28 Nëntori vazhdon të jetë ditë pune në Kosovë
Autori: Gazeta inFokus 09:34 | 28 November 2020
Për Betim Sopin nga Prishtina, 28 Nëntori përfaqëson historinë e vuajtjeve dhe sakrificave të popullit shqiptar. Si e tillë, kjo festë për të do të mbetet gjithmonë simbol i identitetit kombëtar.
“Është festë më vete 17 Shkurti, por 28 Nëntori është festë gjithëkombëtare. Kjo festë e ka vendin e vet dhe nuk zbehet nga festat e tjera”, tha Sopi për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Hysen Fazliu, qytetar nga Prishtina, ndihet shumë i lidhur emocionalisht me festën kombëtare të 28 Nëntorit.
“Për ne është mirë që e kemi edhe 17 Shkurtin, pasi simbolizon ndarjen nga Serbia, edhe është mirë që jemi 2 shtete. Por, ne e kemi një festë gjithëkombëtare, Festën e Flamurit”, tha Fazliu.
Sheshe dhe qytete të stolisura
Sheshet, dyqanet, madje edhe shumë objekte banimi në Kosovë janë stolisur me flamurin kuq e zi, për të shënuar festën kombëtare të 28 Nëntorit.
Në kalendarin e festave zyrtare, kjo datë në Kosovë vazhdon të jetë ditë pune. Në Ligjin për festat zyrtare, 28 Nëntori është i përfshirë te Ditët Memoriale, nën emërtimin “Dita e Shqiptarëve”.
Sidoqoftë, shumë institucione, duke përfshirë edhe vetë qeverinë, çdo vit, nxjerrin vendime të veçanta duke e shpallur ditë pushimi, datën 28 nëntor.
A po zbehen festat kombëtare?
Profesori i Sociologjisë, Artan Krasniqi, thotë se 28 Nëntori mbetet festë kryesore, pasi ka rrënjë të thella në gjurmët dhe identitetin kombëtar.
“Kjo festë kombëtare vazhdon të mbetet e fuqishme, pikërisht për shkak të kujtesës dhe traditës që e ka te shqiptarët e Kosovës”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
“Krijimi i shtetit të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe festat shtetërore, mund të kenë pasur një ndikim krejt të lehtë në zbehjen e entuziazmit për festën kombëtare. Megjithatë, mendoj se 28 Nëntori, do të vazhdojë të mbesë festë e rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, sepse shqiptarët këtej kufirit, nuk e përjetojnë 28 Nëntorin thjesht si një datë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por si një festë që ka konotacion të përbashkimit të të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, vlerëson Krasniqi.
Shkrimtarja Majlinda Bregasi, e cila është edhe profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, mendon se 17 Shkurti, data kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, vetëm sa e ka përforcuar identitetin kombëtar dhe lidhjen me 28 Nëntorin.
“Kosova sot ka fizionominë e vet, ka shtetin e vet, por 28 Nëntori, pavarësia e Shqipërisë, nuk ka qenë vetëm pavarësi e Shqipërisë në aspektin shpirtëror të shqiptarëve, por ka qenë shumë më tepër. Ka qenë njohje e identitetit të tyre kombëtar. Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat shqiptare çliroheshin nga perandoria osmane, pas 500 vjet pushtimi, pasi shqiptarët ishin komplet të harruar për botën në atë kohë”, konsideron Bregasi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.
Profesori Artan Krasniqi vlerëson se te të rinjtë kosovarë ekziston një lloj i sforcimit të identitetit shtetëror, porse ai konsideron se në përgjithësi në Kosovë, mbizotëron identiteti kombëtar.
“Identiteti nganjëherë është i përbashkët, ai kombëtar dhe shtetëror, siç është në rastin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por ka raste të tjera, kur shteti ka arritur ta krijojë identitetin e vet, po ashtu kombëtar, siç është rasti Zvicra deri diku, ose Austria ose shtete të tjera kombe”, thekson Krasniqi.
Profesoresha Majlinda Bregasi e sheh të natyrshme që njeriu të ketë disa identitete, të cilat megjithatë ajo i cilëson si shtresëzime të identitetit bazë.
“Ne shqiptarët e kemi lidhur shumë identitetin tonë etnik me gjuhën, sepse kushtet e tona të mbijetesës kanë qenë të tilla. Ne kemi qenë i vetmi popull që nuk e kemi lidhur identitetin tonë etnik, po flas për periudhën e Rilindjes, me religjionin për shembull, jemi një popull që i kemi katër religjione të mëdha, plus këto të tjerat, por jemi lidhur me gjuhën”, shprehet Bregasi.
“Lidhja e gjuhës me identitetin e njeriut, nuk është sipërfaqësore, nuk është diçka që mund të tejkalohet aq lehtë, sepse vetëm përmes gjuhës t’i arrin të mendosh, të formulosh mendimet”, konstaton ajo.
Profesorët Krasniqi dhe Bregasi pajtohen se mirëqenia ekonomike e shteteve shqiptare, nuk ndikon në sforcimin e një identiteti të ri. Profesor Krasniqi thotë se ‘emocioni , shpirti është nganjëherë shumë më i rëndësishëm sesa ajo që është materiale”.
Kosova, shtet multi-etnik
Kosova është e definuar si shtet shumetnik në Kushtetutën e saj, ku të gjitha komunitetet janë të barabarta. Në flamurin e saj shtetëror, janë gjashtë yje që përfaqësojnë komunitetet më të mëdha që e përbëjnë atë.
Festat kombëtare të komuniteteve, janë të përfshira vetëm te “Ditët Memoriale”, ndërkaq festat e saj shtetërore janë 17 Shkurti dhe 9 Prilli (Dita e Kushtetutës).
Të tjera
-
Shtëpi, banesë, tokë, ara, pyje e livadhe, kjo është pasuria e drejtorit të Policisë së Kosovës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka një pasuri t...
-
Kjo është pasuria e ministrit Arben Vitia
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar pasurinë në Agjencinë për ...
-
A ka marrëveshje mes VV-së dhe PDK-së, kështu përgjigjet Arben Gashi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se ka q...
-
Jasharaj – Nagavcit: E dimë se ke urdhër nga Kryeministri që të mos na takosh
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK),...
-
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi: Kosova vatër serbe që nuk do ta lëmë
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije e ka përmendur Kosovën ...
-
Aktori i njohur i humorit pranon Islamin?
Rezart Veleshnja, një ndër aktorët më të njohur të humorit, afirmuar e bërë e...
-
72 vjeçarja nga Kumanova mashtrohet nga shitësit e druve, raporton rastin në polici
MPB në Maqedoninë e Veriut njoftoi se një grua nga Kumanova 72 vjeçare ka rap...
-
Protestë më 1 maj, Jasharaj – Nagavcit: E dimë se ke urdhër nga Kryeministri që të mos na takosh
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK),...
-
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi: Kosova vatër serbe që nuk do ta lëmë
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije e ka përmendur Kosovën ...
-
Kryetari i Istogut deklaron mbi 3 mijë euro kursime në bankë, e bashkëshortja e tij vetëm 30
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati ka deklaruar pasurinë në Agjencinë...
-
Rama: Mbrëmë punonjës të “Pastrimi”, kanë sulmuar fizi*isht punonjësit e ri të kontraktuar për mbledhje të mbeturinave
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se mbrëmë ekipjet e kontrakt...
-
Haxhiu: Anëtarësimi në Këshillin e Evropës e hap rrugën për padi për gjenocid ndaj Serbisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se anëtarësimi i Kosovës në ...