Ministria serbe e Drejtësisë: Artan Zymberi refuzoi të trajtohet për një sëmundje
Autori: Gazeta inFokus 15:13 | 07 December 2022
Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha për Radion Evropa e Lirë se Artan Zymberi, shtetas norvegjez me prejardhje nga Kosova, i cili ka vdekur në një burg në Serbi më 27 nëntor, “ka refuzuar të trajtohet për një sëmundje që kishte”.
Mediat në Kosovë, ditëve të fundit, kanë raportuar se familjarë të të ndjerit kanë shprehur dyshime se Zymberi, 28 vjeç, mund të jetë vrarë shkaku i disa tatuazheve në trup, si ato me figurën e Adem Jasharit – i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë më 1998 – shqiponjës dhe emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë njoftoi se nga 3 shkurti i këtij viti, Zymberi ishte duke vuajtur dënimin me burg në Sremska Mitrovicë, me kohëzgjatje prej tre vjetësh e tetë muajsh, për veprën penale: prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.
Atij, më parë, i ishte shqiptuar masa e paraburgimit, po ashtu në Sremska Mitrovicë, ku ndodhej që nga 29 prilli i vitit 2021.
Nuk është e qartë se si ka ardhur deri tek arrestimi i tij në Serbi.
Ministria serbe tha se kur Zymberi është marrë në mbajtje, ka deklaruar se është duke u trajtuar nga një “lloj i caktuar i sëmundjes”, por ajo tha se nuk mund të specifikojë më shumë, për shkak të Ligjit për të dhënat dhe mbrojtjen personale dhe Ligjit për kujdesin shëndetësor.
Ministria, po ashtu, tha se Zymberi nuk ka pasur me vete dokumentacion mjekësor, por se është kontrolluar disa herë nga mjeku dhe se, në bazë të gjendjes që kishte, merrte terapi adekuate.
Ministria serbe tha se ai kishte “kujdes të plotë mjekësor” dhe “kontroll të rregullt”.
Sipas saj, Zymberi, gjatë vuajtjes së dënimit, ishte referuar disa herë në një spital special të burgut në Beograd.
Ai u tha se ka refuzuar mjekimin dhe ushqimin në disa raste.
Për herë të fundit, ai ka qëndruar në këtë spital special nga 28 korriku deri më 17 shtator të këtij viti.
Pas kësaj periudhe, ai u kthye në burg në Sremska Mitrovicë me udhëzimin për terapi dhe trajtim të mëtejshëm, të cilin “ky i dënuar me vendosmëri e refuzoi”.
“Me të dënuarin është diskutuar disa herë se duke refuzuar terapinë, me dashje rrezikon shëndetin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë serbe të Drejtësisë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Sipas saj, mjeku ka konstatuar vdekjen e Zymberit më 27 nëntor, në ora 07:15, në shtratin e tij në burgun e Sremska Mitrovicës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë bëri të ditur për REL-in se është njoftuar për vdekjen e Zymberit në burgun në Serbi, por shtoi se “për çdo pyetje për rrethanat e vdekjes, duhet drejtuar autoriteteve serbe”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë tha për REL-in se ka kërkuar informacione lidhur me rrethanat e vdekjes së Zymberit nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë.
“Deri tani nuk na kanë ofruar ndonjë informatë, me të cilën e konfirmojnë rastin”, tha MPJD.
Lidhur me këtë rast, sipas Ministrisë serbe të Drejtësisë, u njoftua edhe policia serbe, e cila ka kryer një hetim dhe ka njoftuar Prokurorinë e Lartë Publike në Sremska Mitrovicë.
Kjo e fundit urdhëroi që trupit t’i bëhet autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Novi Sad. Gjetjet e autopsisë u dorëzuan në prokurori, por, aktualisht, nuk janë të qarta për publikun.
Përfaqësuesi ligjor, si dhe Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Serbi u informuan për vdekjen e Zymberit. Familja e mori trupin e tij më 6 dhjetor, sipas Ministrisë serbe të Drejtësisë.
Familjarët e të ndjerit thanë se atyre nuk u është dhënë mundësia ta takojnë apo kontaktojnë Zymberin. Por, Ministria serbe tha se i hedh poshtë “të gjitha gënjeshtrat e përhapura nga individë përmes rrjeteve sociale për këtë rast”.
Shtohet se Zymberin e kanë vizituar përfaqësues të Ambasadës norvegjeze në Beograd. Asaj iu drejtua burgu në Sremska Mitrovicë për të ofruar mbështetje psiko-sociale, pasi Zymberi nuk kishte pranuar të komunikonte me punonjësit e institucionit, e as me mjekun dhe të tjerët./REL
Të tjera
-
E konfirmon Albulena Haxhiu: Ura u diskutua në Bruksel
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi sonte se në Bruksel është f...
-
“Papunësia 4% në Kosovë”, Besian Mustafa: Rreni bile për toke, macat ju hangshin
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa, ka reaguar ndaj Vetëvendosjes q...
-
Ministrja Haxhiu: Nuk mundesh me një pagë 1400-1500 euro të krijosh pasuri gjithandej, brenda e jashtë Kosovës
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se `Projektligji për Byronë Shtet...
-
Albulena Haxhiu garanton për kolegët: Asnjë ministër nuk krijoi pasuri duke e mbajtur këtë pozitë
Duke folur për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuesh...
-
Lutfi Haziri i bindur: Lumir Abdixhiku nesër si kryeministër do ta kthej marrëdhënien speciale me SHBA
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se LDK-ja ka r...
-
Lutfi Haziri i ashpër me Kurtin: Republikën që nuk e ka pranu dikur, tash e ka izolu
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se marrëveshje...
-
Besnik Bislimi flet për takimin në Bruksel me zyrtarin e lartë të NATO-s
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, njofton se sot në Bruksel përveç t...
-
Dukagjin Gorani thotë se opozita do ta ofrojë alternativën e “stabilitetit politik”
Analisti Dukagjin Gorani ka deklaruar se është optimist se opozita do ta ofro...
-
Dardan Sejdiu: Industria e Serbisë është bërë e rëndësishme për tregun evropian
Opinionisti, Dardan Sejdiu sonte në emisionin “Rubikon” ka thënë se Serbia në...
-
Ky është parashikimi i motit për të mërkurën
Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas koh...
-
Tetë të vrạrë, mijëra të plagosur nga shpërthimi i pajisjeve pager në Liban
Së paku tetë njerëz janë vrarë dhe 2.750 të tjerë janë plagosur të martën si ...
-
Bajrami sqaron “rrenën” e pushtetit për miliardat në ekonomi
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritiku...