Lajme

​Gramoz Berisha dhe nëna e tij përkujtojnë 52 familjarët e vrarë nga forcat serbe

Autori: Gazeta inFokus 14:32 | 26 March 2020

21 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të më shumë se 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

E tëra nisi kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk gjendet më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, do të shfaqeshin paramilitarët serbë, që disa do t’i vrisnin në pragun e shtëpisë e të tjerët do t’i dëbonin nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin e një kafiterie, ku edhe do të ndodhte masakra.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.

-Advertisement-

Në përkujtim të kësaj dite të tmerrshme për familjen Berisha, Gramoz Berisha dhe nëna e tij, Vjollca kanë përkujtuar më të dashurit e tyre në hyrje të lokalit ku 21 vjet më parë u vranë dhe u dogjën 52 familjarët e tyre.

“Ata mbijetuan bashkë me Shyhreten, që t’i rrëfejnë botës për tragjedinë njerëzore të një populli të vogël në mes të Evropës. Ata mbijetuan që mbi ne të rëndoj barra, përgjegjësia e kujtimi për të mos harruar kush ishim dhe kush jemi sot. I kemi shumë borxh Gramozit, dhe mijëra familjeve të tjera që humbën më të dashurit e tyre. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”, shkruan Bashmir Xhemaj në Facebook.

Familja Berisha ka marrë mbështetje edhe nga familjarë të tjerë në ditën e përkujtimit të kësaj masakre të tmerrshme.

“Sa herë e dëgjoj thënien “Njeriu është më i fortë se guri” më kujtohet zonja Vjollca e cila vendosi ta vazhdojë jetën që ta shndërrojë një djalosh në shkëmb! Ti i shërbeve Mozit tonë që ai sot të bëhet burrë e t’i shërbej këtij populli, je frymëzim për çdo prind”, shkruan urim Zenealj në Facebook.

Para pak vjetësh disa prej anëtarëve janë gjetur dhe janë varrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e familjes Berisha.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera