Lajme

Vrasja e Ivanoviqit, avokati Damati: Disa dëshmitarë kanë tentuar t’i ndryshojnë deklaratat, pasi janë kërcënuar me jetë

Autori: Gazeta inFokus 19:55 | 15 February 2023

Avokati Musa Damati ka thënë se rasti i vrasjes së Ivanoviqit është karakterizuar nga një numër i madh i dëshmitarëve të cilët kanë tentuar të ndryshojnë deklaratat e tyre, pasi sipas tij, disa nga dëshmitarët anonimë të mbrojtur kanë deklaruar se janë kërcënuar me jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre

Gjashtë të akuzuarit në rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë liruar në procedurë të rregullt nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, të akuzuarit që nga e mërkura janë të lirë në procedurë të rregullt.

Musa Damati, avokat i njërës prej të dyshuarve, Silvana Arsoviq, ka thënë se baza e këtij vendimi mbi të cilën është bërë ndërprerja e masës se sigurisë së prezencës së akuzuarve është fakti që tashmë, sipas tij, janë konsumuar të gjitha kushtet e parashikuara më kodin në fuqi lidhur me aplikimin e këtyre masave.

-Advertisement-

“Disa nga të akuzuarit tjerë kanë qëndruar në masën e paraburgimit në këtë çështje voluminoze penale për më shumë se 44 muaj, ndërsa disa të tjerë në mesin e tyre edhe klienjta ime nuk ka qenë asnjëherë në masën e rëndë kufizuese të paraburgimit, nuk është aplikuar asnjëherë paraburgimi ndaj saj, dhe këtë mbrojtja e ka elabuluar dhe është aplikuar vetëm masa e paraqitjes në stacionin policor, të cilën mbrojtja në bazë të kundërshtimeve të saj ka arritur ta ndërpresë sot”, ka deklaruar Damati.

Avokati Damati, i ftuar në emisionin FIVE të RTV Dukagjinit, ka thënë se rasti i vrasjes së Ivanoviqit është karakterizuar nga një numër i madh i dëshmitarëve, të cilët kanë tentuar t’i ndryshojnë deklaratat e tyre, pasi, sipas tij, një pjesë e dëshmitarëve të mbrojtur anonim kanë deklaruar se janë të kërcënuar me jetë ata dhe familja e tyre, në rast se dëshmojnë në këtë proces ligjor pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas avokatit Damati, rasti i Ivanoviqit konsiderohet si një nga rastet më voluminoze dhe një nga rastet misterioze për mënyrën e kryerjes së veprës penale, duke e konsideruar atë edhe si “një vrasje misterioze”.

Ndërsa, Damati ka deklaruar se provat, materialet dhe dokumentet të cilat i posedojnë janë të shumta, pasi, sipas tij, ekzistojnë për më tepër se 12 mijë e 500 faqe material në këtë çështje penale.

Ndër të tjera, ai ka thënë se përkundër vështirësive procedurale të cilat i ka quajtur si të paprecedentë në praktikën e gjyqësorit të Kosovës, dhe, sipas tij, trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka arritur që t’i shqyrtojë ato më përpikëri, duke arritur te vendimet e njëpasnjëshme që e kanë karakterizuar këtë çështje penale juridike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera