Lajme

Procesi i Berlinit mbahet më 3 nëntor, çka pritet të diskutohet atje

Autori: Gazeta inFokus 10:34 | 11 September 2022

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz. Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij. Mbajtja e këtij samiti, nga njohësit e integrimeve evropiane shihet edhe si vëmendje politike e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Samitin e 3 nëntorit e ka konfirmuar një zëdhënës nga Qeveria e Gjermanisë.

“Takimi i ardhshëm i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj sepse ne nuk mund të parashikojmë përmbajtjen e bisedimeve. Për detaje të tjera rreth takimit do të njoftojmë me kohë”, thuhet në përgjigjen me shkrim për KosovaPress.

-Advertisement-

Mbajtjen e samitit e mirëpresin në Qeverinë e Kosovës. Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, thotë për KosovaPress, se Kosova është mbështetëse e fuqishme e Procesit të Berlinit. Ai thotë se janë të interesuar për krijimin e tregut të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor, ku i jepet incentivë lirisë së lëvizjes së qytetarëve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve.

“Kosova është mbështetëse e fuqishme e Procesit të Berlinit, sidomos tregut të përbashkët rajonal, të cilin në nëntor të vitit 2020, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar të zbatojnë një plan të veprimit me katër liritë që janë qenësore edhe për Bashkimin Evropian. Ajo e lirisë së njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve. Ne duam t’i jetësojmë këto në tregun e përbashkët rajonal, aty ku i kemi vlerat, standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian. Këto do të jenë një prej pikave të cilat ne besojmë dhe shpresojnë se do të jenë temë e samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit, i cili të mbahet në nëntor… Ne jemi shumë të interesuar që të arrijmë marrëveshje rajonale mbi këto bilaterale, ku krijojnë një treg të përbashkët me 17 milionë banorë në Ballkanin Perëndimor, ku jepet incentivë lirisë së lëvizjes qytetarëve, studentëve dhe bizneseve. Kështu të rritet potenciali jonë të përbashkët, por çdoherë duke respektuar vlerat, standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian”, thotë ai.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, thotë për KosovaPress, se samiti i 3 nëntorit do të jetë një kontribut për të shtyrë përpara marrëveshjet që kontribuojnë në krijimin e tregut të përbashkët rajonal.

“Takimi i 3 nëntorit ka dy qëllime. Qëllimi i parë është që të shërbejë si shembull i radhës i vëmendjes politike të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i dytë është më praktik, të kthehet vëmendja tek krijimi apo operacionalizimi i tregut të përbashkët rajonal. Ka qenë një kohë, janë negociuar një numër marrëveshjes të cilat do të lejojnë ngritjen e operacionialiizmit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian në rajon, por ato kanë ngecur. Takimi i 3 nëntorit do të jetë një kontribut i radhës për të shtyrë këto marrëveshje përpara dhe kontribu në krijimin e tregut të përbashkët rajonal, si përgatitje për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thekson ai.

Duke folur për iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”, këshilltari i Kurtit thotë se Procesi i Berlinit dëshmon s’ka nevojë për dyfishim të iniciativave të tjera që i replikojnë gjërat e njëjta.

“Ajo çka kemi dëgjuar çdo herë edhe nga kancelarja Merkel më herët, por edhe tash kancelari Scholz është se nuk përmendet asnjë iniciativë tjetër dhe përmendet vetëm Procesi i Berlinit. Kjo është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj të cilët janë të rreshtuar karshi vlerave dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Ne nuk jemi të interesuar për iniciativa të tjera të cilat nuk e kanë as burimin nga BE-ja, por të cilat nuk janë të orientuara as nga vlerat e Bashkimit Evropian. Çdo gjë që kemi duhet të burojë brenda kornizës së procesit të Berlinit, pasi aty jemi të gjashtë shtetet. Aty jemi dhe s’ka nevojë për dyfishime të iniciativave çfarë i kemi. Nuk duhet të harxhojmë energji dhe potencial të iniciativave të cilat e replikojnë gjëra të njëjtat”, tha ai.

Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 5 korrik të vitit 2021, nën udhëheqjen e ishkancelares gjermane, Angela Merkel.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel./KP

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera