Lajme

Zëdhënësi i Qeverisë lë të hapur mundësinë që zgjedhjet në Veri të shtyhen: Pengimi i tyre, sulm ndaj demokracisë

Autori: Gazeta inFokus 12:53 | 07 December 2022

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se po presin vlerësim të situatës në Veri nga organet e sigurisë për hapat e mëtejmë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 18 dhjetor.

Kryeziu në një postim të bërë në Facebook thekson se mbajtja e zgjedhjeve është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se është treguar gatishmëri për të ofruar kushte për mbarëvajtjen e tyre.

“Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, shkruan mes tjerash Kryeziu.

-Advertisement-

Postimi i plotë:

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë.

Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre.

Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre.

Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë.

Edhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier sot është shprehur i shqetësuar me zhvillimet e djeshme në veri të Kosovës.

Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për faktin se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për faktin se për momentin nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar Hovenier.

Pasditen e së martës, incidente të njëpasnjëshme ndodhën Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.

Policia tha se persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar, dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës.

Sipas këtij institucioni, në këto incidente janë përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.

Sulmet ndodhën në ditën kur zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor shkuan në veri për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Reagime pati kryeministrin Albin Kurti, i cili paralajmëroi shtim të forcave policore në veri, ndërsa fajësoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për orkestrimin e tyre.

Kurti ka paralajmëruar prezencë më të shtuar policore atje, derisa ka thënë se “Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron” bandat kriminale.

Sipas Kurtit, këto banda paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Shpërthimet në veri/ Kush qëndron pas tyre dhe si duhet të veprohet, flet eksperti i sigurisë

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…
-Advertisement-

Të tjera