Ekskluzive: Ky është raporti i përformancës së KEK-ut që dëshmon mashtrimin dhe dështimin e Albin Kurtit, Besnik Bislimit e Nagip Krasniqit
Autori: Hateme Smajli 17:20 | 11 May 2023
I madh e i vogël, nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendës kryeministri, Bisnik Bislimi, deputet të pozitës, ministra e deri të militantët e partisë në pushtet që defilojnë nëpër studio televizive i dolën në mbrojtje Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit pas arrestimit të tij si i dyshuar për ‘’Ushtrim ndikimi’’, ‘’Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Konflikt interesi’’.
Nga kreu i shtetit e i gjithë zinxhiri i pushtetit i akuzuan organet e drejtësisë se arrestimi i Nagip Krasniqit është me tendencë politike dhe se dikujt po i pengojnë sukseset e menaxhimit të tij në KEK. Kryesisht këtë ‘sukses’ të njeriut të tyre që e dërguan në KEK e mbështetnin në vetëm një indikator, e që është rritja e të hyrave të Korporatës nga shitja e energjisë elektrike.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se në vitin 2022 ndërmarrjet publike shënuan rritje në të hyra prej 100 milionë euro në krahasim me vitin 2020, për shkak të performancës së mirë, deklaratë kjo që më pas nxiti shumë reagime, sidomos për Korporatën Energjetike të Kosovës.
Madje pa asnjë hezitim në raportin e ministrisë KEK-u ishte renditur si ndërmarrja më fitimprurëse falë “prodhimit rekord të energjisë”.
Por as ky “sukses” nuk i dedikohet kryeshefit as menaxhmentit të korporatës.
Megjithë këtë nëse e masim suksesin e tij edhe me këtë indikator, del se dështimi i këtij menaxhmenti peshon në dhjetëra miliona euro apo saktësisht 33.9 milionë euro.
Kjo bazohet në hulumtimin e realizuar nga Gazeta Infokus e cila ka arritur të sigurojë raportin e aprovuar nga Bordi i KEK-ut për vitin 2022, e ku krahasahet edhe puna e tri viteve të kaluara.
Hulumtimi i Gazetës Infokus për raportet në 4 vitet e fundit
Në raportin vjetor të KEK-ut për vitin 2022 të cilin e ka siguruar Gazeta Infokus, rritja e të hyrave të KEK-ut është si rezultat i rritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.
Por, nga leximi i këtij raporti kuptohet një dështim i këtij menaxhmenti edhe pikërisht në këtë pikë ku KEK-u nuk ka arritur të realizoj planin e prodhimit sipas parashikimeve vjetore.
Nëse KEK-u kishte arritur objektivat ose kishte eksportuar sasinë e njëjte të energjisë elektrike sikurse vitin paraprak të hyrat e korporatës do të ishin për 33.9 milionë më të mëdha kur kalkulohen me vlerën e shitjes që ishte çmimi mesatar prej 202 euro për megavat orë energji elektrike.
KEK-u, nëse shikohen pasqyrat e katër viteve me parë, ka eksportuar nga 748,000 deri në 1.1 milionë megavat energji elektrike. Në vitin 2019 sasia e eksportuar ishte 748,000 megavat, kurse çmimi mesatar ishte 39 euro. Në vitin 2020 sasia e eksportuar kishte arritur rekord prej 1.1 milionë megavat energji elektrike. Në vitin 2021 748,000 megavat, ku çmimi mesatar i shitjes këtë vit ishte 78 euro për megavat.
Derisa në vitin 2022 sasia e eksportuar e energjisë elektrike nga KEK-u, ishte me e vogla e shënuar në 4 vitet e fundit, në sasi prej vetëm 580,000. Kjo shifër është me e vogël se sasia e eksportuar një vit me parë për 168,000 megavat me pak, derisa çmimi rekord i shitjes ishte në 202 euro. Nëse sasia e njëjtë do të ishte eksportuar edhe gjatë vitit të fundit të hyrat do të shënonin fitim prej 33.9 milionë euro me shumë.
Korporata Energjetike e Kosovës në vitin 2022, në krye me Kryeshefin, Nagip Krasniqin, ka shënuar vitin më të dobët të performancës në 4 vitet e fundit.
Sipas hulumtimit që Gazeta Infokus i ka bërë raporteve vjetore të kësaj korporatë të cilat janë të aprovuara dhe i raportohen aksionarit, në këtë rast Qeverisë së Kosovës, rezulton se në katër vitet e fundit, KEK-u asnjë here nuk ka pasur performance me të dobët në prodhim dhe në realizimin e investimeve kapitale.
Sipas këtij hulumtimi sa i përket prodhimit, në vitet 2018 – 2021, Korporata Energjetike e Kosovës vit pas viti ka kaluar edhe planin vjetor duke prodhuar më shumë energji elektrike se sa ishte planifikuar, derisa në vitin 2022, ka rënie të prodhimit për 4 për qind, më pak se sa ishte planifikuar.
Në vitin 2018 është tejkaluar plani i prodhimit për 3 për qind, në 2019 është tejkaluar për 4 %, në 2020 për 8% , në 2021 për 4 %, ndërsa në 2022, nuk është realizuar plani sipas prodhimit, me -4% apo vetëm 96%.
Dështimi më i madh në 5 vitet e fundit në investimet kapitale
Dështimi tjetër i madh i Korporatës Energjetike të Kosovës për vitin 2022 është në realizimin e projekteve kapitale.
Sipas hulumtimit të bërë nga Gazeta Infokus në raportet 2018-2022, kjo korporatë shënon dështimet më të madha ndër vite edhe në këtë aspekt.
Realizimi i projekteve kapitale, në vitin 2018 kishte kapur shifrën 60 milionë euro duke pasuar me vitin 2019 me 35 milionë euro, në vitin 2020 me 36 milionë euro, në 2021 me 31 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 me vetëm 10 milionë euro.
Pse u rritën të hyrat në KEK? Mashtrimi i qeverisë për suksesin e Nagip Krasniqit?
Gazeta Infokus ka siguruar edhe raportin vjetor të Korporatës Energjetike të Kosovës për vitin 2022, ku ndër të tjera përmenden dështimet në mos arritjen e qëllimeve dhe planifikimeve për vitin që lamë pas. Në këtë raport janë përmendur të gjitha dështimet që kanë ndodhur në këtë korporatë në vitin 2022, derisa nuk është theksuar ndonjë të arritur pozitive përgjatë këtij viti.
Kjo sepse edhe për rritjen e të hyrave njëri nga arsyetimet që po përdor pushteti për të fshehur dështimet në KEK, vetë raporti e konfirmon se kjo nuk është meritë e përformances së mirë apo arritjes e tejkalimit të planeve por në raport thuhet se kjo ka ndodhur për arsye të tjera që përfshijnë krizën në botë në çmimet e energjisë.
Raporti i KEK-ut konfirmon se rritja rekord e të hyrave për 31% më shumë se sa në vitin 2021 është bërë për shkak të refeleksionit të efekteve të krizës në çmimet e energjisë që lidhen kryesisht me eksportin.
“Përkundër sfidave nga krizat e njëpasnjëshme dhe nivelit pothuaj të njëjte te prodhimit, gjate vitit 2022 KEK ka realizuar rekord rritje ne te hyrat nga energjia elektrike me € 66.9 milion, ose me 31% me shume se vitin paraprak (2022: €283.5 milion; 2021: €216.6 milion). Kjo rritje ishte si refleksion kryesor i efekteve të krizës në çmimet e energjisë, kryesisht te lidhura me eksportin e energjisë”, thuhet në këtë raport të siguruar nga Gazeta Infokus.
Për herë të parë pas 5 viteve KEK-u subvencionohet me 50 milionë euro nga qeveria
Për herë të parë pas 5 viteve, Korporatën Energjetike të Kosovës për shkak të dështimeve të vazhdueshme, qeveria e ka subvencionuar për ti dalë në ndihmë.
Në vitin 2021, qeveria ndau për këtë korporatë 20 milionë euro, ndërsa në vitin 2022, qeveria e subvencionoi KEK-un me 30 milionë euro.
Kjo në bazë të raportit të vitit 2022 që ka siguruar Gazeta Infokus.
Zvogëlohet numri i vendeve të punës
Dështim tjetër sipas këtij raporti është edhe ulja e numrit të punëtorëve. Derisa vitin 2022 e nisën me 3628 punëtorë në fund te vitit 2022 ka vetëm 3436 punëtorë.
Që do të thotë së KEK-u e mbyll vitin 2022 me 192 punëtorë më pak, shkruan Gazeta Infokus.
Kujtojmë se në prill të vitit 2022, përmes një konkursi publik në KEK u punëusan 128 persona prej tyre shumica ishin familjarë të zyrtarëve të KEK-ut dhe anëtarë e militantë partiakë të partisë në pushtet bashk me ata të listës Guxo. Kjo ani pse në konkurs kishin aplikuar hiq më pak se 4 mijë e 668 persona, këtu u zgjodhën të afërm ministrash e të afërm deputetësh të Vetëvendosjes e Listës Guxo. Një konkurs për të cilin kanë nisur edhe hetimet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
8.3 milion më pak thëngjill i prodhuar
Viti 2022 KEK-un e gjeti edhe me rënie prej -5.2% në prodhimin e thëngjillit apo 8.3 milion ton më pak.
“KEK ka realizuar një performance optimale duke ju përafruar planit te prodhimit të energjisë me një variance -2%, si dhe prodhimin e thëngjillit me -5.2% ose 8.3 milion ton. Gjate vitit 2022, KEK ka prodhuar 5.73 milion MWh energji elektrike, qe është për rreth 1%, me pak se sasia e prodhuar ne vitin paraprak (2021: 5.77 milion MWh)”, thuhet në raport.
Një tjetër dështim është edhe në prodhimin e djerrinës. Sipas raportit është prodhuar -39% më pak djerrine se sa është planifikuar.
RAPORTI I PLOTË I KEK-ut për vitin 2022:
Gazeta Infokus ka raportuar në vazhdimësi për këto dështime në KEK që jo rrallë herë rezultonin me rënie të blloqeve e kërkim të ndihmës nga Korporata Energjetike e Shqipërisë, për të furnizuar Kosovën me energji elektrike në mënyrë që të mbuloheshin kërkesat.
Grafikat u realizuan nga Xheva Ukaj
LEXO EDHE: SKANDAL: KEK-u sërish para kolapsit, vetëm 390 MW/h prodhimi e mbi 5 milionë euro importi
Të tjera
-
“Sa është IQ-ja e deputetëve të Vetëvendosjes”
Shkencëtari, njëkohësisht dhe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka, pë...
-
“M’kanë thon ke pasë sukses veç pse je femër”, befason biznismenja kosovare, pasi tregon me çfarë paragjykimesh u përball
Kontabilistja Elvira Ibrahimi Hoti rrëfen se është përballur më paragjykime t...
-
Aksident mes një veture dhe motoçiklete në kryeqytet, lëndohet një person
Një aksident trafiku mes një veture dhe një motoçiklete ka ndodhur gjatë ditë...
-
Dita e Alfabetit, Nagavci: Kongresi i Manastirit, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë
Në shkurt të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi datën 22 nëntor si Ditë...
-
Gjendet pa shenja jete një person në Gjilan, rasti po hetohet
Një person ka informuar se djali i tij është gjetur pa shenja jete. Sipas ...
-
Pesë zyrtarë bullgarë përfshirë presidentin vizituan Kosovën gjatë mandatit të Gudjev
Gjatë katër viteve të fundit në Kosovë, janë realizuar pesë vizita të zyrtarë...
-
42 aksidente trafiku, u regjistruan dje
42 aksidente trafiku, janë evidentuar të enjten. 10 nga to janë me të lënd...
-
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shumë kohë
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur tryezë diskutimi lidhur me katër...
-
KRU “Prishtina” njofton se të shtunën nuk do të ketë ujë në disa vende
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se do të ketë ndërp...
-
Policia shqiptoi 1.880 gjoba trafiku për 24 orë
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar...
-
Deponohen rreth 500 euro të falsifikuara në një bankë në Prizren, policia nis hetimet
Një zyrtar banke në Prizren, ka raportuar në polici se një person ka deponuar...
-
BitCoin në nivel rekord. Ja me sa dollarë këmbehet ajo
Bitcoin shënon nivele rekord të rritjes që prej zgjedhjes së Donald Trump si ...