Lajme

Apeli ua ul dënimin me burgim të akuzuarve për sulm ndaj Valon Sylës

Autori: Gazeta inFokus 12:39 | 01 October 2024

Gjykata e Apelit ua ka ulur dënimin Lum Dërvishit, Kenan dhe Okan Hasanit, në nga 1 vit e gjashtë muaj burgim (secilit veç e veç), pasi Themelorja i kishte dënuar me nga dy vite burgim.

Fillimisht, ndaj vendimit të Gjykatës Themelore Prishtinë i cili ishte marrë më 7 dhjetor 2023, ka parashtruar ankesë prokurori i Prokurorisë Speciale mbi sanksionin penal, duke propozuar që ndaj të akuzuarve të shqiptohet dënim më i ashpër.

Po ashtu, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ankesa e Prokurorisë Speciale të aprovohet dhe ndaj të akuzuarve të shqiptohet dënim më i ashpër.

-Advertisement-

Gjithashtu, ankesë kanë parashtruar edhe mbrojtësit e të akuzuarve, duke kërkuar që aktgjykimi i Themelores të ndryshohet dhe çështja të kthehet në rivendosje apo të ndaj të akuzuarve të shqiptohet dënim më i butë.

Andaj, Apeli përmes vendimit të përpiluar më 25 shtator 2024, gjeti se ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve janë pjesërisht të bazuara, ndërsa ankesa e PSRK-së nuk është e bazuar.

Gjetjet e Apelit:

Sa i përket vendimit të Themelores, Apeli ka gjetur se janë analizuar të gjitha provat të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe se lidhur me këto prova ka paraqitur konkludimet e veta në mënyrë të drejtë, objektive dhe të ligjshme.

Pra, Apeli gjeti se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Kurse, lidhur me pretendimin e mbrojtjes lidhur me kompetencën e Departamentit Special për ta trajtuar këtë çështje penale, duke theksuar se PSRK-ja nuk ka pasur kompetencë të ngrit aktakuzë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, shkalla e dytë e gjen pretendimin e pabazuar me arsyetimin e hetimet e PSRK-së ishin zhvilluar në drejtim të veprës penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, e cila hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues se sigurisë së Republikës së Kosovës.

Apeli gjithashtu ka gjetur se nga vetë deklarimet e të akuzuarve dhënë në fazën e procedurës penale, ata nuk e kishin mohuar sulmin fizik ndaj të dëmtuarit Syla pasi që ata ishin ndjerë të fyer nga postimet që i dëmtuari i kishte bërë në rrjetin social “Facebook”, e të cilat postime ndërlidheshin me fenë.

Të ngjajshme

Prokuroria kërkon të shpallen fajtorë ish-drejtori i…

30 Sht, 2024, 18:06

I hiqet dorëzania dhe i caktohet paraburgimi të pandehurit…

30 Sht, 2024, 16:04

Tekniku i Radiologjisë tregon se si asistoi gjatë…

30 Sht, 2024, 15:28

Po ashtu, Apeli ka gjetur se nga raporti informues i Policisë së Kosovës është vërtetuar se të akuzuarit e kanë sulmuar Sylën, se nga incidenti i dëmtuari Syla kishte pësuar lëndime të lehta dhe se nga raporti mjekësor vërtetohet se Syla kishte plagë të hapur dhe gjakderdhje në kokë.

Shkalla e dytë ka gjetur se dëmtimet, Sylës i janë shkaktuar si rezultat i veprimit mekanik të mjetit të fortë, e që të njëjti i janë shkaktuar pasoja të përkohshme në shëndet.

Prandaj, bazuar në vlerësimin e provave materiale nga veprimet e të akuzuarve, Apeli ka gjetur se është formësuar vepra penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe se motivi i të akuzuarve për sulm ishte nga aspekti fetar, e që rrjedh nga postimi i të dëmtuarit.

Mirëpo, kjo Gjykatë i ka gjetur si të bazuara pretendimet e mbrojtësve lidhur me lartësinë e dënimit, konkretisht dënim me burg të shqiptuar ndaj të akuzuarve, duke e konsideruar si dënim të lartë me burgim atë që u shqiptua nga Themelorja.

Kurse, pretendimin e mbrojtjes për një dënim më të butë, Apeli e gjeti të bazuar. Sipas Apelit, Themelorja gabimisht ka vlerësuar si rrethanë rënduese besimin fetar, pasi që besimi fetar llogaritet si element kualifikues i figurës së veprës penale e nuk mund të llogaritet si rrethanë rënduese.

Ndërkaq, si të pabazuar e ka gjetur pretendimin Prokurorisë Speciale lidhur me ashpërsimin e dënimit, pasi që ankesa për ashpërsim dënimi është me fakte të përgjithësuara, duke mos cekur ndonjë rrethanë që Themelorja nuk e ka vlerësuar kur e ka caktuar dënimin me burgim.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, bashkëpunëtori i mbrojtësit të Sylës- avokatit Kushtrim Palushi, Ard Sylaj tha se nuk e kanë pranuar ende vendimin e Apelit.

Çka thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale:

Aktakuza ndaj Lum Dërvishit, Kenan dhe Okan Hasanit ishte ngritur më 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me arsyetimin se më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.

Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ngarkoheshin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni KËTU./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera