Sport

Vëllaznimi e cilëson stinorin vjeshtor si më të vështirin në histori të klubit

Autori: Gazeta inFokus 14:17 | 12 December 2019

Klubi futbollisti i Vëllaznimit nga Gjakova nuk është duke kaluar në momente të mira.

Ani pse në fillim të këtij sezoni, në krye të këtij klubi erdhi Agim Cana, tashmë situata është vetëm duke u komplikuar.

Vet klubi ka reaguar sot nëpërmjet një postimi në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social “Facebook”, duke e cilësuar stinorin e porsapërfunduar si më të vështirën në histori të klubit gjakovar.

-Advertisement-

“Vëllaznimi mezi ia doli të përmbyll këtë stinor me bilanc mjaft të varfër. Bile, po të mos ishte sakrifica e futbollistëve, e trajnerëve dhe e stafit shumë të tkurrur të klubit, të cilët vazhduan të luajnë e të punojnë edhe pa paga, vjeshta ka mundur të jetë akoma më e varfër, bile ka mundur të rrezikohet edhe ndërprerja e përkohshme e aktivitetit të Klubit”, shkruhet ndër tjera në reagimin e klubit gjakovar.

Ndërsa për të ardhmen, e di edhe vet klubi gjakovar që e ardhmja e klubit do të jetë edhe më e vështirë se ky stinor.

Ndërsa drejtuesit e klubit gjakovar kërkojnë ndihmë për të mos u bërë edhe më keq se sa ishte në vjeshtë.

Ja postimi i plotë:

Stinori i porsapërfunduar, vjeshtor, i futbollit, ka qenë njëri ndër më të vështirit në historinë e veprimtarisë së klubit Vëllaznimi. I përballur, si asnjë herë më parë, me probleme shumë të mëdha financiare, por edhe me probleme organizative e kuadrovike, Vëllaznimi mezi ia doli të përmbyll këtë stinor me bilanc mjaft të varfër. Bile, po të mos ishte sakrifica e futbollistëve, e trajnerëve dhe e stafit shumë të tkurrur të klubit, të cilët vazhduan të luajnë e të punojnë edhe pa paga, vjeshta ka mundur të jetë akoma më e varfër, bile ka mundur të rrezikohet edhe ndërprerja e përkohshme e aktivitetit të Klubit. Si do që të jetë, me një finish të suksesshëm (tri fitore radhazi), sa do pak u përmirësua përshtypja mjaft e zbehtë e vjeshtës.

Tash shtrohet pyetja – çka dhe si më tutje?! Edhe pse duket e pabesueshme dhe paradoksale, ekziston rreziku permanent që stinori pranveror të jetë akoma më i vështirë se ky i porsapërfunduari, vjeshtor! Nëse kjo periudhë e pushimit dimëror, ose edhe më saktësisht, nëse deri në fund të këtij viti nuk arrihet të saktësohet statusi dhe të gjendet mënyra e financimit të qëndrueshëm të klubit, mund të ndodh që shumë nga futbollistët aktual, gjatë afatit kalimtar dimëror, të braktisin klubin, gjë që tashmë e kanë paralajmëruar. Prandaj kujtojmë se është momenti që, të gjithë ata që e duan klubin dhe kanë mundësi të ndihmojnë, të angazhohen në këtë drejtim për zgjidhjen e statusit dhe gjetjen e mënyrës së financimit të qëndrueshëm të Vëllaznimit, për tu mos u bë edhe më keq se që ishte në vjeshtë!

K.F.”Vëllaznimi” – Gjakovë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera