Lajme

Zyrtarët e Moskës po i ikin mobilizimit ushtarak! Nëpër administrata ikin 30% e punonjësve

Autori: Gazeta inFokus 09:52 | 26 October 2022

Zyrtarët që punojnë për administatën lokale të Moskës, dhe autoritetet federale në kryeqytet, janë duke i ikur mobilizimit të pjesshëm ushtarak, sipas disa raportimeve në media.

“Në disa departamente të administratës lokale, numri i punëtorëve meshkuj që kanë ikur nga Rusia ka arritur në 20 deri në 30 për qind të të gjithë stafit”, ka raportuar faqja, Vyorstka.

Specialistët e teknologjisë informative, në veçanti, kanë ikur në Kazakistan, Kirgizi, Taxhikistan dhe Uzbekistan, ka thënë kjo faqe.

-Advertisement-

Kjo për faktin se shumë shërbyes civilë, sidomos në nivel administrativ, nuk kanë imunitet nga thirrjet e tilla, pasi nuk konsiderohen “staf i domosdoshëm”, është thënë mes tjerash në raportime.

Vdekja e udhëheqësit të një departamenti të qytetit të Moskës, në Ukrainë ditë më parë – pas mobilizimit të pjesshëm të Rusisë – përveç bërjes lajm nëpër media, ka krijuar panik edhe në mesin e kolegëve.

Në raportime është thënë se eksodi ka paralizuar punën e disa departamenteve, kryesisht ato të shëndetësisë dhe edukimit.

Edhe institucionet tjera është thënë se kanë ndjerë mungesën e stafit.

Zyrtarë politikë dhe ushtarakë u kanë premtuar shumë punëtorëve se do të përjashtohen nga thirrja, sidomos ekspertët e teknologjisë informative.

Megjithatë, vërtetimi i një statusi të tillë përbën proces të gjatë burokratik.

Autoritetet ruse nuk kanë komentuar zyrtarisht raportimet për ikjet e zyrtarëve.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar javë më parë mobilizim të pjesshëm ushtarak për të ndihmuar në luftën e nisur në Ukrainë.

Sipas zyrtarëve ushtarakë, thirrja për mobilizim u është dërguar 300.000 personave.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera