Fokus

Zbulohen ‘shkelje’ të reja për emërimin e Bordit të ‘Ibër Lepencit’, qeveria Kurti përzgjedh persona që nuk rekomandohen nga Ambasada Britanike

Autori: Gazeta inFokus 15:42 | 04 May 2022

Prezenca e ekspertëve të Ambasadës Britanike në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të Ndërmarrjeve Publike dhe kryesuesve të tyre, në Kosovë, po del të jetë vetëm sa për sy e faqe.

Rekomandimet e tyre nuk po merren parasysh as kur në krye të qeverisë është Albin Kurti, sa i përket përzgjedhjes së bordeve të këtyre ndërmarrjeve.

Këtë të shtunë qeveria e drejtuar nga, Kurti, bëri përzgjedhjen e anëtareve të Bordit të Ndërmarrjes Hidro Ekonomike “Ibër – Lepenc”, por kjo zgjedhje nuk përkon me personat e rekomanduar nga ekspertët e Ambasadës Britanike.

-Advertisement-

E gjithë kjo duke filluar nga kryesuesi i bordit e deri te anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrjeje, zgjedhje emrash të cilët nuk kanë as edhe një përputhshmëri mes poentimit të Ambasadës Britanike dhe të përzgjedhurve nga ana e Qeverisë.

Të shtunën Gazeta Infokus ka raportuar se Qeveria Kurti bëri një përzgjedhje e cila bie ndesh me vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës Britanike.

LEXO EDHE: Qeveria Kurti nuk përfillë vlerësimin e britanikëve, emëron në Bord të “Ibër Lepencit” kandidatët e vlerësuar me më së paku pikë nga ta

Ani pse Bajram Mustafa, del të jetë kandidati më pak i vlerësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, kjo nuk i ka penguar qeverisë që ta zgjedhë atë për kryesues të bordit në këtë ndërmarrje.

Britanikët, Mustafën e kishin renditur si të 10-in në listë, duke e vlerësuar me vetëm 18.5 pikë, ndërsa 9 kandidatët e tjerë që u anashkaluan nga qeveria, kishin marrë nga 19 deri në 23 pikë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Ndërkaq edhe pse i 11 në listën e britanikëve me 18.5 pikë, Avdullah Nishori, zgjidhet për të qenë anëtar i Bordit të Ndërmarrjes Publike ‘Ibër Lepenc”.

Por në këtë përzgjedhje po del se ka edhe “shkelje” të tjera, shkruan Gazeta Infokus.

Valmira Latifi, nuk figuron fare në listën për Kandidatët që mund të emërohen e përpiluar nga ekspertët e ambasadës britanike por gjithsesi ajo është përzgjedhur nga qeveria e Kosovës për anëtare të bordit të “Ibër Lepencit”.

Latifi figuron në mes të listës së vendimin e qeverisë ani pse nga ekspertët e ambasadës së Britanisë Madhe ajo nuk ka marr vlerësime pozitive për të qenë pjesë e drejtimit të kësaj ndërmarrje publike.

Kujtojmë edhe një herë që të shtunën Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka emëruar Bordin e Ndërmarrjes Publike ‘Ibër Lepenc”, ku për kryesues të këtij bordi zgjodhi Bajram Mustafën, ndërsa si anëtar janë emëruar Violeta Hoxha, Denis Dautaj, Valmire Latifi, Avdullah Nishori dhe Myzafer Luma.

Përderisa ekspertët e Ambasadës së Britanisë së Madhe kishin rekomanduar në listën e kandidatëve që mund të emëroheshin sipas pikëve të marra këta emra: Dautaj, Shaqir Rexhepi, Remzi Selimi, Fidaim Jashari, Violeta Hoxha, Valon Jahaj, Saxhide Mustafa, Mumin Morina, Arbresha Dina, Bajram Mustafa, Avdullah Nishori, Zijadin Lutolli, Muzafer Luma.\

Kështu del se qeveria e ka shpërfillur këtë përzgjedhje.

Madje këta emra janë publikuar nga vet ambasada britanike konform Memorandumit të Mirëkuptimit.

“Qëllimi i publikimit është që të përmirësohet transparenca e përzgjedhjes për proceset e zyrtarëve të lartë publik. Sipas tyre të gjithë kandidatët i nënshtrohen një interviste të strukturuar të bazuar në kompetenca, bëjnë një prezantim. Kjo plotësohet me një test me shkrim, vlerësim të CV-ve dhe përfshirje të vlerësimeve të performancave paraprake. Për çdo proces, Partnerët Zbatues do të paraqesin një raport konfidencial në Ambasadën Britanike. Ky raport përfshin rezultatet e tyre dhe ato të Komisionit, bashkë me vërejtjet eventuale rreth performancës së kandidatëve në procesin e përzgjedhjes. Këto raporte pastaj i paraqiten Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit sipas Memorandumit të Mirëkuptimit”, thuhet në ueb faqen ku janë pasqyruara memorandumet dhe proceset e rekrutimit të pozitave të larta.


Vlerësimi i ekspertëve të Ambasadës Britanike për Bordin e “Ibër Lepencit”

Kjo nuk është hera e parë që në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike zgjidhen njerëz nga fundi i listës dhe jo ata që Ambasada Britanike i vlerëson si më të mirët apo të duhurit.

Ambasada Britanike nuk është ndarë e kënaqur edhe nga përzgjedhja e bordeve që bëjnë mbikëqyrjen e Ligjit të Prokurimit Publik, dhe të ndarjes së drejtësisë në tender.

Qeveria e Kosovës kishte marrëveshje me Ambasadën Britanike në Prishtinë që të asistohet në këto dy procese të rekrutimit të Bordeve, por ambasada nuk është përfshirë në asnjërin proces.

“Ambasada Britanike në Prishtinë nuk do të asistojë në procesin e ri për zgjedhjen e bordit të OShP-së. Qëndrimi ynë i vazhdueshëm për raste të tilla është se projekti i Ambasadës Britanike nuk do të jetë në gjendje të mbështesë përsëri procesin, në rastet kur rekrutimi ka përfunduar me sukses dhe ka rezultuar me kandidatë që janë të emërueshëm”, kishte bërë të ditur Ambasadës Britanike në Prishtinë.

Gazeta Infokus ka dërguar pyetje në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtine për të marr përgjigje rreth mbarëvajtjes së procesit të përzgjedhjes së bordit dhe kryesuesit të ndërmarrjes “Ibër Lepenci” por ende nuk ka marr përgjigje.

Po ashtu Gazeta Infokus në lidhje me këtë proces të përzgjedhjes ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Ekonomisë e udhëhequr nga Artane Rizvanolli, kompetencë e të cilës janë këto procese të ndërmarrjeve publike në vend, por të njëjtit deri në momentin e publikimt të këtij lajmi nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Më 17 qershor 2021, ishte nënshkrua Memorandumi i katërt i Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës drejtuar nga Albin Kurti dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës Veriore, të përfaqësuar nga Ambasada Britanike.

Qëllimi i këtij memorandumi të mirëkuptimit është që të përkrahë përpjekjet e përbashkëta për t’u siguruar që në institucionet dhe organet publike do të emërohen drejtues të fortë, të pavarur dhe profesional përmes një procesi të drejtë dhe transparent të rekrutimit. Ky projekt ka për qëllim që të ndihmojë institucionet e Kosovës në rekrutimin e personave sipas një liste të dakorduar të pozitave të larta./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera