Lajme

Të mërkurën nisë mësimi alternativ për mbi 400 nxënës të fshatrave të Kamenicës

Autori: Gazeta inFokus 10:30 | 04 May 2021

Vendimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për të organizuar mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e fshatrave të Kamenicës, kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati, po e quan “sjellje të papërgjegjshme dhe tendencioze” që të pengojë reformën e nisur në arsim.

Komuna e Kamenicës ndërmori një sërë veprimesh ku u bë mbyllja dhe fuzionomi i disa shkollave në disa fshatra të Kamenicës për shkak të numrit të ulët të nxënësve. Një gjë e tillë ishte kundërshtuar nga nxënës, prindër e mësimdhënës të cilët patën organizuar edhe protesta e greva.

Duke iu rikthyer vendimit të ministres Nagavci, Kastrati shprehet i bindur se i njëjti ka prapavijë politike, por që thotë se do të organizojnë një mësimin alternativ për nxënësit që nuk e kanë vijuar mësimin.

“Është një sjellje e papërgjegjshme, është tendencioze që mundohet të pengojë reformën në Komunën e Kamenicës, në veçanti riorganizimin e rrjetit të shkollave. Në fund edhe përbrenda vendimit ajo nuk e ka saktësuar, as nuk ka të drejtë të saktësojë, se si bëhet organizimi, se ajo është kompetencë e Komunës, por një prirje për të ndërhyrë në kompetencën e Komunës. Sidoqoftë, ministrja (Arbërie Nagavci) i ka kompetencat e saj dhe unë e ftoj që të qëndrojë vetëm brenda kompetencave dhe mandatit të saj, nuk lejoj të ndërhyjë në kompetenca të Komunës”, thotë ai.

I pari i Kamenicës thotë se do të organizojnë një mësim të tillë për shkak se këta nxënës pothuajse e kanë humbur vitin.

“Mësimin plotësues, ne ishim të gatshëm me ministrinë ta organizojmë, vetëm se ne i përcaktuam cilat janë objektet shkollore funksionale dhe mësimdhënësit të organizojmë dhe koston shtesë ta mbulojë ministria. Sidoqoftë, deri tash nuk po duket që ka vullnet prej ministrisë për ta bërë një zgjidhje, por ne jemi të gatshëm dhe duhet sepse këta fëmijë pothuajse e kanë humbur vitin”, thotë Kastrati.

Kastrati, që kur mori mandatin e të parit të Kamenicës ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se është i bindur se një vendim i tillë nga ministrja Nagavci është për qëllime politike, e krejt kjo thotë se po bëhet për ta dëmtuar atë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

“Për hir të së vërtetës këtë çështje ka dashur ta fillojë vetë Arbërie Nagavci kur ka qenë drejtoreshë në Komunën e Prishtinës, por dikur është tërhequr se nuk e ka konsideruar se ja vlen me i hy një sfide të tillë, gjithashtu ka qenë edhe program gjatë fushatës. Kështu që po, unë mendoj që kjo e ka komplet një qëllim të caktuar ku i kanë synim zgjedhjet lokale dhe mundohen me problematizu dhe problemin me e mbajt aktual deri në zgjedhje”, thotë ai.

Ndonëse nuk tregon nëse do t’i hyjë garës edhe për një mandat në krye të Kamenicës, Kastrati thotë se nuk do të zmbrapset nga reforma e nisur në komunën që tash e katër vite e drejton.

Ai thotë se një riorganizim i tillë i shkollave është i domosdoshëm nëse synojnë të përmirësojnë cilësinë në arsim.

“Kjo nuk është një aventurë që unë i kam hyrë dhe të provoj a po bënë apo jo, do të thotë jam thellësisht i bindur që kjo është një e drejtë edhe e domosdoshme nëse dëshirojmë të rregullojmë arsimin në Kosovë. Përderisa unë kam të drejtë, që pothuajse të gjithë e pranojnë, edhe ministria vet ligjërisht e ka parapa të bëhet ashtu siç ne e kemi bërë, gjithashtu është edhe propozimi i Qeverisë Kurti të bëhet në këtë formë të tillë dhe ana legale ne kemi të drejtë, nuk ka arsye me u tërheq”, deklaron ai.

Kundërshtimi i reformës nga disa prindër të kësaj komune, Kastrati thotë se është bërë edhe për shkak se të njëjtit janë përballur me kërcënime dhe linçime për ta kundërshtuar reformën në arsim.

“Ne kemi bërë edhe anketa, për shembull 43 përqind e qytetarëve mendojnë se është gjithqysh e mirë pas probleme se paraprakisht kanë qenë 82 përqind. Pothuajse më shumë se gjysma e prindërve edhe në ato vende mendojnë që është e mirë, ka pasur kontakte dhe komunikim me psikologët, pedagogët dhe gjithë të tjerët mendojnë që mirë. Mirëpo, ata janë duke u ballafaquar me një stigmatizim, do të thotë me kërcënim, linçim e gjitha të tjerat dhe ky është problemi pse po pengohet secili. Tash nëse e dëgjon përgjithësisht opozita në mungesë të ideve, dijes, mundohet me kthye që ky është problemi i vetëm edhe konsideron që vetëm me këtë problem kishte me pas mundësi të fitojnë në zgjedhje”, potencon ai për KosovaPress.

Në bazë të vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nga data 5 maj do të fillojë mësimi alternativ i përshpejtuar për 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës.

Mësimi alternativ i përshpejtuar do të organizohet për nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina” në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi” në fshatin Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” në fshatin Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në fshatin Shipashnicë e Poshtme si dhe, për nxënësit e paraleles fizike në fshatin Kopernicë.

Të tjera