Lajme

Nesër mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, këto janë marrëveshjet që pritet të nënshkruhen

Autori: Gazeta inFokus 10:49 | 19 June 2022

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të takohen të hënën në Prishtinë. Në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive pritet që të nënshkruhen disa marrëveshje.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se gjatë kësaj mbledhje do të nënshkruhen disa marrëveshje në fushat e ndryshme.

“Marrëveshje që pritet të nënshkruhet do të përfshijnë fushat si ajo e arsimit, drejtësisë, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit, e sigurisë por jo vetëm”, tha Kryeziu.

-Advertisement-

“Disa prej marrëveshjeve janë lehtësimi i procedurës për lejeqëndrim 5 vjeçar për shtetasit e të dy vendeve; Hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash); Lehtësimi i procedurës për njohjen dhe njësimin reciprok të diplomave”, shtoi tutje ai.

Ndërsa i pyetur se sa po gjejnë zbatim këto marrëveshje, Kryeziu tha se nga zbatimi i marrëveshjeve që janë nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar kanë arritur rezultate të mira.

“Sa i përket marrëveshjeve të nënshkruara më 26 nëntor 2021, në Elbasan, të njëjtat kanë gjetur zbatim pa problematika, dhe janë arritur rezultatet si në vijim” tha ai për Front Online.

Përveç këtyre, zëdhënësi i Qeverisë tha se janë edhe katër marrëveshje tjera për të cilat po punohet që të fillojnë zbatimin.

“Gjithashtu janë në proces të zbatimit edhe marrëveshjet e tjera, për të cilat po punohet për aspektet teknike, sikurse janë: Rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit; Lehtësimi i procedurave të kalimit të kufirit në pikën Vërmicë-Morinë; Studimi i fizibilitetit për segmentin hekurudhor Durrës-Prishtinë; Njohja e ndërsjelltë e sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve”, tha ai.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, foli edhe për marrëveshjet e mëparshme të cilat janë arritur ndërmjet dy Qeverive.

Ai tha se gjithsej janë 127 marrëveshje, por që rezultati i tyre është i paprekshëm për qytetarët e të dyja shteteve.

“Ndërsa marrëveshjet e mëparshme janë 127 (pa përfshirë marrëveshjet e nëntorit). Marrëveshjet e mëparshme, në tërësi janë të përgjithshme dhe në jo pak raste pa efekt të prekshëm drejtpërdrejt nga qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë”, deklaroi ai.

Mbledhja e fundit e qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt në fund të nëntorit të shkuar në Elbasan.

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.

Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera