Lajme

Thaçi mund të shkarkohet

Autori: Gazeta inFokus 10:14 | 04 May 2020

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ditë më parë ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit.

“Gjykatën Kushtetuese me shumicë votash, vendosi: Të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi si dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës , nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën një të këtij diapozitivi”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, vendimin e Kushtetueses e konsiderojnë si një nga vendimet më të drejta që kjo Gjykatë ka marrë qëkur është themeluar në vitin 2009.

-Advertisement-

Ndërsa, njohësit e politikës dhe të çështjeve juridike janë të mendimit se nëse edhe pas 29 majit Gjykata Kushtetuese e rrëzon dekretin e Thaçit, ky i fundit duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet.

Elezaj: Të gjitha partitë politike në Kosovë janë të obliguara ta pranojnë çfarëdo vendimi që të jetë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Elezaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta pezulluar dekretin e presidentit, ishte ndër vendimet më të drejta që kjo Gjykatë ka marrë qëkur është themeluar në vitin 2009.

Image

“Vendimi i Gjykatës kushtetuese për pezullimin e dekretit të presidentit Thaçi, me të cilin ai mandatonte Avdullah Hotin nga LDK-ja për kryeministër, i cili sipas këtij dekreti LDK-ja do duhej ta formonte qeverinë e re, por pa pjesëmarrjen e partisë fituese, pra Vetëvendosjes, një veprim si ky që do ishte antikushtetues dhe me pasoja të rënda politike. Ngase, çdo vendim tjetër do ishte në kundërshtim me Nenin 82. pikë 2, dhe 95. pikë 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me të cilët nene nuk është paraparë fare që mandati, dmth. e drejta e partisë fituese të zgjedhjeve, pra e Lëvizjes Vetëvendosje, t’i kalohet partisë së dytë, në këtë rast LDK-së, për ta formuar qeverinë, gjë që një akt i tillë do ishte shkelje e rënd e normave të saj juridike”, ka thënë Elezaj.

Ai shprehet se është pritur një vendim i këtillë i Kushtetueses, të cilin ajo e mori me datën 1 maj, pra e pezulloi dekretin e presidentit, duke i dhënë, së pari vetvetes kohë që ta shqyrtojë mirë e mirë ankesën e parashtruar nga Vetëvendosje.

“Madje, do ishte uzurpim i të drejtës së partisë fituese për ta qeverisur vendin, sepse sipas neneve të lartpërmendura të Kushtetutës, mandatin e saj nuk mund ta marrin partitë të cilave sovrani nuk u ka dhënë vota të mjaftueshme që ta qeverisin vendin. Prandaj, është pritur një vendim i këtillë i Kushtetueses, të cilin ajo e mori me datën 1 maj, pra e pezulloi dekretin e presidentit, duke i dhënë, së pari vetvetes kohë që ta shqyrtojë mirë e mirë ankesën e parashtruar nga Vetëvendosje, si dhe t’i analizojë me kujdes të plotë nenet e Kushtetutës të cilat, në një masë apo tjetër, kanë një vakum juridik, sidomos sa i përket afatit se deri kur partia fituese pas zgjedhjeve, por edhe pas mocionit të suksesshëm në Kuvend, duhet t’ia dërgoi presidentit emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së dytë nga po e njëjta parti, në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje”, shprehet ai.

Me tej, Elezaj ka thënë se me këtë vendim partive politike, por edhe qytetarëve të Kosovës iu është dhënë kohë e duhur që të reflektojnë drejt.

“Kështu që, me këtë vendim partive politike, por edhe qytetarëve të Kosovës iu është dhënë kohë të mos i vazhdojnë grindjet e panevojshme, që t’i qetësojnë nervat dhe mos ta fyejnë njëri-tjetrin me fjalorë tepër të ultë, siç ka ndodhur në dy-tri javët e fundit, duke i dhënë rast organit më të lartë të drejtësisë në Kosovë, pra Gjykata Kushtetuese, që në qetësi dhe me kompetencë t’i shikojë dhe shqyrtojë normat kushtetuese, për ta dhënë në fund verdiktin e saj legjislativ, se a mund t’i jepet partisë së dytë mandati i partisë fituese për formimin e qeverisë tjetër, në rastin kur bie qeveria e partisë fituese, siç ishte rasti me qeverinë “Kurti”e cila u rrëzua nga Kuvendi me 25 mars”, tha ai.

Ndërsa, se si do veprojë partia fituese, pas 29 majit, Elezaj ka thënë se kjo do varet plotësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilin pritet që ta jep pas datës së caktuar në vendim, të cilin, jo vetëm Vetëvendosje, por të gjitha partitë politike në Kosovë janë të obliguara ta pranojnë çfarëdo vendimi që të jetë.

“Mbase unë dua të besoj, se vendimi i ardhshëm i Gjykatës Kushtetuese do jetë në favor të së drejtës politike dhe juridike të partisë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast të Vetëvendosjes. Sepse, nuk ka kurrfarë logjike juridike që votat e partisë fituese të zgjedhjeve, në çfarëdo rrethane politike, t’i jepen partive që kanë fituar më pak vota nga elektorati, mbase ky do ishte një diskriminim i rënd i bindjeve dhe vullnetit të sovranit, i cili është burim i çdo të drejte juridike dhe politike, meqë besimi (vota) i votuesve dhënë partisë të cilën ata e preferojnë se duhet të udhëheq me shtetin dhe shoqërinë, do shkelej në mënyrë flagrante, gjë që në këtë rast i humbë vlera votave së sovranit si dhe vetë zgjedhjeve parlamentare, në fakt gara politike për të ardhur në pushtet bëhet krejtësisht e pa kuptimtë”, ka shtuar Elezaj.

Mehmeti: Pres që të shtohen sulmet e presidentit ndaj Gjykatës Kushtetuese

E, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, duke e komentuar vendimin e fundit, për pezullimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se ky pezullim mund të vazhdojë edhe pas 29 majit.

Mehmeti një gjë të tillë e ka vlerësuar si të drejt, sidomos pas tensionimit të situatës në vend.

Image

“Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e vlerësoj të drejtë, sidomos pas tensionimit të situatës dhe mbi të gjitha Gjykata Kushtetuese mbrojti rendin juridik. Pas 29 majti Gjykata mund të vazhdojë pezullimin, ose të jep verdiktin final të saj, që mund të jetë në favor të njërës ose tjetrës palë”, ka thënë Mehmeti, për “Bota sot”.

Tutje, ai është shprehur se nëse pas 29 majit, Kushtetuesja rrëzon dekretin e Thaçit, atëherë sipas Mehmeti, ky i fundit duhet të jap dorëheqje nga posti i presidentit.

“Por, nëse pas 29 majit Gjykata Kushtetuese e rrëzon dekretin e Thaçit, ky i fundit duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet, pasi nuk mund më të qëndroj në atë pozitë, por deri atëherë pres që të shtohen sulmet e presidentit që Gjykata Kushtetuese të merr vendime në favor të dekretit të tij”, është shprehur ai.

Mehmeti ka theksuar se pret që në ditët në vazhdim të ketë presion nga ana e presidentit drejt Gjykatës Kushtetuese.

“Të presim dhe të shohim, por pres shtim të presionit nga Thaçi drejt Gjykatës Kushtetuese, kur dihet se tani po luhet edhe me fatin e tij”, ka përfunduar njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Juristi: Pezullimi deri në atë datë është i panevojshëm

Kurse, juristi, Blerim Burjani, në një përgjigje dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se pezullimi deri më datën 29 maj, është i panevojshëm.

Image

“Pezullimi deri në atë datë është i panevojshëm, përderisa kjo gjykatë zakonisht vendos masë pezullimi vetëm deri në nxjerrje të verdiktit. Vendosja e afatit është obligative që ia ka vendosur edhe institucioneve dhe mbetet shteti pa institucione si rezultat kalkulative kushtetuese dhe me doze politike, pra këto gjykata nuk vendosin masa pezulluese me afat, pra s’ka aftë, por duhet të ketë verdikt kushtetues”, ka thënë ai.

Ai konsideron se Thaçi nuk e ka pasur për obligim të nxjerrë dekret për këtë çështje, sepse nuk shkruan askund në kompetencat e tij.

“Presidenti nuk e ka pas obligim kushtetues të nxjerrë dekret për çështje, sepse nuk shkruan askund në kompetencat e tij si president se ai duhet të dekreton mandatarin e ri, kjo ka bërë që VV-ja ta shfrytëzojë të drejtën për të venë në kontest një gjë të tillë, pra ai këtë e kishte bërë ose qëllimshëm ose nga padituria e tij. Ai është vetëm të njoftohet nga koalicioni i ri, i cili i ka bërë votat, pjesa tjetër është punë e kuvendit, pra nuk ka pas nevojë fare të bëjë, megjithatë, kjo i kushtojë institucioneve, edhe pse realisht kjo masë pezulluese nuk e ndal mbledhjen e Kuvendit e as zgjedhjen e presidentit, sepse masa është vendos ndaj dekretit të nxjerrë nga presidenti, por jo edhe për stopimin e punës së kuvendit, tash këto gjera në vend po ndodhin edhe për shkak mos njohurive”, shpjegon juristi.

Në fund, ai ka nënvizuar se është e dhimbshme dhe e turpshme lufta e partive për pushtet.

“Partitë politike edhe me tej po krijojnë probleme tjera, këto parti janë të njëjta. Kohërave të fundit po rrënohen edhe liritë dhe drejtat e njeriut. Vendosen masa të kufizimit të lirë pa ligj të Kuvendit, pra Kosova po hynë në një fazë kritike me këto parti, populli duhet të vetëdijesohet mos të voton parti më të këtij lloji, që luftojnë për pushtet e jo për të drejtat e tyre dhe për shërbimet që duhet t’i kryen ndaj qytetarëve”, ka përfunduar juristi Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera