Lajme

Ku janë kostot më të larta të jetesës në Gjermani?

Autori: Gazeta inFokus 10:26 | 01 November 2023

Mynihu dhe Frankfurti janë qytete veçanërisht të shtrenjta. Ku është vendi më i mirë për të jetuar në Gjermani? Dhe sa janë kostot e jetesës?

Kostot e jetesës në Gjermani varen shumë nga rajoni ku jetoni. Ku mund të jetoni më lirë ose më shtrenjtë varet kryesisht nga kostot e vendbanimit. Nëse merret parasysh ky faktor, banesat në qytetin më të shtrenjtë, në Mynih, janë 38 për qind më të shtrenjta se në rrethin më të lirë Vogtland në Saksoninë jugperëndimore. Këto janë rezultatet e një studimi aktual nga Instituti Ekonomik Gjerman (IW) dhe Institutit për Ndërtimtari, Hulumtime Urbane dhe Hapësinore (BBSR). Ndërsa nëse përjashtohet çmimi i banesave, diferenca në koston e jetesës mes destinacioneve më të shtrenjta dhe atyre më të përballueshme është vetëm 6 për qind.

Ku është më e shtrenjta dhe ku është më e lira?

-Advertisement-

Duke përfshirë kostot e vendbanimit, kryeqyteti bavarez është 25.1 për qind më i shtrenjtë se mesatarja gjermane. Më pas vijnë rrethi i Mynihut (16.7 për qind), Frankfurti mbi Majnë (15.9 për qind) dhe Shtutgarti (14.8 për qind). Vendi më i lirë për të jetuar, sipas këtij sondazhi, është rajoni Vogtland në Saksoni dhe qyteti Greiz në Turingji, të cilat janë 9.5 për qind nën mesataren e nivelit kombëtar. Më pas vijnë qytetet Görlitz (9.4 për qind), si dhe Pirmasens dhe Salzlandkreis në Saksoni-Anhalt me ​​9.3 për qind më të ulëta se kostot mesatare në nivelin e vendit.

Me mesatarisht rreth 21,00 euro për metër katror, Mynihu është aktualisht qyteti më i shtrenjtë në renditjen e çmimeve të qirave. Fjala është për ndërtesat e reja, sepse edhe këtu ka dallime në çmime, thuhet në rezultatet e Institutit të Kërkimeve dhe Konsulencës Empirica, të publikuara në faqen e internetit të Entit federal të Statistikave. Në vendin e dytë dhe të tretë janë Berlini (me 17,64 euro për metër katror) dhe Frankfurti (me një çmim mesatar prej 17,38 euro për metër katror).

Ndërsa nëse përjashtohen kostot e vendstrehimit, Shtutgarti është qyteti më i shtrenjti për të jetuar, me rreth 4.2 për qind mbi mesataren kombëtare. Pas tij vjen Mynihu (me 2.1 për qind), Aschaffenburg (1.8%) dhe Freiburg (1.6%). Në këtë studim thuhet se kostot më të ulëta të jetesës (pa kostot e vendanimit) janë në rrethin e Leer, ku është mesatarja e kostove është 1.7 për qind më e ulët se ajo në nivelin kombëtar, e ndjekur nga Ostprignitz-Ruppin dhe Nordhausen (Turingjia) me 1.6 për qind secila.

Për shkak të rolit të madh të kostove të vendbanimit, më të shtrenjtat janë zonat me popullsi të dendur dhe rajonet e afërta të tyre. E njëjta gjë vlen edhe për zonat e preferuara për banim, për shembull, buzë Alpeve ose rreth liqenit të Konstancës. Nga ana tjetër, landet lindore janë zakonisht dukshëm më të lira se mesatarja, me përjashtim të Berlinit dhe zonës përreth.

Kur bëhet fjalë për koston e jetesës, duhet të dihet se ndonjëherë ka dallime të mëdha edhe në të ardhura mes qyteteve dhe rajoneve të ndryshme. Dallime të mëdha në të ardhura ka akoma mes banorëve të landeve lindore dhe perëndimore të Gjermanisë.

Pse janë kaq të vogla dallimet, nëse përjashtohen banesat?

Në shumë segmente të kostos së jetesës, ka pak ose aspak dallime me rajoneve të ndryshme të Gjermanisë, shpjegon Christoph Schröder i IW. Si shembull ai përmend çmimet e porosive në internet, gjërave ushqimore, dyqaneve, veshmbathjevedhe supermarketeve, ku çmimet shpesh janë të njëjta apo dallojnë shumë pak.

Nga ana tjetër, në studim thuhet se dallimet më të mëdha mes rajoneve dhe landeve janë kur bëhet fjalë për restorantet dhe hotelet, por edhe kur bëhet fjalë për koston e përkujdesjes apo sigurimit, shpjegon eksperti i IW, Jan Wendt. Por sasia e kostove të tjera pak a shumë të njëjta redukton dallimet.

Ndaj nga 400 rrethe, rajone dhe qytete të përfshira në sondazh, shumica prej tyre janë shumë afër mesatares kombëtare – nëse përjashtohen kostot e vendbanimit. Diferenca më të mëdha se 1 për qind janë shënuar vetëm në 60 prej tyre.

Vendbanimi përbën diferencën më të madhe sepse këto kosto peshojnë shumë në llogaritjen e të ashtuquajturës “shporta konsumatore”. Në Mynih kostot e vendbanimit janë 180.9 për qind e mesatares kombëtare, që është dy herë e gjysmë më shumë se në rrethin Vogtland (68 për qind e mesatares).

Çfarë përfundimi nxjerrin autorët e studimit?

“Jeta duhet të mbetet e përballueshme, pavarësisht se në cilën pjesë të Gjermanisë jetohet,” thotë autori i studimit të IW, Christoph Schröder. “Shteti mbulon kostot e vendbanimit për ata që kanë nevojë për ndihmë, gjë që lehtëson barrën për këta persona.” Por rezultatet treguan se politika rajonale ka ende nevojë për të korrigjuar disa gjëra.

Duke qenë se kostot e larta të vendbanimit janë një barrë e madhe për banorët e qyteteve të mëdha, do të ishte e dobishme të ridrejtohej kërkesa në zonat përreth. Për shembull përmes infrastrukturës më të mirë, beson ai. Ndërsa në vendet ku mungojnë banesat duhet të lehtësohet ndërtimi i ri dhe planifikimi i tokës ndërtimore, këshillojnë ekspertët. Kjo kërkon procedura më të thjeshta dhe më të shpejta kur bëhet fjalë për burokracinë dhe rregulloret e ndërtimit, shtojnë ata./DW

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera