Sport

Sporti mposht politikën, Kosova me simbole shtetërore në Rusi

Autori: Gazeta inFokus 16:05 | 11 December 2017

Sporti më në fund e ka mposhtur politikën. Kosova megjithatë do të marrë pjesë në garën e madhe ndërkombëtare “Masters” të xhudos në Rusi me simbole shtetërore. Autoritetet ruse kishin kërkuar që kosovarët të marrin pjesë në këtë eveniment me flamur të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. Mirëpo, pala kosovare e kishte refuzuar një kusht të tillë, duke hequr dorë nga kjo garë. Megjithatë me intervenimin e kryetarit të IJF-së, Marius Vizer, rusët lëshuan pe dhe Nora Gjakova e Distria Krasniqi do ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës në St. Petersburg

Politika i ka sjellë probleme non-stop sportit kosovar. Në disa raste sportistëve tanë u janë refuzuar vizat e në të tjera janë lejuar të marrin pjesë pa simbole shtetërore nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare përkatëse.

Me një problem të tillë u sfidua së fundmi edhe sporti më i suksesshëm në Kosovë, xhudoja, shkruan sot gazeta Zëri.

-Advertisement-

Rusia si organizatore e turneut prestigjioz “Masters”, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, ua kushtëzoi garuesve kosovare pjesëmarrjen në këtë garë pa simbole shtetërore, duke i këshilluar ata të marrin pjesë në St. Petersburg me flamur të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Mirëpo trajneri Driton Kuka ishte i prerë në vendimin e tij dhe e refuzoi menjëherë një “ofertë” të tillë.

“Mastersi pa Kosovën! Po kërkohet të heqim dorë në Rusi prej simboleve shtetërore që të marrim pjesë me flamur të Federatës Botërore, të cilën zgjedhje nuk do ta pranojmë. Përfundimisht sot nga Ministria e punëve të jashtme e Rusisë erdhi përgjigje zyrtare që Kosova nuk do të lejohet të marrë pjesë si shtet në garën ku marrin pjesë 16 më të mirët në çdo kategori – ‘The best of the best’! Nora e Distria, të cilat shkëlqyen këtë vit në shumë gara e së fundi të arta nga ‘Grand Prix’ në Hagë, nuk po lejohen ta prezantojnë shtetin tonë. Heroinat tona prapë po hasin në barriera politike, por ne prapë do të punojmë me përkushtim më tutje, pavarësisht pengesave”, kishte shkruar trajneri i suksesshëm i xhudos në rrjetet sociale të premten.

Sporti mbi politikën

Mirëpo këtë radhë, si asnjëherë më parë, sporti e mposhti politikën. Të dielën Kuka e dha lajmin e madh, duke zbuluar se megjithatë rusët kanë lëshuar pe pas intervenimit të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF).

Si rezultat, më 16 dhe 17 dhjetor në St. Petersburg të Rusisë do t’i shohim edhe dy garueset kosovare, Norën dhe Distrinë, në garën e madhe ndërkombëtare të xhudos “Masters”, në të cilën marrin pjesë vetëm nga 16 garues më të mirë botërorë në secilën kategori.

“Sporti mbi politikën! Kosova merr pjesë në ‘Masters’ në Rusi. Sot në mëngjes në një telefonatë në mes mikut tonë, kryetarit të IJF-së Marius Vizer dhe kryetarit të FXhK, Agron Kuka, na u konfirmua pjesëmarrja në ‘The best of the best’ në St. Petersburg. Presidenti Vizer ishte njeriu që me angazhimin e tij dhe me bisedat që kishte me njerëz nga komuniteti sportiv, por edhe politik i shtetit rus, përsëri bëri që Kosova të prezantohet e barabartë me shtetet e tjera”, ka njoftuar Kuka të dielën.

“Një falënderim i madh u shkon të gjithë atyre që mundësuan të jemi të barabartë me shtetet e tjera. Me sport po thyhen barrierat. Në mungesë të kampiones olimpike Majlinda Kelmendi, e cila s’mund të marrë pjesë në ‘Masters’, në Rusi do të na prezantojnë Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi”, ka shkruar më tutje Kuka.

Sportistët kosovarë kanë hasur në probleme të ndryshme dhe të vazhdueshme pas luftës.

Mbi të gjitha problem ka qenë dhe vazhdon të jetë pajisja me viza.

Muajin e kaluar boksierja Donjeta Sadiku mbeti pa pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të boksit për të reja pasi shteti indian, i cili nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e pajisi me vizë boksieren më të mirë shqiptare.

Gjithashtu problem tjetër me të cilin përballen kohë pas kohe sportistët kosovarë është kushtëzimi që të marrin pjesë në evenimente të ndryshme sportive pa simbole shtetërore.

Këto kushte zakonisht i vënë vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet. Mirëpo, fuqia e sportit të xhudos në Kosovë i theu të gjitha barrierat, duke e mposhtur edhe politikën në këtë rast. /Zëri/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera