Lajme

U mbajt Nata e Zjarreve në Prekaz, përfundon Epopeja e UÇK-së

Autori: Gazeta inFokus 20:23 | 07 March 2023

Në kuadër të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, sonte në Prekaz u mbajt manifestimi tradicional “Nata e Zjarreve”.

Përmes ndezjes së flakadanëve të lirisë u përkujtua sakrifica e komandatit Adem Jashari dhe e familjes së tij. Në këtë manifestim tradicional mori pjesë një numër i madh i qytetarëve.

Pas ndezjes së flakadanëve, në sheshin e Skenderajt po mbahet program artistik.

-Advertisement-

Manifestimi gjithëpopullor “Epopeja e UÇK-së” ka nisur më 5 mars (e diel) dhe zgjati deri sonte (e martë), kur përfundoi me manifestimin “Nata e Zjarreve”.

Më 5 mars janë bërë 25 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë. Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova kishte mundur frikën me çka i kishte hapur shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve ishte ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi, që shekuj e vite i kishte dhënë shumë Kosovës.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica kishin qenë të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi kishte qenë vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën që ishin duke ia bërë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kishin kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar, forcat serbe kishin sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kishin rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që kishte zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kishin mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i kishin shkuar miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.

Ata i kishin kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë” dhe kishin vendosen të qëndronin. Kishin qëndruar për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i kishte mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia kishte dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe kishte arritur t’i shpëtonte sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila kishte parë dhe përjetuar tmerrin, derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj. Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera