Sport

Të rejat e fundit nga kombëtarja para ndeshjes me Italinë

Autori: Gazeta inFokus 18:32 | 07 October 2017
Taulant Xhaka dhe Azdren Llullaku do të mungojnë kundër Italisë, ndërsa rikthehen Odise Roshi, Burim Kukeli dhe Mërgim Mavraj.

Barazimi 1-1 i Italisë me Maqedoninë mbrëmjen e shkuar, ka komplikuar akoma më shumë situatën e “axurrëve” për kualifikim në “play off”-in e Botërorit “Rusia 2018”.

Tashmë skuadra e Venturës do të vijë në Shkodër ende me llogari të pambyllura. Megjithatë shansi i tyre për kualifikim mund të mbyllet edhe mbrëmjen e sotme, kur Bosnja do të përballet me Belgjikën e kualifikuar.

Në rast fitoreje të Bosnjës, gjithçka është e hapur, por në rast fitoreje të belgëve, Italia mbyll llogaritë pa mbërritur në Shkodër.

-Advertisement-

Këto llogari bëhen pasi nga 9 grupe eliminatore, në fazën e “play off”-it shkojnë 8 vende të dyta dhe e dyta me rezultatin më të dobët, duke i hequr pikët e fituara me të fundit e grupit, eliminohet edhe nga “play off”-i.

Gjithsesi, për Shqipërinë situata mbetet jo shumë pozitive për ndeshjen e së hënës. Humbja me Spanjën, përpos rezultatit që nuk është katastrofik duke pasur parasysh kundërshtarin, nxori në pah gabime të tjera të trajnerit me formacionin, ashtu si edhe në ndeshjen me Maqedoninë.

Lajmi jo i mirë i largimit të Taulant Xhakës dhe Azdren Llullakut pas kartonëve në ndeshjen me Spanjën, balancohet me rikthimin e Odise Roshit, Burim Kukelit dhe Mërgim Mavrajt për takimin ndaj “axurrëve”, raporton TCH.

Aktualisht, Shqipëria mbetet me objektivin e arritur edhe pse jo matematikisht, Izraeli me një pikë larg kur ka edhe një ndeshje për të zhvilluar mban ende llogaritë e hapura.

Ata ndeshjen e fundit do ta luajnë me Spanjën në shtëpinë e tyre, por këta të fundit shkojnë si të kualifikuar, ndërkohë që Shqipëria do të luaj me Italinë që minimumi i duhet një barazim për të mbyllur kualifikimin.

Një situatë kaotike kjo në përfaqësuesen kuqezi, që po kalon një tranzicion jo të lehtë nga De Biasi tek Panucci, i cili ende nuk ka arritur të konsolidojë një formacion bazë, i kushtëzuar në këto ndeshje të fundit edhe nga mungesat prej kartonëve apo dëmtimeve.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Italisë do të luhet më 9 tetor në “Loro Borici” në Shkodër.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!
-Advertisement-

Të tjera