Opinione

Efektet e donacioneve të jashtme në sistemin e drejtësisë

Autori: Agron HOTI 11:04 | 10 June 2020

Shkruan: Agron HOTI

Në shumicën e raporteve vendore dhe ndërkombëtare vihen në pah kontributet e shumta të donatorëve të jashtëm në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës. Miliona EUR janë shpenzuar që nga paslufta e deri më sot dhe asnjëherë nuk ka pasur një vlerësim gjithëpërfshirës nga ana e institucioneve të Kosovës e as nga komuniteti ndërkombëtar, se cili ka qenë kontributi i vërtetë i këtyre shumave të parave në zhvillimin e gjithmbarshëm institucional të Kosovës. Sigurisht që shteti i Kosovës u është dhe duhet t’u jetë përgjithmonë mirënjohës të gjithë donatorëve të jashtëm për kontributet e shumta të tyre, përmes të cilave, përpos që është kthyer normaliteti jetësor në një vend të shkatërruar nga lufta, janë themeluar pothuaj të gjitha institucionet e Kosovës.

Ndërkohë që, opinioni publik në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur një pasqyrë të qartë të sasisë së dhe efekteve të donacioneve të jashtme në zhvillimin institucional të Kosovës. Edhe mes qytetarëve perëndimorë, kryesisht të atyre të BE-së, dhe më gjerë ka paqartësi mes asaj që i është ofruar dhe asaj që ka përfituar në të vërtetë Kosova dhe kjo jo rrallë e rëndon imazhin tonë jashtë vendit me pretendimin se të gjitha ato mjetet financiare kanë ngelur në Kosovë.

-Advertisement-

Përderisa qarqe të ndryshme ndërkombëtare thonë që Kosova është ndër përfituesit më të mëdhenj në glob të donacioneve të jashtme për kokë banori, çdo qytetar i Kosovës dhe pse jo perëndimor ka nevojë ta dijë se ku kanë shkuar gjithë ato fonde.

E vërteta është se pjesa dërmuese e donacioneve të jashtme që Kosovës i jepen në formë të asistencës teknike (ekspertizë- dhe këshillëdhënie) përfundojnë nëpër xhirollogaritë e firmave ndërkombëtare, të cilat janë implementuese të projekteve dhe programeve të financuara nga donatorët e jashtëm operues në Kosovë. Pra, janë firmat ndërkombëtare me bagazhin e tyre profesional, ato që aplikojnë në tenderët e shpallur nga donatorët e jashtëm përmes procedurave të tyre tenderuese. Ajo çfarë mbetet në Kosovë nga kjo asistencë zhvillimore është dija apo ekspertiza e ofruar nga këto firma konsulente ndërkombëtare.

E sektori në Kosovë, i cili më së shumti është mbështetur me donacione të jashtme është ai i Sundimit të Ligjit, veçanërisht sistemi i drejtësisë dhe punëve të brendshme. Aq shumë është dhënë dhe jepet asistencë në sistemin e drejtësisë dhe punëve të brendshme saqë koordinimi i kësaj asistence deri me tani ka qenë shumë i vështirë në mos i pamundshëm. Përpos që nuk ka pasur kapacitete vendore për një vlerësim të tillë, edhe vullneti politik pothuaj gjithnjë ka munguar për një mega-ndërmarrje të tillë, ç’është e vërteta nuk është se ka pasur edhe ndonjë vullnet ndërkombëtar për të bërë një prerje të qartë mes asaj që është arritur dhe s’është arritur.

Kur kontributit të donacioneve të jashtme ia shtojmë edhe kontributet e misioneve ndërkombëtare që operojnë në Kosovë (KFOR, UNMIK, EULEX, EUSR, OSBE), atëherë kompleksiteti i asistencës zhvillimore në sektorin e drejtësisë dhe punëve të brendshme vetëm sa shtohet. Vlen të theksohet se vetëm kostoja kohore që duhet shpenzuar sektori i drejtësisë dhe punëve të brendshme për t´u marrë me aktivitete të panumërta të projekteve dhe programeve të donatorëve të jashtëm është aq e madhe saqë kjo nganjëherë reflekton edhe në performancë konfuzive institucionale.

 

2

Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë së Kosovës, me ndihmën e UNDP-së, duke qenë institucioni i parë vendor dhe ndërkombëtar që ka vlerësuar donacionet e jashtme në sektorin e drejtësisë në Kosovë si dhe duke qenë e përkushtuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies karshi opioninit vendor e ndërkombëtar, kishte arritur që gjatë periudhës nëntor 2016 deri në shkurt 2017 të vlerësonte 39 projekte e programe të donatorëve të jashtëm (përjashtuar projektet infrastrukturore), pra projekte që kanë mbështetur sektorin e drejtësisë që nga viti 2009 deri në 2017, pra në total kishte vlerësuar 120 milion EUR donacione, shumë kjo e mjaftueshme për të krijuar një masë kritike të vlerësimit si bazë për orientim më të mirë të politikave dhe legjislacionit në këtë sektor kompleks. Sigurisht që sasia e donacioneve të jashtme për sektorin e drejtësisë ka qenë shumë më e madhe sesa ajo e vlerësuar. Ndërsa, tërësia e donacioneve të jashtme në sektorin e punëve të brendshme asnjëherë nuk është vlerësuar deri më sot, as nga institucionet vendore e as nga ato ndërkombëtare.

Përmes këtij vlerësimi Ministria e Drejtësisë synonte që: i) të përmirësonte kapacitetet institucionale për planifikimin, koordinimin, monitorimin dhe vlerësimin e donacioneve të jashtme; ii) të maksimalizonte përfitimet e institucioneve të drejtësisë nga kontributet e donatorëve të jashtëm; dhe iii) të rriste llogaridhënien dhe transparencën karshi qytetarëve lidhur me efektet e donacioneve të jashtme në sektorin e drejtësisë. Metodologjia e vlerësimit të projekteve dhe programeve qe bërë sipas kritereve të DAC (Development Assistance Committee) të OECD-së (Organisation for Economic Cooperation and Development). Janë 5 DAC kritere mbi të cilat bëhet vlerësimi i projekteve dhe programeve në nivel global si: relevancë, efiçencë, efektivitet, ndikim dhe qëndrueshmëri.

Për të rritur transparencën dhe llogaridhënien para publikut, Ministria e Drejtësisë, më 15 maj 2017, kishte organizuar dhe një konferencë për media me titull “Rritja e cilësisë dhe efekteve të donacioneve të jashtme në sektorin e drejtësisë në Kosovë” duke ftuar kështu të gjitha institucionet e drejtësisë, tërë komunitetin e donatorëve të jashtëm operues në sektorin e drejtësisë, shoqërinë civile dhe mediat. Në këtë konferencë janë prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e misionit vlerësues të donacioneve të jashtme në sektorin e drejtësisë si dhe janë dhënë refleksione orientuese mbi rëndësinë e pakontestueshme të nevojës së përmirësimit të koordinimit dhe mbikëqyrjes së donacioneve të jashtme nga ana e institucioneve të Kosovës, gjithnjë me qëllimin parësor të rritjes së cilësisë dhe efekteve të donacioneve të jashtme në zhvillimin e gjithmbarshëm të sektorit të drejtësisë.

Ndër të gjeturat kryesore gjatë këtij procesi vlerësues ka qenë fakti që sektori i drejtësisë dhe ai i sundimit të ligjit në përgjithësi janë të tejngopur me projekte e programe të shumta të donatorëve të ndryshëm. Kostoja kohore e institucioneve përfituese për të përcjellur të gjitha aktivitetet e projekteve dhe programeve – jo gjithherë të koordinuara – është aq e madhe saqë nganjëherë ndikon në shpërqendrim institucional. Kjo nuk do të thotë që sektori i drejtësisë nuk ka nevojë për donacione të jashtme, përkundrazi ka shumë nevojë, vetëm se numri i donacioneve, përpos që duhet të jetë shumë më mirë i koordinuar mes donatorit dhe institucionit përfitues, ai për më tepër duhet bazuar edhe në kapacitetet ekzistuese absorbuese institucionale dhe dinamikat zhvillimore ekzistuese dhe në ardhje në institucionet e drejtësisë.

Ajo që duhet thënë është fakti se sektori i drejtësisë në veçanti dhe ai i sundimit të ligjit në përgjithësi asnjëherë nuk kanë pasur politika të qarta dhe të unifikuara mbi bazën e të cilave do të mund të ndërtohej një legjislacion stabil për fushën e drejtësisë. Asnjëherë nuk ka pasur një strategji sektoriale afatgjatë për zhvillimin e sektorit të sundimit të ligjit, në bazë të së cilës do të jepeshin orientimet e nevojshme stategjike afatmesme dhe afatgjata për këtë sektor

 

3

kompleks. Si rrjedhojë intervenimet në këtë sektor si nga brenda ashtu edhe jashtë kanë qenë më shumë sporadike dhe jo në linjë me nevojat e vërteta të këtij sektori. Përzierjet e përgjegjësive mes UNMIK-ut, EULEX-it dhe institucioneve vendore të drejtësisë vetëm sa kanë kontribuar në ndërlikim të situatës brenda këtij sektori. Kjo ka bërë që asistenca e ofruar të jetë shpesh konfuzive, përgjithësisht e pakoordinuar dhe me efekte të kufizuara. Sigurisht që ka pasur edhe progres nëse e shikojmë trajektoren zhvillimore prej pasluftës e deri më sot, por jo sa ka pasur mundësi.

Procesi vlerësues i lartëpërmendur, ndër të tjera, ka treguar që zhvillimet në sistemin juridik të Kosovës nuk reflektojnë plotësisht në plan-programet e Fakulteteve të Drejtësisë të Universiteteve Publike dhe Private në Kosovë, si bazamenti i arsimimit juridik për të gjithë komunitetin e juristëve. Në mungesë të këtij refleksioni, komuniteti i juristëve në Kosovë ka pasur dhe ende ka vështirësi të panumërta në përballjen së tyre me nevojat e vërteta të tregut të punës, kjo sepse mësimi teorik dhe i stërngarkuar me lëndë, (mos)dobia e të cilave asnjëherë nuk është analizuar në mënyrë profesionale, nuk ka pasur mundësi të reflektojë në dinamikat e tregut të punës në Kosovë. Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk janë marrë me një analizim të thuktë të gjendjes për të krahasuar sistemin juridik të Kosovës me përmbajtjen dhe ofertën e plan-programeve të fakulteteve juridike. Sot ka shumë zhvillime institucionale, të cilat nuk reflektojnë në kurikulat e fakulteteve juridike, ashtu siç ka shumë zhvillime nëpër fakultete juridike, të cilat nuk reflektojnë nevojat e tregut të punës për juristët e diplomuar.

Mungesa e stabilitetit ligjor, pra plotësim-ndryshimet e shpeshta të ligjeve, kolizioni ligjor, mospastrimi dhe moskonsolidimi i ligjeve përbëjnë vështirësi serioze në zbatimin adekuat dhe të saktë të legjislacionit në fuqi ashtu sikundër që pengojnë fuqizimin e sektorit të drejtësisë në linjë me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së. Kjo sepse të gjitha këto defiçenca krijojnë paqartësi dhe konfuzion në zbatimin e normave nga zbatuesit e ligjeve p.sh. nga gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesione të lira ligjore, polici, etj. Kur kësaj i shtojmë dhe shpërndarjen joadekuate të resurseve njerëzore nëpër institucione të drejtësisë, atëherë e kuptojmë më lehtë gjendjen në sektor. Si rezultat i këtij fenomeni shumë donacione të jashtme qysh në start kanë filluar dhe ende fillojnë, pa fajin e tyre, në një mjedis ligjor jostabil dhe kjo ka bërë që efektet e tyre në segmente të caktuara të sektorit të drejtësisë të jenë të kufizuara nëse jo inekzistente.

Tejzgjatja e përfundimit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit si alfa dhe omega e ri-dinamizimit të këtij sektori të ndjeshëm, ka bërë që progresi në këtë sektor të jetë i limituar. Nuk duhet harruar se hartimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për zhvillimin e sektorit të sundimit të ligjit e shoqëruar me sigurimin e resurseve të nevojshme financiare dhe njerëzore do të krijonte bazën për një orientim adekuat të politikave, legjislacionit, resurseve dhe infrastrukturës për tërë sektorin e sundimit të ligjit si dhe do të identifikonte nevojat adekuate për mbështetje specifike dhe më të koordinuar të donacioneve të jashtme. Sa më shpejtë që kryhet Rishikimi Funksional, përfshirë vetingun, i ngjashëm me reformën në drejtësi në Shqipëri, sa më shpejtë që hartohet strategjia zhvillimore e për sektorin e sundimit të ligjit, e shoqëruar me vullnet e konsensus politik dhe sa më shpejtë fillon zbatimi adekuat i kësaj strategjie, aq më shpresëdhënëse do të jenë projeksionet për zhvillimin e këtij sektori në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Hej, hej, hej, erdhi Black Friday me zbritje deri në 75% në Comodita Home
-Advertisement-

Të tjera