Fokus

Shpërthimet në veri/ Kush qëndron pas tyre dhe si duhet të veprohet, flet eksperti i sigurisë

Autori: Elvira Haxhiu 11:25 | 07 December 2022

Të martën mbrëma, gjendja në veriun e Kosovës nuk ishte e qetë. Kjo pasi në këtë pjesë të vendit, përkatësisht në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut ndodhën disa shpërthime, të cilat penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në prag të zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Por, kush qëndron pas këtyre shpërthimeve në veri të Kosovës?

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për Gazetën Infokus, këto sulme i ka quajtur shumë serioze. Ndërsa, sipas tij pas tyre qëndron Beogradi zyrtar.

-Advertisement-

Madje ai ka thënë se aktet e dhunshme të organizuara nga Serbia, janë duke rrezikuar jetën e qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në veri të Mitrovicës.

“Shërbimet sekrete serbe BIA dhe ato ruse GRU, qëndrojnë në krye të organizimit të këtyre aktiviteteve të dhunshme, të cilat po realizohen përmes grupeve kriminale të cilat veprojnë të pa penguara që shumë vite në atë zonë”, ka thënë Elezi.

Derisa, sipas tij presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po mundohet të provokojë një konflikt që do të ndikonte në sigurinë e Ballkanit.

“Ne jemi dëshmitar, se Rusia po mundohet të minoj investimin e SHBA-ve dhe partnerëve të saj Evropian për demokraci dhe liri në Ballkanin Perëndimor, duke tentuar të krijoj konflikte të reja si: ne Kosovë, Bosnje, Maqedoni, Serbi dhe Malin e Zi, dhe krejt kjo për të arsyetuar humbjet e saja në Ukrainë”, ka thënë ai për Infokus.

Si duhet të veprojnë institucionet karshi këtyre zhvillimeve?

Eksperti i sigurisë thotë se institucionet e drejtësisë në bashkëpunim më faktorët ndërkombëtar duhet të punojnë në dekriminalizimin e veriut të Kosovës.

“Duke marrë parasysh faktin se Serbia është e interesuar për eskalimin e situatës së sigurisë, njëherësh përshkallëzimin e dhunës në veri, institucionet e republikës së Kosovës duhet me kujdes të ushtrojnë aktivitetet e tyre policore për zbatimin e vendimeve të republikës së Kosovës në veri, ngase këto momente janë duke u pritur nga Serbia dhe Rusia për eskalimin e situatës në gjithë rajonin”, ka deklaruar Elezi.

“Në momentin që institucionet e zbatimit të ligjit do të bindin faktorin ndërkombëtar se veriu i Mitrovicës duhet të dekriminalizohet, atëherë mund të organizohen operacione të përbashkëta me KFOR, EULEX dhe UNMIK për të zhvilluar plane operative policore në veri, kështu mund të vendosen para drejtësisë grupet kriminale dhe pas asaj të integrohet edhe veriu i Mitrovicës”, ka thënë ai për Infokus.

Çfarë ndodhi të martën në veri?

Mbrëmjen e së martës në Zubin Potok dhe Mitrovicë të veriut ndodhën disa shpërthime dhe gjuajtje më armë, ku përveç incidenteve pasoja në njerëz nuk pati. Kjo besohet të ketë ndodhur me qëllim të pengimit të fillimi të përgatitjeve për zgjedhjet e 18 dhjetorit në katër komunat veriore.

Lidhur me këto sulme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupe të organizuara me disa individë të maskuar kanë sulmuar zyrtarët zgjedhorë dhe policët me shok bomba dhe të shtëna.

“Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cenohet nga askush”, ka shkruar Sveçla.

Derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka filluar hetimet lidhur me situatën e krijuar.

LEXONI EDHE: Sveçla: Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba

E një gjë e tillë u konfirmua të martën edhe nga ky institucion, ku përmes komunikatës për media nga policia thanë se persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës, duke përdorur mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.

LEXONI EDHE: Policia jep detaje për shpërthimet në Veri

Lidhur me këto sulme reagoi edhe i pari i ekzekutivit, Albin Kurti.

Përmes një postimi në “Facebook”, kryeministri tha se pas këtyre sulmeve do të ketë prani të shtuar të policëve në veri të vendit.

Derisa sipas tij këto sulme në atë pjesë të vendit po bëhen nga bandat kriminale të dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato”, ka shkruar Kurti.

LEXONI EDHE: Kurti reagon pas shpërthimeve në veri: Doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se përgjegjëse për këto sulme janë bandat e kriminalizuara të cilat përkrahen politikisht dhe financiarisht nga Vuçiq.

“Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë të Kosovës, të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar, pavarësisht etnisë”, tha Osmani gjatë një konference për media në Tiranë, pas samitit të mbajtur midis liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

LEXONI EDHE: Osmani: Situata në veri eskalon për shkak te bandave kriminale që përkrahën nga Vuçiq

Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani dhe Leposaviqi, janë pa kryetarë që nga fillimi i nëntorit, gjë që çoi në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto katër komuna.

Kujtojmë se zgjedhjet e 18 dhjetorit erdhën si pasojë e dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, të cilët kundërshtuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targave ilegale serbe në ato RKS./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera