndërmarrjen e reformave që nevojiten rreth aspiratave evropiane të qytetarëve të saj, pa humbur më shumë kohë. Por gjithashtu BE duhet të ndihmojë në mënyrë më konkrete, duke ofruar udhëzime të qarta dhe një afat të qartë që do të nxisë përparim dhe krijoj inventivë të vërtetë për reforma.

Timingu apo afatet kohore nuk duhet të jenë të pafundme, kjo nuk ka kuptim për askënd. Sidomos vet BE duhet të gjejë modele kreative brenda saj që të mos pengoj vendin e ri nga politikat e saja jounifikuese rreth njohjes së Kosovës.

Integrimi në BE për Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një qëllim gjeopolitik, por një çështje stabiliteti rajonal. Kosova dhe fqinjët e saj duhet të shohin përfitime reale nga rruga drejt BE-së, përndryshe ekziston rreziku i zhgënjimit.

Tani është koha për një vizion të qartë dhe të prekshëm dhe sidomos punë dhe zbatim praktik të reformave për rrugën drejt Evropës. Një përkushtim i bashkangjitur me punë dhe reforma që do të afrojë Kosovën sa më afër Brukselit dhe të mundësoj fillimin e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Pa një Kosovë stabile nuk ka Ballkan të qetë. Pa një Ballkan të qetë dhe prosperues, nuk do të ketë qetësi as BE, siç është vërtetuar disa herë gjatë historisë. Andaj, avancimi dhe anëtarësimi i Kosovës në BE është interes strategjik jo vetëm i Kosovës por edhe vet BE-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera