A mund të sfidohet Google?
Autori: Gazeta inFokus
10:22 | 22 October 2020
Një rast mosbesimi i Qeverisë amerikane kundër gjigantit të kërkimeve në internet Google duket i fortë, por mund të përballet me një betejë të ashpër gjyqësore, paralajmërojnë ekspertët.
Kompania Google u padit më 20 tetor për dëmtimin e konkurrencës në kërkimet dhe reklamat në internet, përmes marrëveshjeve të shpërndarjes dhe kufizimeve të tjera, që e vendosin mjetin e saj të kërkimit në qendër, sa herë që konsumatorët shfletojnë ueb-in.
Për të fituar, Departamenti amerikan i Drejtësisë duhet të dëshmojë se Google ka fituar ose mbajtur pushtetin monopol përmes sjelljes abuzive, ose diçka përtej konkurrencës së bazuar në merita.
Disa ekspertë ligjorë thonë se keqbërja e dyshuar e Google duket e ngjashme me akuzat që Qeveria amerikane i ka ngritur në vitet 1990 kundër kompanisë Microsoft Corp.
Ky rast është zgjidhur në vitin 2002 me një dekret të pëlqimit, që ka kërkuar nga prodhuesi i sistemit operativ Windows ta ndalojë hakmarrjen ndaj prodhuesve të kompjuterëve, që kanë përdorur softuerë jashtë Microsoftit.
Rebecca Haw Allensworth, profesore në Shkollën e Drejtësisë Vanderbilt, tha se Departamenti i Drejtësisë ka vepruar mençur, duke ofruar argumente të besueshme në ankesën e tij prej 59 faqesh.
“Ata po i përmbahen ligjit ekzistues”, tha ajo.
Njëmbëdhjetë shtete amerikane iu bashkuan padisë së qeverisë dhe prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, tha se shteti i saj dhe gjashtë të tjerë, së shpejti, mund ta paraqesin padinë e tyre.
Ekspertët thonë se qeveria federale nuk ka gjasa të tërhiqet nga rasti dhe, në fakt, mund të bëjë presion më shumë, nëse demokrati Joe Biden fiton kundrejt presidentit aktual, Donald Trump, në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Google pritet të argumentojë se qeveria e mbivlerësoi fuqinë e kompanisë, duke e përkufizuar tregun e saj si shumë të ngushtë.
Por, disa ekspertë thonë se pranueshmëria e Google bën që rasti të varet nga dy gjëra: nëse dominimi buron nga konsumatorët që e preferojnë atë përballë rivalëve të saj, ose nëse kompania me bazë në Kaliforni i ka larguar konsumatorët nga rivalët e saj.
“E dimë se Google ka një pjesë të madhe të këtij tregu”, tha John Lopatka, profesor i së drejtës në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë. “Pyetja është: pse”, shtoi ai.
Shubha Ghosh, profesor i së drejtës në Universitetin e Sirakjuz, tha se Qeveria amerikane pretendon se Google po i pengon motorët e kërkimit, më miqësorë ndaj konsumatorëve – të tillë si ata që nuk mbledhin të dhëna të përdoruesve për t’i personalizuar reklamat – për të fituar popullaritet.
Por, sipas tij, Google mund të argumentojë se motori i tij i kërkimit është efektiv në gjenerimin e rezultateve që konsumatorët i duan dhe se “nuk ka qenë e menduar të bëjë përjashtim”.
Ose, sipas Lopatkës, Google mund të thotë: “Ne kemi qenë një firmë e admiruar dhe kemi bërë vërtet punë të mirë, andaj edhe jemi bërë kaq dominues”.
Çmimet e rritjes së shpejtë shpesh tregojnë se klientët janë dëmtuar nga sjellja anti-konkurruese.
Por, Google i ofron shërbimet e kërkimeve falas dhe kjo gjë i rrit sfidat e Departamentit të Drejtësisë.
“Trendi në doktrinën gjyqësore, në vendimet e Gjykatës Supreme, që përfshijnë firmat mbizotëruese, ka qenë që kompanive të mëdha t’iu jepet liri e gjerë, për t’i zgjedhur strategjitë e biznesit, që ato preferojnë”, tha William Kovachich, profesor i së drejtës në Universitetin George Washington dhe ish-kryetar i Komisionit Federal të Tregtisë.
“Nëse jeni një paditës, përfshirë paditës qeveritar, kjo është e vështirë për t’u kapërcyer – jo e pamundur, thjesht shumë e vështirë”, tha ai.
Sipas ekspertëve, edhe nëse Departamenti i Drejtësisë dëshmon se Google ka krijuar monopol dhe ka abuzuar me fuqinë e monopolit, gjykata mund ta ketë të vështirë të krijojë masa, që do ta përmirësonin konkurrencën në kërkime.
“Të bësh një motor kërkimi nuk është e lehtë”, tha Chris Sagers, profesor i së drejtës në Universitetin Shtetëror të Kllivllendit.
Sipas tij, “duket jashtëzakonisht e vështirë që ndonjë firmë tjetër ta sfidojë Google në mënyrë domethënëse”./REL

T� tjera
-
“Ditët e Nëntorit” rikthehet në Gjakovë: katër netë me muzikë e traditë nga Gjakova, Berati, Ulqini dhe Korça
Gjakova do të mirëpresë edicionin e tretë të festivalit “Ditët e Nëntorit”, i...
-
Zv.Presidenti amerikan e “gjen” fajtorin për humbjen e Republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka thënë se arsyeja kryesore e humbjes...
-
Tre policë lëndohen gjatë ndërhyrjes pas incidentit mes tifozëve në Gjilan
Tre zyrtarë policorë janë lënduar të mërkurën në Gjilan, pas ndërhyrjes për t...
-
Edhe Kurti pret në takim gjeneralin Osborn: U pajtuam për rolin e Kosovës në stabilitetin e Ballkanit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Agjutantin e Përgjith...
-
Shiroka-Pula dekoron gjeneralin amerikan Osborn me Medaljen Presidenciale Ushtarake
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, dekoroi gjeneralin Steven Osborn...
-
IKD: Raporti i KE-së evidenton mungesë progresi në sundimin e ligjit dhe dështim të reformave
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Raporti i Komisionit E...
-
Platforma “Liria ka Emër” të enjten mban konferencë për media
Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të mbajë të enjten konferencë për media...
-
Pas humbjes së zgjedhjeve, vjen largimi i parë nga radhët e Republikanëve në SHBA
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, ka njoftuar se nuk ...
-
Nesër seanca e Kuvendit, ky është rendi i ditës
Gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës...
-
Pas uniformave e kapelave, nuk arrijnë ta sigurojnë as të gjithë sallën – Kadetëve u kërkohet të marrin vetëm nga dy familjarë në diplomim
Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Koso...
-
BE: Situata në veri, e brishtë – retorika vazhdon ta pengojë normalizimin Kosovë – Serbi
Kosova dhe Serbia kanë bërë pak përparim në dialogun për normalizimin e marrë...
-
Të shtëna në Skivjan të Gjakovës, policia tregon çka gjeti në vendin e ngjarjes
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të të shtënave me armë zjarri në f...

































