Donald Trump i lë një letër Presidentit Joe Biden
Autori: Gazeta inFokus 06:56 | 21 January 2021
Ish Presidenti Donald Trump respektoi një traditë tre-dekadëshe të udhëheqësve amerikanë në largim, duke i lënë pasardhësit të tij, demokratit Joe Biden, një letër në Zyrën Ovale, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.
Nuk dihej menjëherë se çfarë kishte shkruajtur ai në letër. I pyetur nga gazetarët, Presidenti Joe Biden u përgjigj nga Zyra Ovale se letra ishte shumë bujare, por se nuk mund të zbulojë përmbajtjen e saj pa biseduar paraprakisht me ish-Presidentin Trump. Duke marrë parasysh largimin nga Uashingtoni para mbarimit zyrtar të mandatit të zotit Trump në mesditën e së mërkurës, dhe mungesën e tij në ceremoninë inauguruese të Presidentit Biden, u ngritën pikëpyetje nëse zoti Trump do t’i përmbahej traditës së filluar në 1989 nga Presidenti Ronald Reagan.
Zoti Trump nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe ai dhe Biden nuk kanë folur që para ditës së zgjedhjeve presidenciale. Presidenti Trump nuk e përmendi me emër Presidentin Biden as në fjalën e shkurtër të lamtumirës në një bazë ajrore jashtë Uashingtonit. Presidentët e kaluar kanë lënë letrat e tyre në tavolinën e Zyrës Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ku presidentët e rinj kanë gjetur urime të mira menjëherë pas fillimit të mandatit të tyre katër vjeçar. Presidenti Reagan e filloi traditën, duke i thënë ish-nënpresidentit të tij dhe presidentit të ardhshëm George H.W. Bush: “George, unë çmoj shumë kujtimet që ndajmë dhe ju uroj gjitha të mirat. Ju do të jeni në lutjet e mia.”
Katër vjet më vonë, Bush uroi rivalin e tij demokrat, Bill Clinton, që e kishte mundur atë në zgjedhjet e nëntorit. “Suksesi juaj tani është sukses i vendit tonë. Unë tani do t’ju mbështes fort”, tha ai. Pas dy mandateve në Shtëpinë e Bardhë, Clinton i tha pasardhësit të tij, George W. Bush, djalit të ish rivalit të tij George H.W., në vitin 2001, “Ju do të drejtoni një popull krenar dhe të mirë. Dhe që nga kjo ditë, ju jeni presidenti i të gjithë neve. Ju përshëndes dhe ju uroj suksese dhe shumë lumturi.”
Pas tetë vjetësh si president, Bush i ofroi demokratit Barack Obama urimet e tij më të mira në vitin 2009. “Do të ketë momente sprove. Kritikët do të marrin zemër. ‘Miqtë’ tuaj do t’ju zhgënjejnë. Por, ju do të keni një Zot të Plotfuqishëm për t’ju inkurajuar, një familje që ju do dhe një vend që po ju mbështet, përfshirë mua.” Ndërsa u largua nga detyra katër vjet më parë pas dy mandateve në detyrë, Obama i uroi Presidentit Trump, edhe pse ai kishte bërë fushatë në vitin 2016 për demokraten Hillary Clinton. “Urime për një fushatë të jashtëzakonshme”, thuhej në letrën që zoti Obama la për Presidentin Trump. “Miliona njerëz i kanë vendosur shpresat e tyre tek ju, dhe të gjithë ne, pavarësisht nga partia së cilës i përkasim, duhet të shpresojmë për begati dhe siguri të zgjeruar gjatë mandatit tuaj. Unë dhe Michelle ju urojmë më të mirën juve dhe Melania-s ndërsa nisni këtë aventurë të madhe dhe e dini që ne jemi gati të ndihmojmë në çdo mënyrë që të mundemi”.
Kishte pikëpyetje në Uashington nëse Presidenti Trump do ta ndiqte shembullin me një shënim për Presidentin Biden, sepse zoti Trump tashmë kishte thënë se ai planifikonte të thyente një varg traditash të vjetra që lidhen me tranzicionin paqësor të pushtetit në Uashington. Presidentët që largohen zakonisht përshëndesin pasuesit e tyre në Shtëpinë e Bardhë në mëngjesin e ditës së inaugurimit dhe ata udhëtojnë së bashku drejt Kapitolit të Shteteve të Bashkuara për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri.
Por Presidenti Trump u largua nga Uashingtoni të mërkurën në mëngjes pas një ceremonie lamtumire ushtarake në një bazë ajrore jashtë Uashingtonit, duke hipur në avionin presidencial Air Force One për herë të fundit për një fluturim drejt rezidencës së tij përballë oqeanit Atlantik në Florida. Kjo është hera e parë në 152 vjet që një president amerikan në largim nuk merr pjesë në ceremoninë e betimit të pasuesit të tij, normalisht një akt publik që simbolizon transferimin paqësor të pushtetit në demokracinë amerikane.
Ish presidenti Trump, një manjat i pasurive të patundshme i shndërruar në politikan republikan, ka bërë akuza të pabazuara për manipulim të zgjedhjeve edhe pse dhjetra gjyqtarë, disa prej tyre të emëruar nga vetë ai, nuk gjetën prova thelbësore të mashtrimit që do të kishin vënë në pikëpyetje fitoren e zotit Biden. Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza ndaj zotit Trump javën e kaluar pasi ai u kërkoi mijëra mbështetësve të tij të marshonin drejt Kapitolit më 6 janar për t’u përballur me ligjvënësit ndërsa ata po çertifikonin votat e Kolegjit Zgjedhor që konfirmuan fitoren e zotit Biden.
Mbështetësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin, disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë, duke shkaktuar një kaos që la pesë të vdekur, përfshirë një polic vdekja e të cilit po hetohet si vrasje. Dhjetra njerëz tashmë janë arrestuar nën akuza të ndryshme ndërsa hetimi mbi sulmin në Kapitol është ende duke vazhduar. Zoti Trump përballet me një gjyq të Senatit në ditët në vijim për një akuzë të vetme, nxitjen e kryengritjes. Nëse shpallet fajtor, ai mund të mos ketë të drejtë të mbajë një post në qeverin federale. Por zoti Trump, para udhëtimit të tij jashtë Uashingtonit, tha se ai do të “kthehet në një formë”./VOA
Të tjera
-
Dërgohet në OKB propozimi final për rezolutën për Srebrenicën
Propozimi final për rezolutën për Srebrenicën i është dërguar presidentit të ...
-
Miratohet projekt-ligji për rregullimin e tregtimit për kripto-asetet
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka miratuar projektl...
-
Mentor Latifi, ambasadori i ri i Kosovës në Zvicër
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka emëruar Mentor Latifin, ambasador të...
-
Zhduken dy persona, një vajzë e mitur në Podujevë dhe një pacient nga Enti Special në Shtime
Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të zhdukjes në 24-orët e fundit. ...
-
ShSKUK-ja do të bëhet me dy klinika të reja
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë ditë së sotme do të vihet gurth...
-
Kurti: Kosova e gatshme për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Minis...
-
Vde kje e dyshimtë në Dragash
Një vdekje e dyshimtë është duke u hetuar nga policia në Dragash, shkruan Gaz...
-
Plag osja në Lupç: Tre persona ende në QKUK, konfiskohen vetura dhe fish ekë
Pesë persona janë arrestuar të mërkurën nga policia në fshatin Lupç të Poduje...
-
OBSH: Shqipëria me numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë
Me tkurrjen e popullsisë, numri i mjekëve për banorë erdhi në përmirësim vite...
-
AAK shënon 24 vjetorin e themelimit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot e shënon përvjetorin e saj. AAK-ja u ...
-
Osmani merr pjesë në Akademinë Përkujtimore në përvjetorin e Masakrës së Studimes
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në ora 12:00 merr pjesë në Akademinë...
-
Raporti i DASH-it diskutohet sot në Kuvendin e Kosovës
Pas seancës solemne, e cila i kushtohet komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, de...