Lajme

Zemaj: Shqetësuese rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në Podujevë

Autori: Gazeta inFokus 16:31 | 25 November 2020

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka marrë pjesë sot në takimin e shtabit emergjent të Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga koronavirusi, ku është shqyrtuar gjendja aktuale me pandeminë dhe zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë për masat e veçanta antiCOVID-19.

Zemaj tha se të dhënat e fundit lidhur me situatën epidemiologjike në Podujevë janë shqetësuese, duke potencuar se vetëm javën e fundit janë infektuar 264 persona.

Ai apeloi që të gjithë kandidatët në fushatën zgjedhore për kryetar komune më 29 nëntor të respektojnë vendimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

-Advertisement-

Me këtë rast ministri Zemaj ka falënderuar personelin shëndetësor për angazhimin në këtë gjendje pandemie.

“Zotohem se deri në përfundim të Spitalit, qytetarëve të Llapit nuk do t’ju mungojnë shërbimet e nevojshme shëndetësore”, tha Zemaj, duke treguar se QKMF do të ndihmohet me pajisje mjekësore.

Në takimin e shtabit emergjent, nënkryetari Nexhmi Rudari tha se pavarësisht masave të fundit nga Qeveria e Kosovës për kufizim të lëvizjes dhe veprimtarive, në Komunën e Podujevës ka përkeqësim të gjendjes epidemiologjike dhe rritje të numrit të prekurve me COVID-19.

Ai potencoi rrezikun e përhapjes së koronavirusit gjatë ditëve të fushatës elektorale, dhe kërkoi të shmangen tubimet me më shumë persona sesa lejohet me masat e fundit të Qeverisë, si dhe duke respektuar masat mbrojtëse.

Ndryshe, në Podujevë janë rreth 3 mijë persona në vetizolim si pasojë e COVID, 439 raste janë ende aktive, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 30 pacientë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera