Sport

Turneu Zhvillimor U16, Kosova shënoi fitore kundër Ishujve Faroe

Autori: Gazeta inFokus 13:58 | 07 April 2018

Kombëtarja e Kosovës, e përbërë me futbollistë nën moshën 16-vjeçe, sot, ka zhvilluar ndeshjen e dytë në kuadër të turneut zhvillimor që po mbahet në Irlandën Veriore nën përkujdesjen e UEFA-s për grupmoshat U-16, shkruan infokusi.

Pas humbjes nga Irlanda Veriore (1:4) në ndeshjen e parë, djelmoshat e përzgjedhësit Besnik Kollari në ndeshjen e sotme kundër Ishujve Faroe kanë treguar lojë dukshëm më të mirë dhe në fund iu gëzuan fitores me rezultat 4:0.  Kosova e dominoi në tërësi këtë ndeshje dhe krijoi shumë raste shënimi, prej të cilave arriti të finalizojë katër sosh.

Serinë e golave e hapi Taulant Kiçmari, në minutën e 21-të. Tre minuta më pas shënoi Leorant Marmullaku, derisa epërsinë në 3:0 e shtoi Veton Tusha, në minutën e 38-të. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar të kësaj sfide e vendosi Edin Huseini, me golin e realizuar në minutën e 64-t. Ndeshjen e fundit në kuadër të këtij turneu Kosova e zhvillon, të dielën, më 8 prill, kundër Luksemburgut. Pas kësaj fitoreje përzgjedhësi Besnik Kollari u shpreh i kënaqur me angazhimin e lojtarëve, derisa këtë turne e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejmë të kësaj grupmoshe.

-Advertisement-

“E kam thënë edhe më parë se ky turne është i mirëseardhur për ne, ngase na shërben që të zhvillohemi si kombëtare në këtë grupmoshë dhe po ashtu na mundëson të testojmë sa më shumë futbollistë. Pas humbjes në ndeshjen e parë, ku tek futbollistët u vërejt lodhja nga udhëtimi, kësaj radhe djelmoshat tanë paraqitën lojë më të mirë dhe e dominuam plotësisht kundërshtarin. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve dhe e vlerësoj të rëndësishëm faktin që po na jepet mundësia të testojmë sa më shumë lojtarë, ngase në këtë turne kemi 6-7 futbollistë që janë për herë të parë pjesë e kombëtares. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe të krijojmë përvojë nga ndeshjet e tilla, duke marrë mësim si nga fitoret, ashtu edhe nga humbjet”, ka theksuar Kollari.

Kosova – Ishujt Faroe 4:0
Shënues: Taulant Kiçmari 21’, Leorant Marmullaku 24’, Veton Tusha 38’, Edin Huseini 64’.
Kosova: Butrint Bulliqi, Leuart Avdyli, Valon Zumberi, Florind Lokaj, Hajdin Salihu, Andi Janjeva, Oltion Bilalli, Bleron Krasniqi, Milot Avdyli, Edin Huseini, Lekë Demjaha, Valon Azemi, Leorant Marmullaku, Ardi Ajdini, Taulant Kiçmari, Doader Mala, Erdin Dushi, Veton Tusha, Valdrin Konjuhi, Adrion Pajaziti.

Ishujt Faroe: Danial Danielsen, Noah H. Mneney, Torur F. Joensen, Borge Petersen, Ari Arge, Jonas J. Warner, Gilli Roason, Olaf K. Hansen, Meinhard F. Janusarson, Gulak A. Jacobsen, Kristian K. Hentze, Eyobjem L. Ostergaard, Mikkjal Hellisa, Suni Hansen, Ingolf Tvorfoss, Jens Bruhn, Aleks Jacobsen, Bergur Poulsen.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera