Lajme

Vazhdon gjykimi i Salih Mustafës me deklaratat përmbyllëse të prokurorit

Autori: Gazeta inFokus 06:51 | 14 September 2022

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë, mbahet seanca ndaj të akuzuarit Salih Mustafa. Edhe sot do të ketë seancë me deklaratat përmbyllëse të prokurorit të rastit.

35 vjet burg për Salih Mustafën dje kërkoi prokurori i Prokurorisë Speciale në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në ditën e parë të paraqitjes së fjalës përfundimtare të organit të akuzës dhe mbrojtjes, prokurori Cezary Michalczuk tha se Mustafa duhet të dënohet për disa vepra të rënda penale.

-Advertisement-

Ai tha se ish komandanti i UÇK-së, duhet të dënohet për ndalim arbitrar, 10 vjet burg, për trajtim mizor 20 vjet burg, për torturë 25 vjet burg dhe vrasje 33 vjet burg.
Ndryshe prej dje e për katër ditë me radhë, deri me datën 16 shtator, fjalën përfundimtare në këtë rast do ta paraqesë prokuroria.

Në këtë rast, seancat fillojnë gjithmonë nga ora 9:30 dhe transmetohen drejtpërdrejtë në RTK.

Pas fjalës përfundimtare të prokurorisë, më pas gjykata do të caktojë seancat për të dhënë fjalën përfundimtare edhe mbrojtja.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së paten të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022.

Më 21 dhe 22 korrik 2022, Mbrojtja e Mustafës dhe Prokuroria i dorëzuan dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare ndërsa dhënia e deklaratave përmbyllëse është paraparë të bëhet në periudhën nga 13 deri më 15 shtator 2022 dhe më 16 shtator si ditë rezervë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso

Të tjera