Sport

Statistikat e fazës së grupeve në EURO 2024, ja si paraqitet Shqipëria

Autori: Gazeta inFokus 12:54 | 27 June 2024

EURO 2024 mbylli këtë të mërkurë fazën e grupeve, teksa tashmë në horizont është faza me eliminim direkt, duke nisur nga raundi 1/8-ve.

Faza e Grupeve prodhoi emocione, spektakël, surpriza, rekorde, gola e autogola me shumicë, teksa në total, në 36 ndeshje u realizuan 81 gola, me një mesatare 2.2 gola për ndeshje.

Shtatë prej tyre ishin autogola, seri të cilën e nisi Rudiger në ndeshjen hapëse Gjermani-Skoci, ndërsa mes tyre ishte dhe Klaus Gjasula në takimin ndaj Kroacisë, teksa shijen e hidhur të autogolit e provuan edhe Malen, Wober, Calafiori, Hranac dhe Akaydin, që nëse do të kishte një çmim për autogolin më të bukur, padiskutim që mbrojtësi turk do ta rrëmbente.Sa i përket listës së golashënuesve, surpriza është sulmuesi i Gjeorgjisë, skuadra debutuese që arriti edhe kualifikimin. Mikautadze, autori i tre golave kryeson këtë listë, me sulmuesin në pronësi të Ajax që dy prej tyre i ka shënuar nga penalltia, ndërsa me dy gola janë, Musiala, Fullkrug (Gjermani); Gakpo (Holandë); Marin (1 penallti, Rumani), Schranz (Sllovaki), teksa lista e lojtarëve që kanë shënuar është e gjatë, me 61 autorë duke nisur nga Bajrami, Gjasula e Laçi.

-Advertisement-

Nedim Bajrami vendosi rekordin e ri të Europianit, me mesfushorin “kuqezi” që në ndeshjen ndaj Italisë regjistroi golin më të shpejtë të historisë, vetëm pas 23 sekondash lojë.

Skuadra me sulmin më të mirë për momentin është gjermania me 8 gola e ndjekur nga Austria me 6 rrjeta, teksa mbrojtja më e mirë është ajo e Spanjës, me iberikët që ende nuk kanë pësuar, ndërsa mbrojtja më e dobët ishte ajo e Skocisë me 7 gola të pësuar.

Në fazën e grupeve u regjistruan vetëm dy kartonë të kuq, në ndeshjen hapëse skocezi Porteous dhe çeku Barak në takimin e fundit të javës së tretë.

Lojtari që ka goditur më shumë portën në fazën e grupeve është sulmuesi i Belgjikës, Romelu Lukaku me 7 goditje, i ndjekur nga Mbappe me 6 dhe Ronaldo me 5 goditje.

Portieri i Gjeorgjisë, Mamardashvili është deri më tani gardiani me më shumë pritje vendimtare, 20 të tilla, teksa kombëtarja e drejtuar nga Sagnol shkruajti historinë duke u kualifikuar në edicionin e tyre debutues, teksa edhe Sllovenia regjistroi kualifikimin e parë në histori.

Një tjetër rekord i këtij Europiani ishte edhe Grupi E, me katër skuadrat që mbyllën fazën e grupeve me nga katër pikë, që do të thotë se Ukraina u eliminua si vend i katërt, teksa në fazën e 1/8-ve avancuan sllovenët që koleksionuan tre pikë, por fati tyre ishte se në grupin e tyre u pozicionuan si forcë e tretë.

Tashmë, nis faza më interesante e Europianit, me raundin e 1/8-ve që do të nisë këtë të shtunë me dy takimet, Zvicër – Itali dhe Gjermani – Danimarkë, teksa të dielën do të luhen Angli – Sllovaki dhe Spanjë – Gjeorgji.

Të hënën do të luhet një prej sfidave më interesante, Francë – Belgjikë, teksa në mbrëmje do të jetë dueli Portugali – Slloveni dhe ky raund do të mbyllet të martën e 2 korrikut me dy ndeshjet e fundit, Rumani – Holandë dhe Austri – Turqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera