Lajme

Sveçla përkujton aksidentin tragjik në Slavonski Brod, ka një lutje për mërgimtarët

Autori: Gazeta inFokus 10:51 | 25 July 2022

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovë, Xhelal Sveçla, e ka kujtuar aksidentin tragjik që ndodhi një vit më parë në Slavonski Brod të Kroacisë, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe u lënduan dhjetëra të tjerë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka apeluar për kujdes tek mërgimtarët të cilët janë nisur për në vendlindje.

Lexoni më poshtë postimin e plotë:

-Advertisement-

Mëngjesi i 25 korrikut të vitit të kaluar ishte i rëndë për shtetin e për popullin tonë. Autobusi që po sillte mërgimtarët nga Gjermania në Kosovë u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë, ku mbetën të vdekur 10 bashkëqytetar tanë e u lënduan dhjetëra të tjerë. Familjet Sylmetaj, Binakaj, Kastrati, Bellanica, Rrustemi, Kolmekshaj, Maloku, Idrizaj e Hoxha humbën më të dashurit e tyre.

Mërgata jonë ka mbajtur vendin gjallë në kohë lufte e paqe. Andaj, humbja e mërgimtarëve tanë që po vinin në vendlindje është plagë e madhe jo vetëm e familjeve por e të gjithë neve.

Në një vjetorin e humbjes së tyre shpresoj që familjarët të jenë të fortë ndonëse dhimbja është e madhe. Po ashtu, gjej rastin të falënderoj nga zemra autoritetet kroate për reagimin e shpejtë, kujdesin por edhe për bashkëndjenjën që kanë pasur me ne.

Të dashur mërgimtarë që keni arritur në vendlindje e ju që jeni nisur drejt nesh, ju lus për kujdes dhe uroj të kaloni pushime të mbara në Kosovë. Familjet tuaja, të gjithë ne dhe vendi juaj do ju pres gjithmonë krahëhapur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera