Lajme

Sulmi në Zubin Potok: Beogradi fillon të komunikojë me shtete e organizata- zbulohet se çka i ka shkruar KE-së në Strasburg

Autori: Gazeta inFokus 22:58 | 03 December 2024

Serbia ka dërguar një notë verbale dhe një non-paper në Këshill të Evropës lidhur me sulmin e ndodhur në strukturën e kanalit të ujit të Ibër-Lepencit. Në këtë letër, shteti serb shkruan se distancohet pa asnjë mëdyshje nga çfarëdo përfshirje në sulmin e 29 nëntorit dhe pretendon se akuzat e Kosovës që drejtojnë gishtin e përgjegjësisë drejt Beogradit zyrtar janë të pabazuara dhe se s’ka prova.

Sipas kësaj letre që Serbia ka dërguar në Këshiill të Evropës ku shpjegon pozicionin e saj, deklarimet e tilla vetëm mund të çojnë në eskalim të panevojshëm të situatës në rajon, dhe kanë dhënë disa pika.

Në pikën e parë në dokument, Serbia bën thirrje për një hetim të plotë dhe transparent për një akt të tillë sabotazhi.

-Advertisement-

Përveç ndihmesës për hetim, shteti serb në këtë letër drejtuar Këshillit të Evropës ka shprehur edhe gatishmëri për të ofruar përkrahje teknike dhe logjistike për të adresuar pasojat e sulmit, përfshirë edhe përkrahjen për rindërtimin e kanalit dhe ndihmesën për furnizimin me energji elektrike për zonat e afektuara, shkruan Express

Gjithashtu në këtë letër Serbia kërkon që palët të përmbahen nga fajësimi i parakohshëm dhe në vend të kësaj të fokusohen në parandalimim e eskalimit të mëtejshëm në rajon.

Në pikën e katërt të këtij non-paper, Serbia shpreh gatishmëri edhe për mbajtjen e një takimi të natyrës urgjente në kuadër të Dialogut të Brukselit ku temë qëndrore do të ishte sulmi terrorist i 29 nëntorit i ndodhur në strukturën e kanalit të Ibër-Lepencit.

Gjithashtu shteti serb në këtë letër ka kërkuar që të mos përdoret ky rast për rritjen e pranisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Republikës së Kosovës.

Në fund, Serbia thotë se ky sulm ka ndodhur në një kohë tepër të ndjeshme dhe se për të njejtin duhet një hetim i përbashkët, transparent dhe në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë partnerët e rëndësishëm, për të shmangur çfarërdo pasoje negative që mund të pengojë integrimin evropian dhe Dialogun për normalizimin e raporteve.

Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi është edhe luftë kinetike dhe kopjim i metodave të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

KFOR-i ka deklaruar se është e rëndësishme të vërtetohen faktet dhe ka shtuar prezencën në Zubin Potok në vendin ku ka ndodhur sulmi.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas takimit që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, ka deklaruar se është shumë herët të flitet për atë se kush është përgjegjës për sulmin e 29 nëntorit.

Bashkimi Evropian e ka dënuar ashpër sulmin dhe e ka cilësuar sulm terrorist. Shefja e re e BE, Kaja Kallas, pas takimeve që ka pasur sot në Bruksel me Kurtin e Vuçiqin, ka kërkuar që autorët e sulmit të dalin para drejtësisë.

 

 

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera