Sport

Yjet që mbetën jashtë Kupës së Botës

Autori: Gazeta inFokus 23:18 | 04 June 2018
Edhe 10 ditë kanë mbetur deri në fillimin e Kampionatit Botëror.
Rusia do të jetë nikoqire e Botërorit të sivjetmë, por atje nuk do të udhëtojnë shumë yje të futbollit.

Arsyet janë të ndryshme, disa prej tyre nuk kanë arritur të kualifikohen, disa janë të lënduar, e ka edhe të atillë që nuk janë ftuar fare në kombëtaret e tyre.

Alexis Sanchez

Kili dështoi të kualifikohet në Kupën e Botës, prandaj një futbollist si Sanchez do të qëndrojë jashtë kompeticionit më të madh në futboll.

-Advertisement-

Gareth Bale

Ashtu si Sanchez, edhe Bale mungon për të njëjtën arsye. Uellsi që ka pasur një evropian shumë të mirë në vitin 2016, nuk arriti të përsëriste suksesin dhe nuk mundi të kualifikohej në Botëror.

Zlatan Ibrahimoviq

Me të përfunduar Euro 2016, Ibra kishte njoftuar pensionimin nga kombëtarja e Suedisë. Mirëpo pas kualifikimit sensacional të ekipit nga Skandinavia, 36-vjeçari kishte shprehur dëshirën të kthehej dhe të luante me kombëtaren e tij, por trajneri suedez e la jashtë.

Gianluigi Buffon

Një legjendë e futbollit, kishte rastin e fundit që të luante me Italinë në Botëror. Por Azzurrët dëshpëruan tifozët e tyre duke u eliminuar në barazh nga Suedia dhe mbetën pa kualifikim. Buffon është 40-vjeç dhe do të pensionohet nga kombëtarja.

Mauro Icardi

Befasi e madhe mund të quhet lënia jashtë e një futbollisti si Icardi, nga trajneri Jorge Sampaoli. Sulmuesi i Interit, ka realizuar 29 gola dhe ka qenë golashënuesi më i mirë në Serie A këtë stinor, por as kjo nuk e ka bindur Sampaolin që ta ftojë në kombëtaren e Argjentinës.

Alex Oxlade-Chamberlain

Ishte në formë të jashtëzakonshme gjatë tërë stinorit me fanellën e Liverpoolit, por një lëndim në gju, ia ka shuar shpresën reprezentuesit anglez të marrë pjesë në Botëror.

Alvaro Morata

U ble për 80 milionë euro nga Chelsea gjatë verës, por ai nuk arriti që asnjëherë të përshtatej te “Blutë”. Duke e parë formën e dobët të tij, trajneri Julen Lopetegui vendosi ta lërë jashtë listës.

Karim Benzema

Që nga nëntori i vitit 2015, Benzema nuk e ka veshur më fanellën e Francës. Sulmuesi i Real Madridit, ishte përjashtuar për shkak të një skandali ku e kishte shantazhuar bashkëkombësin e tij Mathieu Valbuena në lidhje me një videoxhirim erotik. Benzema nuk pritet që më të luajë ndonjëherë me Francën.

Leroy Sane

Së fundmi edhe ylli i Manchester Cityt, Leroy Sane është lënë jashtë ekipit të Gjermanisë. Joachim Low nuk e ka përfshirë atë në ekipin përfundimtar edhe pse pati sezon të shkëlqyeshëm me kampionin anglez.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera