Lajme

Vuçiq: S’merrem përditë me budallëllëqet e Prishtinës, Asociacioni s’mund të jetë OJQ

Autori: Gazeta inFokus 16:55 | 14 October 2020

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se janë të gatshëm ta diskutojnë për një zgjedhje kompromisi me Kosovën, por vetëm me kushtin që paraprakisht Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe .

Vuçiq tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet jo si një organizatë joqeveritare.

“Nuk mund të jetë një organizatë joqeveritare”, ka thënë Vuçiq për Radiotelevizionin publik të Serbisë (RTS),transmeton Gazeta Express.

-Advertisement-

Ai përsëriti se është e rëndësishme të diskutohej një zgjidhje kompromisi me emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak.

“Ne jemi gjithmonë për dialog e bisedë dhe unë përpiqem të mos u përgjigjem budallalëqeve të përditshme nga Prishtina. Ne duam paqe dhe stabilitet, rrjedhën e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve”, tha Vuçiq.

Dje, Zyra e Kryeministrit ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet, por se kjo do të ndodhë vetëm në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

“Republika e Kosovës si shtet i së drejtës dhe respektuese e përkushtuar e detyrimeve të saj është e obliguar që të respektojë obligimin ligjor të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e saj dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.

Pas takimit të djeshëm me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kryeministri Avdullah Hoti tha se nuk do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

“Kemi garancitë që Asociacioni nuk ka kompetencë ekzekutive. E kemi hequr nga tavolina idenë e shkëmbimit të territoreve. Nuk flet askush për këtë temë. Nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive. Nuk kam ndërruar mendje, nuk kam kurrfarë presioni”, tha Hoti në konferencë për media.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me marrëveshjen që Kosova dhe Serbia e kishin nënshkruar në vitin 2013. Në vitin 2015, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet arritën edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, që theksonte se kjo do të ndodhte sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese. E Kushtetuesja kishte konstatuar se parimet për këtë Asociacion nuk ishin në përputhje me Kushtetutën, edhe pse kishte thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera