Lajme

Tentim-vrasjạ e gruas, Prokuroria thotë se Gjykata refuzoi të vendoste nën arrest shtëpiak të dyshuarin

Autori: Gazeta inFokus 15:48 | 06 August 2024

Idriz Alija, i arrestuar sot nën dyshimin për tentim-vrasjen e gruas së tij Sh.T., u arrestua të premten për dhunë në familje por gjykata refuzoi caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tij, ka thënë sot Prokuroria e Prishtinës.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Prishtinë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie, më datë 02.08.2024 në ora 17:30, ka ndaluar të pandehurin I.A, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhunë në familje’’ nga neni 248 të KPRK-së.

-Advertisement-

Ju njoftojmë se më datë 04.08.2024, Prokurori i Shtetit ka ngritur Aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A.

Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak.

Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Ndërkaq, sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I.A, është arrestuar në fshatin Bresje, në Fushë Kosovë, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’ nga neni 173 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i KPRK-së dhe ‘’Mospërfillja e gjykatës’’ nga neni 393 të KPRK-së.

Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe, ka vizituar të dëmtuarën e rastit, e cila është në trajtim në SHSKUK në Prishtinë, ndërsa ndaj të pandehurit IA, ka lëshuar Aktvendim mbi ndalim.

Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke punuar intensivisht me qëllim të ndriçimit të rrethanave të cilat i kanë paraprirë kryerjes së këtyre veprave penale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera