Lajme

Vazhdon misteri për tragjedinë e Gllogjanit, Prokuroria: Jemi në fazën intensive të veprimeve hetimore

Autori: Gazeta inFokus 17:36 | 17 November 2022

Javën e ardhshme bëhet saktësisht një vit nga tragjedia e Gllogjanit. Për vrasjen e trefishtë që ishte kryer atje, ende s’ka aktakuzë. Nga Prokuroria e Pejës kanë thënë se janë në fazën intensive të veprimeve hetimore, por se s’mund të japin detaje për të mos cenuar hetimet.

Misteri vazhdon ta shoqërojë tragjedinë e Gllogjanit, një ndër vrasjet më makabre që është kryer ndonjëherë në Kosovë.

As tash, kur janë bërë gati një vit nga ajo ditë, s’dihet saktë se kush i shkrepi plumbat nga kallashnikovi në drejtim të shoferit të autobusit dhe dy nxënësve e as cilat ishin motivet. Së paku publikisht, s’janë dhënë asnjëherë informata të tilla.

-Advertisement-

Nga Prokuroria Themelore e Pejës i kanë thënë Gazetës Express se janë në fazën intensive të veprimeve hetimore, por se s’mund të japin më shumë informata, për të mos cenuar procesin hetimor.

Pas përfundimit të hetimeve, kanë thënë se do të njoftojnë opinionin me rezultatet e arritura.

“Lidhur me çështjen penale për të cilën keni parashtruar pyetje, ju njoftojmë se jemi në fazën intensive të veprimeve hetimore, andaj duke mos e cenuar procesin hetimor, nuk mund të japim me shumë informata. Pas përfundimit të hetimeve do të njoftojmë opinionin publik me rezultatet e arritura në këtë proces penal”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë.

Të dyshuar për këtë rast janë katër persona, familjarë mes vete. Njërit prej tyre, i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Të njëjtit tash i është ndërprerë kjo masë me propozim të prokurorit, për t’iu zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit/personit si dhe masën e lajmërimit në Stacion Policor.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti.

“Lidhur me pyetjen e parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se ndaj M.M, me propozimin e prokurorit, është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe të njëjtit masa e arrestit shtëpiak i është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit si dhe masës së lajmërimit në Stacion Policor”, ka deklaruar Zhuti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera